Deri më 20 qershor, harxhimet në restorante do t’i publikojnë edhe drejtorët

Krahas kryeministrit dhe ministrave të Maqedonisë, harxhimet nëpër restorante, në uebfaqe të institucioneve të caktuara do t’i publikojnë edhe drejtorët dhe kjo duhet të bëhet më së voni deri më 20 qershor, bëri të ditur ministri për Komunikime, Transparencë dhe Llogaridhënie, Robert Popovski, transmeton Portalb.mk.

“I kemi obliguar drejtorët dhe zëvendësdrejtorët të ndërmarrjeve publike, organeve të pavarura shtetërore, personat fizik me autorizime shtetërore, shoqatat aksionare dhe organet në përbërje të ministrive, të cilat përafërsisht janë 50 në numër, se hyjnë në shkallën e dytë të zgjerimit instrumentit për transparencë. Deri më 20 qershor duhet të publikojnë informacionet. Por duhet ta them edhe njëherë, që përskaj raporteve financiare të rëndësishme janë edhe raportet përshkruese të secilit funksionar”, tha Popovski.

Ministri për Komunikime, Transparencë dhe Llogaridhënie, Robert Popovski
Ministri për Komunikime, Transparencë dhe Llogaridhënie, Robert Popovski

Popovski edhe njëherë njoftoi se ky instrument do të zgjerohet edhe në funksionarë të pushteti lokal dhe gjyqësor.

“Qëllimi është që ky instrument të zgjerohet edhe në bartës të funksioneve të pushtetit lokal, pushtetit legjislativ, pushtetit gjyqësor, që do të thotë të gjithë funksionarët që harxhojnë paratë e popullit”, tha Popovski.

Megjithëse është caktuar data 20 qershor, anashkalimi i kësaj date, sipas asaj që u sqarua nga ministri Popovski nuk pasohet me sanksione për drejtorët. “E rëndësishme se ka vendim qeveritar dhe harxhimet duhet të publikohen në uebfaqe”, tha Popovski.

Përndryshe, në dhjetëditëshin e fundit të muajit mars të vitit 2018 në uebfaqe të Qeverisë së Maqedonisë u publikuan harxhimet të bëra në restorante të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministrave tjerë të Qeverisë LSDM – BDI. Ajo çfarë u pa se krahasuar me garniturën paraprake, kemi zvogëlim të shpenzimit të parasë së qytetarëve edhe pse instrumenti pati lëshime në futjen e të dhënave.

Loading...