Mënyra se si duhet të sillemi ndaj islamit dhe se si duhet të mbrohemi nga terrorizmi ka hapur një debat jo të zakontë edhe në Shqipëri, dhe jo vetëm.

Në një “luftë” konceptesh dhe idesh kanë hyrë dy njerëz që shquhen për thellësinë e mendimit dhe forcën e argumentave, Ben Blushi dhe Veton Surroi.

I pari, Blushi shkroi pak ditë më parë enkas për Lapsi.al “Koha për të ndihmuar Islamin”.

Me pak fjalë shqetësimi i tij ishte se si duhen bindur të rinjtë myslimanë të Evropës të mos hedhin në erë shtëpitë dhe rrugët ku janë rritur, në emër të fesë së tyre.

Dhe zgjidhja që ofronte Blushi në shkrimin e tij qe një zbutje e mundshme e islamit dhe ndihma që perëndimi duhet të jepte për këtë. “Unë besoj se Islami mundet, nëse bindet”, klithte Blushi.

Po nga ana tjetër publicisti dhe shkrimtari Veton Surroi, pretendon se Blushi bën gabimin e të gjithë atyre që jetojnë larg islamit.

Në një përgjigje të tij të shkruar për Koha Ditore ai thotë: “Të vlerësosh se Islami shtyn në sulme terroriste në Evropë, në një këso krahasimi, ka të njëjtën peshë argumentuese (pa krahasuar dimensionin e shkatërrimit njerëzor) si të thuash se Krishterizmi është frymëzimi i Holokaustit. Sipas mendimit tim, në të dyja rastet kemi të bëjmë me paragjykim”, thotë Surroi.

Më pas ai hedh poshtë mundësinë që islami të vetëkorigjohet sepse ndryshe nga Katolikët që kanë Vatikanin apo ortodoksët që kanë patriarkanën e Stambollit, myslimanët nuk kanë një qendër që të reformojnë fenë e tyre.

Dhe së fundi po në replikë me Blushin, Surroi zbret edhe tek shqiptarët.

Ai mendon ndryshe nga Blushi se islami shqiptar (“I vetmi islam evropian i vërtetë”) nuk ka nevojë të ndihmohet për tu korrigjuar sepse së pari sipas Surroit ai i nënshtrohet shtetit sekular dhe së dyti se ai i nuk do t’i mbivendoset identitetit kombëtar.

Pikërisht për këto arsye Surroi e kundërshton fort tezën e Blushit se islami duhet të vetëreformohet dhe se kjo duhet bërë edhe me ndihmën e perëndimit.

Reflektimi i Surroit do të vazhdojë për 5 ditë me radhë.

Nesër ai do të flasë për katër mësimet që shqiptarët duhet të nxjerrin nga përballja me terrorizmin: “Shqiptarët nuk kanë ku të fshihen, siç nuk ka ku të fshihet asnjë popull që e konsideron veten pjesë të Aleancës perëndimore. Siç nuk ka ku të fshihet asnjë popull që nuk e konsideron veten pjesë të Aleancës perëndimore. Siç nuk ka ku të fshihet asnjë popull , çfarëdo që të jetë konsiderata për veten. Siç nuk ka ku të fshihet asnjë individ, pa marrë parasysh në do ta quajë veten pjesë të një populli, një besimi a një kundrimi politik. Terrorizmi i cili goditi sërish Parisin të premten e 13 nëntorit të vitit 2015 është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar, me pretendime të shtrirjes globale”. /lapsi.al/ 

Loading...