Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, thotë se qëllimi i tij është që numri i vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës të reduktohet nën 100.

Në një intervistë për gazetën “Politika”, Daçiq tha se ka formuar një ekip njerëzish, i cili merret vetëm me çështjen e zvogëlimit të numrit të vendeve që kanë njohur Kosovën, duke potencuar se, për të, ky është prioritet në aktivitetin politik të Serbisë.

I pyetur nëse ekzistojnë gjasat reale ta bëjë këtë, Daçiq tha se “garanton” diçka të tillë.

“I pari fillova të punoj në atë drejtim që vendet ta tërheqin njohjen … Njerëzit nga Fixhi nuk e kanë idenë se e kanë njohur Kosovën. Disa madje as nuk e kanë njohur, kurse ndodhen në listën që e ka ministria e jashtme e Kosovës”, tha Daçiq, përcjell Telegrafi.

Ai shtoi se Ministria e Jashtme po punon për të reduktuar numrin e njohjeve, por edhe ministritë e tjera duhet t’i kushtojnë vëmendje kësaj çështje.

I pyetur nëse Kosova do të marrë një karrige në Kombet e Bashkuara, Daçiq tha se kjo “do të thotë që Serbia duhet t’i thotë Rusisë dhe Kinës që të mos luftojnë kundër hyrjes së Kosovës në OKB”.

“A mund të imagjinoni që unë ta bëj atë? T’i them Lavrovit dhe homologut tim kinez se unë deri tani jam tallur për këtë”, tha Daçiq, duke shtuar se për çështjen e Kosovës duhet të arrihet te një kompromis.

I pyetur nëse rezultati i këtij kompromisi mund të jetë që Kosova të marrë një karrige në OKB, Daçiq tha se kjo është e mundur, nëse pala serbe e pranon një gjë të tillë, por në asnjë mënyrë nuk mund të jetë ndryshe.

Duke komentuar rëndësinë e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore, Daçiq tha se askush nuk e di se çfarë përfaqëson ajo marrëveshje.

Lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe, ministri tha se mendon se nuk ka asnjë person në Bashkimin Evropian, i cili arsyeton faktin se Prishtina nuk dëshiron të formojë Asociacionin.

Daçiq tha se “BE do të bëjë presion për formimin e Asociacionit, sepse kjo është premtuar”.

Shefi i diplomacisë serbe tha se varet nga pala serbe nëse më 20 prill serbët e Kosovës do ta formojnë Asociacionin. /Telegrafi/

Loading...