Nga, Abdulla Mehmeti

Shkatërrimi i OBRM-PDUKM (VMRO-DPMNE) nga brenda, apo dënimi nga jashtë, është i pashmangshëm, nëse kjo parti nuk tranformohet urgjentisht dhe sipas standardeve demokratike evropiane.

Partinë OBRM-PDUKM siç ka vepruar deri më sot, e ka zënë mallkimi i qytetarëve dhe i historisë për krimet e saj të derisotme ndaj qytetarëve të vendit, ndaj shtetit dhe sidomos ndaj shqiptarëve.

Tani, me faljen e disa deputetëve të saj nga kryeministri Zaev, për dënimet lidhur me ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar, me kusht që ata t’i votojnë ndryshimet e reja kushtetuese sipas Marrëveshjes së Prespës, kjo parti do ta merr goditjen më të rëndë të mundshme deri më sot.

Deputetët e kësaj partie, nëse i votojnë këto ndryshime me kusht për faljen dhe amnestimin e tyre për veprat kriminele, do të fitojë shteti dhe qytetarët, por do ta ngulfatin nga brenda këtë parti; edhe nëse nuk i votojnë këto ndryshime dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, kjo parti do të bëjë vetëvrasje, sepse do të përballet me krizë të brendshme dhe dënim nga faktori ndërkombëtar.

Në të dyja rastet, Maqedonia do të shkojë përpara në rrugën e saj evropiane, ndërsa kjo partia bashkë me filozofinë e saj politike shoviniste, jodemokratike, kundërevropiane dhe kundërshqiptare, nëse nuk arrin të transformohet me kohë dhe në masë të mjaftueshme, do të shkojë në histori si një e kaluar politike e hidhur që i ka sjellë vetëm dëme dhe fatkeqësi vendit dhe qytetarëve të tij.

(15 tetor 2018)

Loading...