Demiri flet si kuqezi:Ja si më pritën në Kombëtare dhe si e përjetova fitoren ndaj Izraelit….

Besir Demiri është një nga tre futbollistët e grumbulluar rishtaz në Kombëtare. 24-vjeçari nga Maqedonia, që më herët ka luajtur edhe për U-21 dhe kombëtaren A të Maqedonisë, tashmë ka veshur fanellën kuq e zi, duke realizuar një ëndërr.

 

Mbrojtësi i krahut të majtë, që aktualisht luan për Mariupolin në ligën e parë të futbollit në Ukrainë, synon debutimin në ndeshjen ndaj Skocisë, ndonëse paraqitja e shkëlqyer e Egzon Binakut, i vështirëson pak gjërat.

 

Gjithsesi në Kombëtare nuk ka hatërmbetje, pasi të gjithë vijnë për një qëllim, të jenë gati kur trajneri i kërkon. Telesport zhvilloi një intervistë me mbrojtësin e krahut të majtë, për të mësuar më shumë rreth grumbullimit të tij me Shqipërinë.

 

Demiri tregon se ftesa i ka shkuar nga Menaxheri i Kombëtares, ndërkohë që me urdhër të trajnerit Panucci  i është kërkuar të bëj pasaportën shqiptare. Ai rrëfen se në momentin që ka marrë ftesën nuk ka hezituar kurrsesi për të pranuar. Kështu veshi fanellën kuq e zi, ndërsa grumbullimi i tij i parë është dyfish emocionues edhe për shkak të fitores ndaj Izraelit.

 

 

 

-Besir përshëndetje. Fillimisht do të dëshiroja t`ju pyesja për ftesën në Kombëtare. Si e morët ftesën për t`u grumbulluar me Shqipërinë?

 

-“Po unë kisha zhvilluar ndeshje me Maqedoninë U-21 por dhe me kombëtaren e Maqedonisë 2 ndeshje zyrtare dhe drejtuesit e federatës e kanë ditur këtë gjë. Por pasi më kanë kontaktuar asnjëherë nuk mund t`i thoja jo ftesës që më bënë drejtuesit e Kombëtares”

 

-Si e pritët momentin që ju kontaktuan dhe mund të na zbuloni kush ju ftoi për të luajtur me ekipin Kombëtar?

 

-“Së pari më ka kontaktuar Menaxheri i Kombëtares, duke e ditur se nuk kisha pasaport shqiptare më tha që me urdhër të trajnerit duhet sa më shpejt të kryejmë punën e dokumentacionit”

 

-Si ju pritën në kombëtare pasi erdhët këtu?

 

-“Me të vërtetë jam shumë i kënaqur me pritjen që më ka bërë ekipi, duke filluar nga futbollistët më të vjetër dhe besoj shumë shpejt do jem përshtatur me gjithë ekipin fal ndihmës së tyre”

 

-Si u përjetua fitorja ndaj Izraelit? Çfarë ndodhi pas ndeshjes?

 

-“Ishte ndeshje me shumë emocione për mua. Që nga fillimi i ndeshjes e deri në sinjalin e fundit të saj, bashkëlojtarët bënë ndeshje perfekte. Jam i gëzuar për këtë sigurisht. Pas ndeshjes ishte gëzimi i madh i të gjithëve dhe besoj të ketë përfunduar aty, pasi ajo ngelet në histori dhe na pret ndeshja e rradhës shumë shpejt”

 

-Prisni që të aktivizoheni në ndeshjen ndaj Skocisë?

 

-“Natyrisht unë gjithmonë jam gati që të luaj, por trajneri bën zgjedhjet dhe duhet respektuar, pas këtu jemi ekip kombëtar dhe besoj secili prej nesh ka këtë mendim”

 

-Ndërkohë nesër luhet ndeshja ndaj Skocisë, çfarë synonin në këtë sfidë?

 

-“Ishte shumë e rëndësishme t`a nisim me fitore dhe ja arritëm qëllimit. Ndërsa tani ndeshja  me Skocinë, pas fitores së parë rritet vetëbesimi, që të bëjmë ndeshje të mirë dhe të marrim rezultat. Kështu mund të arrijmë qëllimin tonë për të fituar këtë grup”

 

 

 

-Ju keni luajtur më herët me Maqedoninë. Mund të na tregosh se çfarë ndryshimi ka të luash për  dy përfaqësuese?

 

-Me Maqedoninë U21 kemi pasu rezultate historike duke u kualifikuar në Europian. Kam zhvilluar mbi 20 ndeshje por ndjenja tani që jam pjesë e Kombëtares (Shqipërisë), e them lirisht, nuk përshkruhet dhe nuk barazohet duke pasur parasysh faktin që është vetëm grumbullimi im i parë me Kombëtaren.

 

-E qartë. Ka shumë talente shqiptar në Maqedoni, te Shkëndija apo Shkupi, çfarë duhet  bërë më mirë, që këta talentete të luajnë për Shqipërinë dhe jo për Maqedoninë?

 

-“Po  secili shqiptar në Maqedoni e ka ëndërr të luajë me Kombëtaren. Thjesht duhet të ndiqen dhe të afrohen sa më shumë talentete që të jetë e mundur. Kështu do të rritet konkurrenca dhe në këtë mënyrë mund të kemi rezultate më të mëdha”

 

-Ju kuptoj. Ndërkohë ndalemi pak te karriera juaj. Aktualisht ju po luani në Ukrainë te Mariupol. Si po ecën ekipi”

 

-“Po aty jam që nga janari 2018. Gjysëm sezoni kaluar shkoi shumë mirë dhe në fund arritëm të kualifikohemi në Ligën e Europës. Këtë sezon kemi filluar duke u përqëndruar më shumë në Ligën e Europës. Arritëm deri në raundin e tretë ku u mundëm nga ekipi i Bordeux. Në kampionat nuk kemi pasur rezultate për faktin që ishim të përqëndruar në Ligën e Europës. Tani pas ndeshjeve të kombëtareve do të fokusohemi vetëm në kampionat dhe besoj se do bëjmë mirë”

 

-Synoni edhe këtë sezon të arrini Ligën e Europës, duke pasur parasysh se jeni në vendin e gjashtë ne renditje?

 

-“Këtë sezon synimi i klubit është që të renditemi në vendin e 3-të, që të kualifikohemi drejtpërdrejtë në grupet e Ligës së Europës. Do të shohim si do të rrjedhin gjërat”

 

-Dhe e fundit, e ardhmja në Ukrainë apo synoni klube të tjera të mëdha?

 

-“Deri tani jam pjesë e Mariupol dhe kontrata ime është deri në qershor 2019. Tani për tani dua të bëj mirë këtu dhe nëpërmjet kësaj të arrij synimet kryesore që të jem pjesë në një ndër kampionatet më të forta të Evropës.

Loading...