Dështon takimi i parë i grupeve të punës mes partive

Dështon takimi i parë i grupeve të punës, në kuadër të përmbushjes së marrëveshjes politike. VMRO-ja është tërhequr me arsyetimin pse gazetarët kishin marrë vesh vendin e takimit, megjithatë duket se arsye shtesë është mungesa e ministrit të jashtëm Popovski, dhe dinamika e mbajtjes së takimeve. Zëvendëskryetarja e LSDM-së Shekerinska dënoi ashpër bojkotin, duke thënë se VMRO-ja kërkon t’i shmanget zgjedhjeve korrekte. Tani LSDM vendos për hapat e mëtejshëm.

Shumë probleme që në fillimin e grupit të punës, që duhet të implementojë detajisht marrëveshjen e 2 qershorit dhe protokollin e 15 korrikut. Takimi i parashikuar të mbahej sot në orën 16:00 në Klubin e Deputetëve u prolongua vetëm gjysmë orë përpara fillimit, me kërkesë të VMRO DPMNE-së. Sipas LSDM-së, përfaqësuesit e VMRO DPMNE-së e kanë arsyetuar prolongimin me udhëtimin e Nikolla Poposkit në Bruksel, edhe pse dihej prej kohësh që ministri i jashtëm po qëndron atje për vizitë. Arsye tjetër e VMRO DPMNE-së ka qenë pamundësia për të zhvilluar 2 takime në javë, ndërsa nuk u ka pëlqyer as fakti që mediat e kanë mësuar kohën dhe vendin e mbajtjes së takimit. LSDM-ja thotë se sjellja e tillë e oponentëve politik dëshmon se kryeministri Nikolla Gruevski i ka frikë zgjedhjet korrekte dhe demokratike.

“U bë e qartë se Nikolla Gruevski ka frikë nga zgjedhjet korrekte dhe demokratike. U bë e qartë se Gruevski ik nga implementimi i marrëveshjes dhe ikë nga ballafaqimi me të vërtetën… Sjella e tillë e VMRO DPMNE-së, sjellja e tillë e Nikolla Gruevskit për ne është e papranueshme. Këtë ua themi sot opinionit vendas, këtë do t’ia themi sot edhe faktorit ndërkombëtarë”

LSDM-ja do të vendos sonte për pozicionet e saja në rast se VMRO DPMNE vazhdon të blejë kohë për të mos përmbushur marrëveshjen. Në takimin e planifikuar për sot, të parin në këtë nivel, duhej të diskutohej për pastrimin e listës zgjedhore dhe gjetja e formës më të mirë për krijimin e një liste sa më të saktë, si dhe ndryshimi i normave ligjore që kanë të bëjnë me zgjedhjet.

Loading...