Deputetët shqiptarë pak debatojnë më shumë dëgjojnë

Instituti për demokraci “Socieatas Civilis”, në drejtim të zhvillimit dhe përmirësimit të kulturës politike dhe bashkëjetesës në mes të ndryshmëve, ka analizuar pjesëmarrjen e deputetëve shqiptarë në punën e Kuvendit, gjatë mandatit të kaluar, shkruan gazeta Lajm.

Sipas analizës së Institutit për demokraci në periudhë prej qershorit 2014 në maj 2015, 1926 diskutime ishin bërë nga deputetët maqedonas, ndërkaq vetëm 280 diskutime nga deputet shqiptarë, respektivisht 85% të diskutimeve u dominuan nga deputetët maqedonas, 12% nga shqiptarët dhe 3% nga etnitetet tjera.

“Trendi i njëjtë vërehet edhe në raportin e fundit (prill 2016- qershor 2016) aktivizimi i deputetëve maqedonas është rritur në 91%, derisa shqiptarët kanë marrë pjesë me vetëm 7% nga diskutimet në Kuvend. Deputetët shqiptar më të zëshëm kanë qenë në diskutimet për integrimin e vendit në BE. Në diskutimet në lidhje me Raportin për aktivitetet e realizuara nga programi nacional për miratimin e të drejtës së BE-së, 50% nga diskutimet ishin inicuar nga deputetët shqiptar. Tema tjera ku kanë qenë aktiv shqiptarët ishin tema për politikat e gjuhës. Deputetët e PDSH-së më së shpeshti janë fokusuar në debatin  për buxhetin e shtetit. Deputetët shqiptar minimalisht ose aspak nuk janë përfshirë në tema për: sport, mbrojtje të fëmijëve, sigurim social, shëndetësi, raporte të organeve shtetërore, sigurim pensional, seanca për pyetje të deputetëve, kod penal, komision për verifikimin e fakteve, etj. Gjatë periudhës së analizës, në seancat për pyetje të deputetëve aktiviteti i shqiptarëve ishte minimal. Në periudhën e parë (qershor 2014- maj 2015), kanë marr pjesë vetëm me 13% të diskutimeve. Në periudhën e dytë (1 shtator 2016- 30 nëntor 2015) në tre seancat  për pyetje të deputetëve, deputetët shqiptar kanë qenë aktiv vetëm 5% nga diskutimet. Në periudhën e tretë (1 dhjetor 2015- 7 prill 2016) ato ishin aktiv vetëm 3%. Në periudhën e fundit është analizuar vetëm një seancë ku në rend dite ishin pyetjet e deputetëve dhe për dallim nga herat tjera, deputetët shqiptar kanë qenë aktiv në 19% të diskutimeve”, shkruhet në analizën e Institutit.

Është shumë me rëndësi aktivizmi i deputetëve në Kuvend, sepse diskutimet ndihmojnë në vendimet racionale.

“Replikat dhe kundër-replikat janë shumë faktor relevant në zhvillimin e diskutimeve në mes deputetëve. Deputetët e etniteteve të ndryshme duhet të kycen në diskutime për të përplasur argumentet e tyre”, thuhet më tutje në analizë.

“Në 50% të rasteve në Parlamentin e Maqedonisë, deputetët aspak nuk i pranuan argumentet e oponentëve të tyre, kurse në 43% të rasteve aspak nuk ju referuan argumenteve.”, tha Jane Dimeski nga Instituti.

Dimeski vlerëson se mungesa e argumenteve ka bërë që debatet në Parlament të bazohen në sulme ndaj personalitetit të deputetit oponent.

“Në 4% të rasteve në Parlamentin e Maqedonisë është respektuar personaliteti i deputetit oponent edhe përskaj mungesës së kundër-argumenteve ndaj tij, kurse në 39% të rasteve pothuajse fare nuk është treguar respekt ndaj personalitetit edhe nëse kanë munguar argumentet. Mosrespektim i plotë ndaj personaliteti të deputetit oponent është vërtetuar në 6% të rasteve, me çka deputetë kanë përdorur gjuhë ofenduese ndaj tyre”, deklaroi Dimeski.

