Opinione

Deklarata e porositur!

Medai Shaholli

Gjithkush që ka lexuar Marrëveshjen e Ohrit e ka të qartë se gjuha shqipe dhe shqiptarët nuk citohen në  asnjë nga kapitujt e saj, por e dinë vetëm si e drejtë e përdorimit të gjuhës së bashkësive etnike e së paku 20% të përbërjes së saj në nivel lokal. Madje as neni 7 i kushtetutës së  Maqedonisë ku flitet për gjuhën zyrtare nuk e përmend fare emrin e bashkësisë etnike shqiptare dhe gjuhë shqipe

MEDAI SHAHOLLI

Liderët e tri partive (koalicioneve) politike shqiptare në Maqedoni përveç PDSH-së z.Thaçi , proklamuan se kanë nënshkruar një dekleratë të përbashkët të shqiptarëve në Maqedoni si: “Bashkimi Demokratik për Integrim”, “Koalicioni Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët”,përmes së cilës thuhet se koalicionet e sipërpërmendur dhe subjektet politike shqiptare  kanë rënë dakord të angazhohen  për prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni përmes frymës së Marrëveshjes së Ohrit.

Ja një fragment i angazhimit të tyre;

“Biem dakord për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë, në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe/ose në çdo mandat tjetër pasues:

Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën”.

Kjo dekleratë dhe ky angazhim i liderëve shqiptarë nuk është gjë tjetër veç se tekst i shkruar  dhe i kullandrisur nga kryeministri shqiptar Edi Rama, për “maqedonsit shqiptarë” (siç i quan rëndom Tirana zyrtare shqiptarët e Maqedonisë)për ta nënshkruar kapitullimin. Kjo deklaratë gjoja  e bashkimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni i angazhon ata të zgjidhin çështjen shqiptare përmes frymës së MO e cila i mbyt shqiptarët në moçalin e politikës antishqiptare të Shkupit. Këto këshilla të demoduara dhe vonuara së paku 25 vjet nga Tirana zyrtare, po  bëhen mbi kurriz të shqiptarëve për ta mbyllur njëherë e mirë çështjen shqiptare në këto treva si dhe për hir ruajtjes së paqës dhe stabilitetit në rajonin e trazuar të ballkanit .Këto xhevahire vijnë nga një kryeministër përfitues i rastit që  kërkon të luaj rolin e paternalistit  të çështjes shqiptare në mbarë trojet tona.

Kështu, soroisti  Edvin Rama  me këto veprime po e shpie çështjen shqiptare në kalendrat greke. Deklaratat për bashkim të faktorit politik shqiptar të bazuar në frymën e MO ,janë devijim i idealeve kombëtare për të cilat liderët shqiptarë janë zotuar se do t’i mbrojnë .

Gjithkush që ka lexuar Marrëveshjen e Ohrit e ka të qartë se gjuha shqipe dhe shqiptarët nuk citohen në  asnjë nga kapitujt e saj, por e dinë vetëm si e drejtë e përdorimit të gjuhës së bashkësive etnike e së paku 20% të përbërjes së saj në nivel lokal. Madje as neni 7 i kushtetutës së  Maqedonisë ku flitet për gjuhën zyrtare nuk e përmend fare emrin e bashkësisë etnike shqiptare dhe gjuhë shqipe.

Ja çfarë thotë kushtetuta, guri themeltar i rregullimit shtetëror në Maqedoni;

 

Neni 7

 

Në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.

Në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilat si shumicë jetojnë pjesëtarët e kombësive, në përdorim zyrtar krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik, janë edhe gjuha dhe alfabeti i kombësive në mënyrë të përcaktuar me ligj.

Në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilat në numër të konsiderueshëm jetojnë pjesëtarët e kombësive, në përdorim zyrtar krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik, janë edhe gjuha dhe alfabeti i kombësive, në kushte dhe në mënyrë të përcaktuara me ligj.

Ja pra si e rregullon me ligj kushtetuta e vendit përdorimin e gjuhëve të kombësive dhe mënyrën e saj të interpretimit që lë vend për dykuptimësi. Kjo dykuptimësi e qëllimshme e hartuar nga ekspertët maqedonas në nenin 7 të kushtetutës  interpretohet sipas  apetiteve të juristëve maqedonas .Liderët shqiptarë si  Ahmeti,Sela dhe Kasami vazhdojnë të ushqejnë edhe mëtej iluzionin se në frymën e MO do ta zyrtarizojnë gjuhën shqipe.Me MO shqiptarët e Maqedonisë kanë nënshkruar kapitullimin.Nuk mund të thuhet se nënshkruesit e MO ishin aq naivë në politikë të mos dinin se çfarë të drejta u garantonte kjo marrëveshje  siç ishin z.Xhaferi dhe z.Imeri ,por nga presioni ndërkombëtar dhe i Tiranës zyrtare për ta nënshkruar një dokument kornizë që nuk avanconte pozitën shqiptare veç asaj në nivel lokal, ata pranuan skllavërinë për hir të paqes  dhe stabilitetit të rajonit.

 

Aprovimin për atë kornizë paçavure që barazonte shqiptarët me kombësitë e tjera të papërfillshme në vend e miratoi me kënaqësi edhe z.Ahmeti ,nga strofkullat e tij si komandant i përgjithshëm i UÇK-së. A ishte ky ideali i luftëtarëve të UÇK-së, për të cilët kishin kapur armët  për liri apo për të firmosur një letër të zverdhur tashmë në sirtarët e ministrit përkatës për zbatimin dhe implemetimin e saj që i trajtojnë shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë?!

Dhe vjen një kohë tjetër tani tre liderët kryesor të partive shqiptare  si Ahmeti,Sela dhe Kasami pretendojnë se do ta të kushtëzojnë Gruevskin dhe Zaevin me mospjesëmarrje në qeverinë e koalicionit. Naivitet apo demagogji kjo do të qartësohet pas gjashtë muajve të punës së qeverisë së koalicionit. Blloku maqedonas e di shumë mirë se  kushtetuta nuk mund të ndryshojë pa patur mbi 80 vota, gjë që asnjë koalicion nuk i ka. Veç kësaj ,nuk ka vullnet politik për ta ndërruar ato nene që duhet të barazojnë gjuhën shqipe me maqedonishten.

Blloku maqedonas nuk ka gatishmëri për t’i bërë këto ndryshime në kushtetutë jo vetëm nga qëndrimi dhe disponimi antishqiptar i derisotëm i tyre por dhe i mbarë popullatës maqedonase kur është fjala për barazi nacionale .

 

Ndaj për të qartësuar opinionin shqiptar duhet thënë me zë të lartë se,  për të arritur barazinë mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk është pengesë kushtetuta, por disponimi antishqiptar dhe refuzimi kategorik në bllok i të gjitha çështjeve të hapura, si fobi e humbjes së kontrollit dhe funksionimit të shtetit unitar maqedonas.

Si Gruevski dhe Zaevi e dinë shumë mirë se kë kanë në tavolinën e bisedimeve për formimin e qeverisë së ardhshme. Përshtypja e parë që krijohet për  faktorin politik  shqiptar i cili do të marrë pjesë  në bisedime  për krijimin e qeverisë së re është se, ata shquhen tashmë për fleksibilitet dhe pavendosmëri në këtë  çerek shekulli pluralizmit politik kur është në pyetje ndarja e pushtetit ,për pasojë ata do të dorëzohet dhe do të pranojë kulaçin e pushtetit që në ofertën e parë, dhe kështu do t’i harrojnë deklaratat e bujshme për zyrtarizim të gjuhës shqipe dhe statusin politik.

 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top