Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, nuk është ndier aq mirë, të premten e kaluar, kur në Hanin e Elezit u përplas verbalisht me disa persona. Siç mëson “Zeri.info”, Bajgora derisa ishte duke ligjëruar rreth temës “Islami i paqes e jo i dhunës”, në njërën prej xhamive të kësaj komune, disa persona kanë ndërprerë atë duke i thënë se nuk është duke ligjëruar tema pro myslimanëve.
“Imami Bajgora ishte duke folur rreth asaj që islami është duke u dëmtuar me etiketime të terrorizmit. Ai po ashtu nisi të flasë për luftën në Siri, për të cilën tha që nuk duhet t’i bashkohemi asaj.
Ai përmendi të rinjtë e Kaçanikut dhe Hanit të Elezit si komuna të cilat kanë qenë të përfshira në këto luftëra. Papritmas, disa xhematlinj u ngritën në këmbë dhe reaguan ashpër ndaj kryeimamit të BIK-ut duke thënë se kjo është e padrejtë të thuhet nga ai”, thotë ky burim.
Ndërkohë, Bajgora në një prononcim për “Zeri.info” ka thënë se sulmi verbal që pati në komunën e Hanit të Elezit nuk ishte asgjë për t’u brengosur. Sipas tij, ligjërata nuk kishte ndonjë qëllim të keq ndaj këtij komuniteti. “Jo, ai ka qenë një reagim i dy-tre vetave, s’ka pas ndonjë problem. Ligjërata kishte të bëjë për paqen në islam, “Islami është i paqes e jo i dhunës”, ka thënë ai për “Zeri.info”. /Zëri/

Loading...