Kryetarët e dy partive politike në Kuvend, PDSH-së dhe BDI-së, duhet më shpesh të marrin pjesë në Kuvend me çka ata e lehtësojnë rrugën e deputetëve tjerë, nga partitë e tyre, të jenë më aktiv në Kuvend, rekomandojnë nga Instituti.

“Inkurajojmë deputetët shqiptarë që të marrin më shumë pjesë në diskutime, të angazhohen më shumë dhe t’i përfaqësojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, në një mënyrë që të përfshihen të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësisë etnike”, theksoi Vlora Reçica nga Instituti për demokraci “Socieatas Civilis”.

Analistët: Përbërje parlamentare më pasive nuk ka pasur ndonjëherë

Pasivitetin e deputetëve e kanë potencuar edhe njohësit e rrethanave politike në vend dhe gazetarët që nga afër e kanë përcjellur punën e Kuvendit.

Gazetari Mefail Ismaili për redaksinë tonë thotë se nga Deputetët shqiptar të përbërjes së kaluar shqiptare mund të themi se kanë qenë më pakë produktiv se cila do përbërje tjetër prej kur vendi hyri në pluralizëm.

“Këtë e bazoj duke iu referuar aktivitetit të tyre që kanë pasur deri para zgjedhjeve parlamentare. Nga 20 deputet që i ka pasur BDI vetëm dy ose tre prej tyre kanë qenë aktiv dhe atë në raste të caktuara, kur është dashur vetëm të mbrojnë interesin e tyre personal, partiak ose por të devijojnë vëmendjen e opinionit nga ndonjë çështje konkrete e cila do ti nxirrte ato dhe partinë e tyre në pozitë të vështirë. Puna më e madhe që kanë pasur këto deputetët gjatë mandatit ka qenë vetëm të nënshkruhen se janë prezent në seanca sa për të arsyetuar rrogën që e marrin por edhe paratë për udhëtim, të atyre që kanë banuar jashtë Shkupit. Edhe kjo bazohet në atë se gjatë gjithë mandatit nuk kanë mbajtur asnjë diskutim, asnjë replikë ose kundër replikë. Ose, po të kenë ndonjë propozim ligj që vjen personalisht nga ato, e jo nga Qeveria. Ndërsa pak më të zëshëm kanë qenë deputetët e PDSH-së. Vetëm në momentet kur ka pasur raste shumë ekstreme dhe ku kanë mundur që të bëjnë më shumë propagandë në interes të partisë së tyre”, tha Ismaili për gazetën Lajm.

Sipas tij, sa i përket kontaktit me mediat, thuajse 95 përqind të rasteve të gjithë deputetët shqiptarë të përbërjes së kaluar kanë qenë të heshtur.

Analisti politik Selim Ibraimi vlerëson se deputetë me pasivë se në përbërjet e fundit parlamentare nuk ka pasur ndonjëherë.

“Janë përfaqësuesit më pasivë dhe populli nuk i njeh sepse janë zgjedhur mbi baza të interesit partiak -klanorë.Një problem tjetër që duhet analizuar është ,mënyra e votimit pra e sistemit të zgjedhjes së deputetëve në Maqedoni.Paralelisht zëri i deputetëve nuk ka prezentuar kërkesat e votuesëve shqiptarë por të kastës partiake dhe liderit i cili ka bërë pazare në dëm të qytetarëve shqiptarë.Në vitete e 90-ta deputetët e përbërjes parlamentare PPD-PDP dhe më vonë ishin mjaft aktivë dhe opinioni i njihte mirë.Sot pas 2002 votuesit i njohin vetëm dy apo tre eksponentë partiakë të rrethit të ngushtë të partisë. Në fakt kjo lë hapësirë për korrupsion dhe paraqitje të dobët të interesit shqiptar në Parlament”, vlerësoi Ibraimi.

“Për më shumë, zëri i dobët i deputetëve shqiptarë i shkon përshtati liderëve politikë dhe cilësohen si “makineri votuese”.Nuk më kujtohet që në përbërjen e fundit ndonjë deputetë shqiptarë të dalë në foltore dhe të rëfuzojë ndonjë propozim të partisë prej nga buron fuqia e tij si deputet.Andaj nuk pres që edhe në përbërjen e fundit diçka të ndryshojë”, përfundon Ibraimi.

Loading...