Të shtunën (ora 15:00) pritet të jetë festë futbolli në stadiumin e qytetit në Tetovë, pasi do të luhet derbi i madh i qytetit mes Shkëndijës dhe Renovës.

Kapitenët e të dyja skuadrave, Armend Alimi (Shkëndija) dhe Fisnik Nuhiu (Renova) janë përgjigjur në pesë pyetje tona.
Të dy presin një ndeshje të bukur dhe pa tensione.

Çka pritni në derbi?

Alimi: Derbi si derbi të jep motivin e vet për të dhënë gjithcka nga vetja dhe unë besoj që ne do të jemi të aftë për të menaxhuar gjërat në favorin tonë dhe pa mos lejuar të na kaplojë ndonjë emocion se është derbi ose dicka tjetër, është një ndeshje si krejt të tjerat që na sjell tre pikë dhe ne do të futemi me koka të ftohta në lojë për të dhënë  më të mirën që të arkëtojmë tre pikët e dëshiruara.
Nuhiu:Në derbi presim një ndeshje kualitative nga dy skuadra, të cilat duan të luajnë futboll dhe ku favorit është Shkëndija.

Cila është përparësia e Shkëndijës/Renovës?

Alimi: Duke respektuar në maksimum ekipin e Renovës që ka skuadër cilësore, për të cilët ne kemi respekt dhe konsideratë, mirëpo mendoj se në këtë moment përparësia e Shkëndijës është cilësia, sepse jemi kampion në fuqi, jemi ekip që tre vite me radhë e bëjmë rezultate edhe në Europë, dhe këtë duhet ta dëshmojnë në terren, normal asgjë nuk garantohet para kohe duhet të japim më të mirën në fushë dhe të arsyetojmë rolin që thash se cilësia është në anën tonë, por kuptohet përparësia e Shkëndijës në raportë me kundërshtarët është mbështetja e publikut që kemi.

Nuhiu:Nuk mendoj se Renova ka ndonjë përparësi në këtë ndeshje përveç ndoshta presioni psikologjik që ka Shkëndija, sepse vjen nga dy rezultate jo të mira në kampionat.

Çka mund ta vendos fituesin e derbit?

Alimi: Fituesin në derbi do ta vendos koncentrimi dëshira për të fituar, grinta në terren, dhe qetësia para portës kundërshtare dhe para portës tonë. E para për të shënuar dhe e dyta për të ruajtur portën të paprekur. Unë besoj se në të gjithë këto parametra ne jemi të aftë për të qenë në nivel më të lartë se kundërshtari dhe pres që takimi të na takoj neve.

Nuhiu: Mund të ndodh që derbin ta vendos ndonjë potez individual apo ndonje gabim, por më e rëndësishmja ëështë dëshira e madhe për rezultat pozitiv.

A pritni tensione ose spektakël në derbi?

Alimi:Jo assesi nuk mendojmë për tensione, është ndeshje futbolli si gjithë të tjerat dhe nuk është se do të hyjmë të luftojmë. Do të dalim në fushë që secili të jap më të mirën për ekipin e tij dhe në fund do t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit për të uruar skuadrën që do të fitojë takimin besoj me meritë në një ndeshje që do të kënaq edhe spektatorët që do të jenë në tribuna.

Nuhiu:Nuk presim tensione në ndeshje, sepse nuk ka arsye të ketë tensione, por presim një ndeshje ku do të ketë futboll të mirë.

Çka mendoni për futbollistët e Renovës/Shkëndijës?

Alimi: Janë futbollistë cilësorë, një grup lojtarësh që disa vite luajnë bashkë. para se gjithash janë njerëz të mirë, ku pjesën më të madhe i kemi miq jashtë terrenit. Respektohemi mes vete sepse jemi sportistë dhe duhet të japim një imazh para të rinjve që te ne shohin shembullin se si duhet të jenë në të ardhmen. Në këtë drejtim të dyja palët jemi të kujdesshëm, mirëpo kjo përfundon kur të fillojë ndeshja dhe atëherë është një garë ku secili jep gjithcka nga vetja për të fituar takimin. Besoj se në fund do të jemi ne ata që do ti gëzohemi fitores.

Nuhiu: Shkëndija ka në radhët e saj futbollistë shumë kualitativ në të gjitha repartet, të cilët e kanë dëshmuar vetën dhe vazhdojnë të dëshmohen. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që mos t’ju lejojmë hapësira, sepse mund lehtë të na dënojnë.

Loading...