Zyrtarizohet vendimi për ndalimin e importit të makinave të prodhuara përpara një dekade.
Dokumenti i miratuar nga Këshilli i Ministrave, i cili hyn në fuqi një muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, parashikon që nga 2 dhjetori të mos kryhet asnjë procedurë zhdoganimi për makinat e përdorura për më shumë se dhjetë vjet, ndërsa standardi i motorëve të lejuar të jetë “Euro 5” për mjetet e reja dhe “Euro 4” për ato të përdorura.

Risi ka te makinat që kanë hyrë në vendin tonë para se të miratohej vendimi, por që ende nuk janë regjistruar. Atyre iu është lënë afat deri më 1 mars për kryerjen e procedurave të targimit. Sakaq, ato të targuarat, edhe pse kanë më shumë se dhjetë vite që janë prodhuar, nuk do të kenë kufizim moshe për të qarkulluar në vend, e madje as nuk ndalohet shitja e tyre.

Pas këtij vendimi, që pritet të ulë ndjeshëm normën e ndotjes së ajrit, Ministria e Mjedisit po shqyrton mundësinë për të shtuar numrin e kontrolleve teknike të detyrueshme më shumë se një herë në vit.

TAKSA E RE

Një tjetër nismë, kësaj here në ndihmë të zhvillimit të agroturizmit po ndërmerr qeveria për ata që ndërtojnë apo ofrojnë banesat e tyre si vende mikpritëse për të huajt. Lajmin e dha kreu i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, nga Parku natyror i KorabKoritnikut në Kukës.

“Së bashku me Ministrinë e Bujqësisë, për pikat e agroturizmit që ofrojnë kapacitet akomodues, por dhe që kanë kapacitete të tjera për të afruar turistët, ne mundësojmë një taksim të ri, që shkon në 5% të tatim fitimit për këto pika të agroturizmit dhe po ashtu 6% TVSH për realizimin e gjithë shërbimeve brenda tyre”, ka deklaruar ministri gjatë vizitës dyditore në qytetin verilindor.

Veliaj përshëndet vendimin: Doganë zero për mjetet elektrike

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e ka cilësuar një lajm shumë të mirë vendimin e qeverisë për të ndaluar importin e automjeteve më të vjetra se 10 vjet, ndërsa dha një lajm të mirë për ata që do të importojnë mjete me zero ndotje, makina elektrike.

“Komisioni i Ekonomisë dhe Financave po konsideron t’i japë më shumë fuqi transportit alternativ, duke e bërë doganën e TVSH-në zero për autobusët elektrikë, që ndotin po aq sa një celular. Kështu, hyjmë realisht në një epokë të re. Nuk ka nevojë të jemi të fundit, por ashtu si me fushatën e pemëve dhe nismën për më shumë korsi biçikletash po dalim të parët në rajon, ashtu edhe me autobusët elektrikë kemi një shans fantastik të shkëlqejmë si një vend e qytet modern”, tha kryebashkiaku nga Njësia 7, në dëgjesën për buxhetin e vitit 2019.

Sipas Veliajt, do të jetë e afërt dita kur qytetarët të qarkullojnë me autobusë elektrikë, falë nismave lehtësuese të takimit nga qeveria, e cila po i jep fuqi transportit alternativ. Kryebashkiaku shtoi se Bashkia e Tiranës do të nisë pilotimin e një segmenti të Unazës së Katërt, kushtuar transportit publik dhe biçikletave, për t’i dhënë qytetit një brez të gjelbër, që do të lehtësojë edhe transportin.

PANORAMA

Loading...