De Biasi flet për ‘Zërin’: Jemi më afër Francës

DeBiasi

Vendimi i fundit i CAS-it ia ka shtuar optimizmin që ta shohë Kombëtaren Shqiptare më afër kualifikimit në Evropian. Por, thotë se edhe para këtij vendimi, kuqezinjtë nuk ishin larg Francës. E pranon se do t’i pëlqente ta vazhdojë punën në Shqipëri, por tregon se gjithçka varet nga kualifikimi. Lojtarët e rinj i ka pikë të dobët dhe vazhdon t’i përcjellë. Gianni De Biasi, përzgjedhës i Shqipërisë, flet për “Zërin”

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) i ka gëzuar të gjithë shqiptarët. Më në fund triumfoi drejtësia dhe kuqezinjve iu dha fitorja në tavolinë, e ndeshjes së ndërprerë ndaj Serbisë. E njëri prej atyre që iu gëzua më së shumti këtij vendimi ishte edhe përzgjedhësi i Kombëtares, Gianni De Biasi.

Trajneri italian, në një bisedë për “Zërin”, tregon se gjasat e Shqipërisë për t’u kualifikuar në “Euro 2016” janë shtuar, pas këtij vendimi, por insiston se edhe pa këtë fitore, skuadra e tij po shkonte në rrugë të mbarë.

“Pas këtij vendimi, kemi më shumë mundësi për kualifikim, sigurisht. Por, edhe më parë i kishim mundësitë tona për t’u kualifikuar, sepse nuk duhet harruar se ne, sot për sot e kemi një ndeshje më pak të zhvilluar në krahasim me ekipet tjera. Të tjerët i kanë bërë pesë ndeshje, ndërsa ne vetëm katër. Kështu që, ne na mbesin edhe katër ndeshje për t’i luajtur dhe i kemi mundësitë tona. Ato i kishim edhe para se t’i merrnim këto tri pikë”, theksoi De Biasi për “Zërin”.

“Sa për qind kemi mundësi të shkojmë në Francë? Nuk mund ta them përqindjen. Ajo që më intereson është që të mbetemi me këmbët në tokë dhe me përulësi t’u qasemi ndeshjeve që na kanë mbetur. Duhet ta japim 100 për qindëshin në aventurën tonë këtu”, vazhdoi trajneri italian.

DeBiasi1

Përcjell lojtarë të rinj

De Biasi njihet si trajneri që ka sjellë më së shumti talentë në ekipin shqiptar, nga mbarë Evropa. Ai e ka mbledhur “ajkën” e lojtarëve, duke e ndërtuar një skuadër solide, e cila po shkëlqen në kualifikime. Mirëpo, italiani nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq.

“Ne përcjellim në vazhdimësi lojtarë të rinj, të cilët mund të sjellin diçka të re, e mbi të gjitha lojtarë të rinj në moshë, të cilët mund të japin perspektivë në të ardhmen. E kemi një skuadër të lojtarëve, afro 35 sosh dhe sigurisht ne mundohemi të rritemi në këtë aspekt në vazhdimësi”, nënvizoi De Biasi, i cili nuk deshi t’i bëjë publikë emrat e lojtarëve të cilët i përcjell.

DeBiasi2

I gatshëm të vazhdojë me Shqipërinë

Ish-trajneri i Udineses tashmë është lidhur ngushtë me shqiptarët. Një pjesë e zemrës së tij flet shqip. Madje, atij i është dhënë edhe pasaporta shqiptare.

Prandaj, De Biasi as që po e mendon largimin nga Kombëtarja Shqiptare. Por, një herë për një herë, ai po punon që ta realizojë ëndrrën e madhe të krejt shqiptarëve – kualifikimin në një eveniment të rëndësishëm si Evropiani, shkruan Zëri.

“Nëse presidenti (Duka) dëshiron, unë do të vazhdoj ta udhëheq Shqipërinë. E kam një kontratë me Shqipërinë dhe nëse e arrijmë kualifikimin në Evropian, automatikisht do të vazhdoj të jem trajner i Shqipërisë”, përfundoi De Biasi.

Pas vendimit të CAS-it, Shqipëria gjendet në pozitën e dytë në Grupin I, me 10 pikë, sa ka edhe Danimarka, që është e treta. /Zëri/

DeBiasi3

Loading...