Daut Haradinaj: Se sa veteranë ka pasur UÇK-ja, përgjigjen e keni te gjeneralët e Serbisë, të cilët i turpëruam

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka dhënë një mendim sa i përket debatit për numrin e veteranëve të UÇK-së.
Ai në një deklaratë të shkurtër për gazetën “Epoka e re” ka thënë se numrin e veteranëve të UÇK-së, me theks të veçantë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” kushdo që ka dëshirë për ta mësuar, mund të marrë përgjigje nga gjeneralët e Serbisë dhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët siç thotë ai kanë turpëruar në Deçan.

“Se sa veteranë i kishte Dukagjini dhe me theks të veçantë Brigada 131 ‘Jusuf Gërvalla’, përgjigjen mundeni për ta marrë te gjeneralët e Serbisë dhe bashkëpunëtorët e tyre që i kemi turpëruar në Deçan”, ka thënë Daut Haradinaj.

Fryrja e listave dhe dyshimet për mashtrime të mëdha me veteranë janë subjekt i një hetimi që Prokuroria e Shtetit ka nisur hetim që pritet të konkretizohet brenda javëve me aktakuzë, edhe pse ish-prokurori i këtij rasti ka dhënë dorëheqje. Veprimi i këtij të fundit, Elez Blakaj, pretendohet se ka ardhur pas kërcënimeve që ka marrë gjatë hetimit dhe i njëjti pohon se është larguar për të jetuar në SHBA.

Blakaj, para ikjes nga Kosova, e kishte bërë gati aktakuzën, por të njëjtën nuk e kishte dërguar në gjykatë, pasi dha dorëheqje. Pas kësaj i njëjti shpërtheu në akuza për Prokurorinë e Shtetit dhe Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi.

Sipas aktakuzës së Blakajt, për “veteranët e rrejshëm” akuzohen 11 persona, përfshirë edhe Agim Çekun, Nuredin Lushtakun, Shukri Bujën dhe ministrin aktual të FSK-së Rrustem Berisha.

Loading...