Deputetët e rrisin luksin, shpenzojnë 21 mijë euro më shumë

Kuvendi i Kosovës edhe më tej vazhdon të kritikohet për shpenzimet që po bënë. Shpenzimet për këtë tre mujor në krahasim me tre mujorin e parë të kësaj legjislature (tetor – dhjetor 2017) janë rritur për 20,933.28 euro ose shprehur në përqindje 53%.

Artan Murati nga KDI, thotë se shumat e shpenzuara për dreka dhe karburante janë më të larta në krahasim me zhvillimin e përgjithshëm ekononomik në vend.

Ai vlerëson se Kuvendi i Kosovës duhet të tregoj kujdes të shtuar në menaxhimin e parasë publike, dhe të mos krijoj shpenzime të panevojshme.

“Kuvendi i Kosovës ka rritur trendin e shpenzimeve, sidomos për udhëtime jashtë vendit, ndonëse në praktikë ende nuk kemi hasur në rezultate konkrete pozitive në kuadër të politikës së jashtme. Për më tepër, konsideroj që shumat e shpenzuara për dreka e karburante janë shumë të larta në krahasim me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në vend.”, ka thënë Murati në një prononcim për Indeksonline.

Sipas tij, mungesat e shpeshta të kuorumit si dhe mosefikasiteti në punë shpeshherë kanë krijuar përceptimin tek qytetarët se deputetët janë shumë të interesuar për mëditjet e tyre e më pak për punë.

“Sesioni vjeshtor do të jetë shumë i ngarkuar me punë për Kuvendin, andaj fokusi i deputetëve dhe i Kuvendit në përgjithësi duhet të jetë në funksionalizimin e institucionit më të lartë në vend, e assesi të prodhohen lajme për shpenzime të paarsyeshme.”, ka theksuar ai.
Murati konsideron se Kuvendi duhet të sigurohet për rezultate konkrete të punës, dhe jo vetëm të vizitave pa ndonjë rezultat konkret.

“Është mëse e kuptueshme se Kryesia, deputetët dhe pjesa tjetër e stafit të Kuvendit kanë edhe obligime shtetërore që kërkojnë udhëtim jashtë vendit, dhe ato duhet përmbushur, mirëpo Kuvendi duhet të sigurohet edhe për rezultate konkrete të punës, jo vetëm realizim të vizitave pa ndonjë rezultat konkret.”, ka shtuar ai.

Loading...