Ligji për punë të brendshme ka tre ndryshime thelbësore, të cilat janë në frymën e standardeve evropiane e që njëherazi janë bërë sipas analizave dhe përvojave krahasuese prej vendeve si Kroacia, Sllovenia, Austria, deklaroi sot nga Resnja, ministri për punë të brendshme, Mitko Çavkov. Ai sqaroi gjithashtu se në përputhje me ndryshimet ligjore, struktura organizative do të bëhet me vendim të Qeverisë, ndërkaq sistematizimin do ta kryejë ministri i punëve të brendshme me pajtueshmëri paraprake me Qeverinë.

“Këto ndryshime janë esenciale, por nuk janë për qëllime të politikave ditore, por për vendime sistematike zhvillimore, të cilat në plan afatgjatë duhet të kontribuojnë për stabilizimin e strukturave organizative të MPB-së dhe të tejkalojmë një absurd”, u shpreh Mitko Çavkov, Ministri për Punë të Brendshme, transmeton Tv21.

Sipas tij, kjo nuk ka të bëje fare me kompetencat e ministrit të punëve të brendshme. Ai mundet pa pengesa dhe me kapacitet të plotë t’i kryejë funksionet në Ministri, tha Çavkov, i cili mes tjerash shtoi se, sa i përket kompetencave të ministrit të brendshëm në Qeverinë kalimtare, asnjë kompetencë e tij nuk është vënë në pyetje. Sipas tij, MPB-ja ka zyrtarë profesionistë në pozita të larta, kurse ndërrimet dhe emërimet duhet të realizohen në përputhje Ligjin për punë të brendshme.

“Intenca ose fryma e Marrëveshjes së Përzhinës, megjithatë është besim ose garanci se MPB-ja do të kontrollohet edhe nga opozita nëpërmjet ministrit. Konsideroj se në këtë mënyrë do të parandalohen edhe spekulimet se MPB-ja është keqpërdorur. Deri më tani, nuk kanë vërtetuar asnjë akuzë për keqpërdorim prej ndonjë individi ose prej MPB-së si tërësi”, shtoi Çavkov.

Përndryshe, bisedimet në Përzhinë vazhdojnë të hënën. Ndërkaq, grupet e punës gjatë kësaj fundjave duhet t’i shqyrtojnë dallimet.

 

Loading...