Danaj: Marrëveshja e Brukselit i jep Serbisë 1/3 e territorit të Kosovës

Politologu Koço Danaj e konsideron arrestimin e Albin Kurtit përgjakje të festës së pavarësisë së Shqipërisë. Danaj tha se një gjë e tillë nuk ndodhi një shekull më parë, por ndodh në vitin 2015.

“Arrestimi i Albin Kurtit ditën e pavarësisë një ngjarje e shëmtuar nuk duhet të kishte ndodhur asesi në këtë ditë. Arrestim i Albin Kurtin përgjaku 28 nëntorin. Nuk u përgjak 28 nëntori i 1912, por ky i një shekulli më pas”, tha Danaj.

Politologu nënvizoi se kriza në Kosovë ka ardhur nga lëshimi i politikës shqiptare përballë Serbisë.

“Krizën e kanë krijuar lëshimet e politikës në Prishtinë dhe Tiranë ndaj shovinizmit serb. Ka nevojë të reflektohet nga e gjithë politika shqiptare. Le të jetë ngjarja e fundit ku politika shqiptare ecën me inatin e politikës”, u shpreh ai për mediat shqiptare.

Danaj i konsideron dy marrëveshjet për të cilat proteston opozita në Kosovë si marrëveshje që dëmtojnë Kosovën dhe që bien në kundërshtim me Kushtetutën e saj.

Ai vijoi më tej duke thënë se marrëveshja me Beogradin për krijimin e bashkësisë së komunave serbe i jep serbëve kontrollin e 1/3 së territorit të Kosovës kur përqindja e popullsisë serbe përbën vetëm 6-7%.

“Përqindja serbe në Kosovë është 6 deri në 7 për qind, ndërsa territori që synohet ti jepet është 32%. A mund të pranohet një gjë e tillë? Jo”, theksoi Danaj.

Loading...