Drenushë Ramadani është 23-vjeçare. Fëmijërinë e saj ajo e kaloi në fshatin Krushë e Vogël, në Komunën e Prizrenit, ku në vitin 1999, forcat paramilitare ia vranë babanë.

Deri me sot për këtë vrasje nuk është dënuar askush.

“Unë vij prej fshatit Krushë e Vogël dhe dihet se masakra ka qenë shumë e madhe dhe prej 113 të vrarëve janë gjetur shumë pak persona. Ka ende të pagjetur. Institucionet e Kosovës gjatë kësaj periudhe kanë bërë shumë pak”.

“Krejt çka mund të bëjnë institucionet është që të kujdesën për fshatin që të mos harrohet ajo, qoftë me u kujtesë që t’i gjejnë të pagjeturit, qoftë për fëmijët e atyre të vrarëve që shumë pak janë kujdesur, si në kohën e pasluftës kur ata kanë qenë vegjël, si tash”, thotë Drenusha për Radion Evropa e Lirë.

Ditën kur u vra babai i Drenushës, në këtë fshat u vranë 113 persona. Drenusha beson pak tek institucionet, mirëpo mbetet me shpresë se ato do të jenë në gjendje t’i gjykojnë vrasësit një ditë.

“Nuk e di. Institucionet e Kosovës edhe 19 vjet pas luftës nuk kanë bërë gati asgjë, por besoj se dikur do të vendoset drejtësia dhe se do të përmirësohen shumë, si në hetime, si në gjithçka tjetër edhe do të zgjidhen shumë raste të të vrarëve në luftë”, thotë ajo.

Derisa Drenusha mbetet me shpresë se një ditë do të ndëshkohen vrasësit e babait të saj, vetë zbulimi i krimeve të luftës po vështirësohet çdo ditë e më shumë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thotë se me kalimin e kohës po zbehen dëshmitë dhe po vdesin dëshmitarët.

“Gjasat secilën herë janë më të vogla që t’iu ofrohet drejtësi viktimave për shkaqe ndër më të ndryshmet, por një ndër shkaqet janë që edhe dëshmitarët, mosha e bënë të vetën. Ne i kemi qysh tani disa dëshmitarë, pra të mbijetuar që tani nuk janë në jetë, kanë vdekur dhe provat e tjera zbehen pra. Është shumë më e vështirë që të procedohen lëndët për krimet lufte, njëzetë vjet pas këtyre krimeve”, thotë Blakaj.

Blakaj thotë se me vet faktin pse ka kaluar kaq shumë kohë, vet dëshmitë e dëshmitarëve mund të ndryshojnë nga ato që ishin dhënë më parë.

Sipas tij, dëshmitarët “pa vetëdije i inkorporojnë në kujtesën e vet rrëfimet e dhëna nga të tjerët dhe pastaj provat e tyre para një gjykate nuk janë shumë kredibile”.

“Është në shpërputhje me një deklaratë që kanë dhënë shumë vite më parë ose me deklaratat e të tjerëve (dëshmitarëve të tjerë)”, thotë Blakaj.

Krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga mekanizma të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, mirëpo pati shumë pak aktvendime dënuese.

Mijëra vrasje, masakra dhe dhunime mbesin të pazbuluara edhe sot.

Përveç numrit të madh të të vrarëve, të zhdukur mbesin ende mbi 1600 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet gjë.

Loading...