Maqedonia nuk përjashton mundësinë për ngritjen e gardhit me gjemba në kufirin me Greqinë prej nga hyjnë çdo ditë mijëra refugjatë, në kuadër të masave për shtimin e kontrolleve në kufi.
Mirëpo kjo do të ishte masa e fundit, në kuadër të aktiviteteve që po ndërmerren. Autoritetet e vendit, thonë se pas sulmeve terroriste në Paris, nuk mund të garantojnë siguri maksimale për qytetarët.
Drejtuesja e Qendrës për Menaxhim me Kriza në Shkup, Suzana Saliu, bëri të ditur se çdo ditë në Maqedoni hyjnë rreth 5000 refugjatë, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që në mesin e tyre të ketë të përfshirë edhe persona të dyshimtë.
“Në kushte kur në Maqedoni hyjnë rreth 5000 refugjatë në ditë, asnjëherë nuk mund të thuhet se siguria është maksimale, gjithmonë ekzistojnë mundësi për të hyrë dhe për tu infiltruar njerëz të ndryshëm në mënyrë ilegale apo me dokumente të falsifikuara. Domethënë, siguria e qytetarëve dhe institucioneve nuk është maksimale, prandaj ne po mundohemi ta forcojmë kontrollin nëpër vendkalimet kufitare”, thotë Suzana Saliu, qendra për menaxhimin e krizave në Maqedoni.
Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Bailey tha se edhe në këtë krizë nuk mungon bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe SHBA-ve. Duke folur për tragjedinë në Paris, Bejli tha se sulmet terroriste përbëjnë kërcënim për të gjithë njerëzit.
“Por, jam i bindur se do ta tejkalojmë këtë të keqe, do të vazhdojmë të luftojmë fuqishëm kundër terrorizmit dhe në të njëjtën kohë nuk do të harrojmë të shprehim keqardhje, mirëkuptim dhe ndihmë për njerëzit që mundohen të shpëtojnë nga lufta. Kjo është një sfidë e madhe dhe ne do të vazhdojmë të të punojmë me vendosmëri për ta tejkaluar atë”, shprehet Jess Bailey, ambasadori i SHBA-ve në Shkup.

Ambasadori Bejli shprehi kënaqësi për shkak se SHBA-ja  është një prej sponsorëve të konferencës së organizuar së bashku me Qendrën për menaxhim me kriza, me të cilën bashkëpunojnë tashmë 10  vite dhe e ndihmojnë procesin e vazhdueshëm të mësimit i cili është pjesë e çdo përgjigjeje ndaj krizave.

“Sulmet në Paris janë kanosje për të gjithë ne. Nevojitet koordinim, solidaritet dhe vendosmëri, por e di se do ta tejkalojmë këtë dhe do të vazhdojmë të luftojmë në mënyrë energjike kundër terrorizmit. Menaxhimi i krizave ka rol qendror në çdo qeveri, e cila  përgjigjet në kushte të përmbytjeve, tërmeteve, uraganeve dhe sulmeve terroriste. Menaxhimi i krizave për çdo person zyrtar të qeverisë është test se si qeveria përgjigjet, kompetenca e saj edhe këtu, në këtë rajon dhe në SHBA njerëzit presin përgjegjësi, për shkak se kur njerëzit janë të frikësuar, hutuar do t’u drejtohen qeverive të tyre”, tha Bejli.

 

Sipas të dhënave zyrtare, që nga fillimi i krizës nëpër Maqedoni kanë kaluar rreth 480 mijë emigrantë.
Menjëherë pas sulmeve në Paris, Këshilli i Sigurisë në Shkup ka obliguar Armatën e Republikës së Maqedonisë që të ndërmarre të gjitha masat e nevojshme për të shtuar kontrollin nëpër kufi, përfshirë edhe ngritjen e gardhin në kufirin jugor, në rast se vendet e Europës kufizojnë hyrjen e emigrantëve në territorin e tyre.

 

Loading...