Sulmet me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës të deputetëve të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës kundër kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit të Kosovës mund të cilësohen si vepër penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, sipas nenit 128 të Kodit Penal.

Neni 128 i Kodit Penal, i cili përfshin dhunën ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës, thotë se kushdo që me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës, pengon një apo më shumë nga personat e saktësuar në nenin 126 të këtij Kodi në ushtrimin e detyrave zyrtare apo i detyron të kryejnë apo të mos kryejnë ndonjë veprim nga fushëveprimi i detyrave të tyre, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.
Personat e saktësuar në nenin 126 të Kodit Penal janë:

• Kryetari i Republikës së Kosovës;
• Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës;
• Kryeministri i Republikës së Kosovës;
• Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
• Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës ose
• Kryeprokurori i Shtetit të Republikës së Kosovës.

Nëse kryerja e veprës penale nga nenet 121 dhe 128 rezulton në vdekjen e një apo më shumë personave, rrezikon jetën e një apo më shumë personave ose nëse vepra përcillet me dhunë të rëndë ose shkatërrim në shkallë të madhe apo edhe nëse vepra ka rrezikuar sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Republikës së Kosovës, atëherë kryesi i veprës dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Në rastin e deputetëve të dhunshëm të Kuvendit të Kosovës mund të argumentohet se veprat e tyre janë përcjellë me dhunë të rëndë dhe si pasojë e kësaj dhune është rrezikuar edhe siguria ekonomike e vendit, meqë disa prej investitorëve prezentë është raportuar se po i shqyrtojnë mundësitë që të tërhiqen prej investimeve të planifikuara në Kosovë.

Gjithashtu, në paragrafin V, veprimet e deputetëve të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës për Kosovën mund të cilësohen edhe si terrorizëm. Me Kodin Penal, qëllimi i veprimeve të tyre është që të detyrojnë një organ publik, Kuvendin e Kosovës, përkatësisht Qeverinë e Kosovës, që të ndërmarrin veprime të caktuara të motivuara politikisht dhe përmes këtyre veprimeve janë duke destabilizuar strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas nenit 135 të Kodit Penal, terrorizëm, veprim terrorist apo vepër e terrorizmit është kryerja e një ose më shumë veprave penale të mëposhtme me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë, të detyrimit të padrejtë të një organi publik, qeverisë apo organizatës ndërkombëtare për të kryer ose për të mos kryer ndonjë veprim, apo që seriozisht të destabilizojë ose të shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës, të një shteti tjetër apo të një organizate ndërkombëtare.

Ndërsa, pika 1.3 e këtij neni, përfshin edhe sulmin, sulmin me lëndim të lehtë trupor dhe sulmin me lëndim të rëndë trupor në shkelje të neneve 187-189 të këtij Kodi. Mbi këtë bazë, mund të cilësohet si i tillë edhe sulmi me gaz lotsjellës dhe hedhja e mjeteve tjera në drejtim të deputetëve dhe personelit të sigurimit gjatë seancave dhe gjatë protestave jashtë Kuvendit.

Ndërkaq, pika 1.7. përfshin edhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, zjarrvënia apo djegia ose shpërthimi nga pakujdesia në shkelje të neneve 334 ose 365 të këtij Kodi. Gjithashtu, si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm mund të cilësohen edhe demonstratat e dhunshme dhe trazirat jashtë Kuvendit.

Për më tepër, edhe pika 1.8., e cila përfshin shkatërrimin, dëmtimin ose heqjen e instalimeve publike apo rrezikimin e trafikut publik në shkelje të neneve 129, 366, 378 ose 380 të këtij Kodi mund të shërbej si bazë ligjore për gjykimin e demonstruesve të dhunshëm për trazirat jashtë Kuvendit.

Kurse, posedimi dhe përdorimi i gazit lotsjellës mund të gjykohet duke u bazuar në pikën 1.9., e cila përfshin furnizimin, transportimin, prodhimin, këmbimin ose shitjen e paautorizuar të armëve, eksplozivit ose armëve nukleare, biologjike ose kimike, të cilat janë shkelje të neneve 176, 369 ose 372-377 të këtij Kodi.

Më tej, pika 1.10. sqaron edhe përvetësimin e paautorizuar, mbajtjen në pronësi, kontroll, posedim ose përdorim të armëve, eksplozivit ose armëve nukleare, biologjike ose kimike, ose hulumtimet për ose ndërtimi i armëve biologjike ose kimike në shkelje të neneve 176, 369 ose 372-377 të këtij Kodi.

Gazi lotsjellës cilësohet si armë dhe sipas Kodit Penal të Kosovës, neni 120, pika 38, armë nënkupton çdo send ose vegël të punuar me qëllim që nën presionin e gazrave, të cilat lirohen gjatë djegies së materieve shpërthyese, elektrike, gazrave nën presion ose energjisë tjetër potenciale, hedhë predha në formë të një plumbi të vetëm, grumbulli prej saçmash, gazi, lëngu, shigjete ose përbërësish të tjerë, që krijohet dhe përdoret për të shkaktuar lëndime trupore ose dëm fizik, qoftë edhe psikologjik, si dhe secili send tjetër, qëllimi kryesor i të cilit është kryerja e sulmit fizik ndaj integritetit fizik të njerëzve ose ndaj pasurisë. Armë po ashtu përfshin municionin, pjesët dhe përbërësit e armëve, si dhe armët nukleare, biologjike dhe kimike. Armë në këtë kuptim janë edhe armët që përdoren për shpërndarjen e gazit irritues.

Përdorimi i mjeteve shpërthyese që lirojnë gaz lotsjellës plotësojnë kushtet e cekura më sipër dhe cilësohen si armë, sepse lirojnë gaz, i cili përdoret për të shkaktuar lëndime trupore dhe psikologjike.

Prokuroria e Shtetit ka bazë të mjaftueshme ligjore për t’i gjykuar veprimet e opozitës dhe nga përgjegjësia juridike për këto vepra penale, mund të përjashtohen vetëm rastet kur bazuar në nenin 18, dëshmohet se kryesi i këtyre veprave penale përballet me paaftësi mendore dhe aftësi të zvogëluar mendore.

Loading...