Maqedoni

Deskoska: Libra dhe kuadër mësimor për arsim cilësor të pjesëtarëve të bashkësive

deskoska

Sigurimi i librave adekuat mësimor për bashkësitë të cilat janë më pak se 20 për qind në Maqedoni dhe tejkalim i praktikës dhjetëvjeçare të gjuhës boshnjake si eksperimentuese në mësim. Tashmë është formuar grup i punës në MASH i cili i dha rekomandimet e veta të para dhe tani është në hap Byroja për zhvillim të arsimit për t’i parashtruar planet mësimore, të cilat duhet të miratohen në ministri dhe të fillojë realizimi.

Këtë sot e kumtoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska në debatin për avancimin e realizimit të të drejtave të pjesëtarëve të bashkësive të cilat janë më pak se 20 për qind e popullatës. Ai e theksoi angazhimin e saj dhe të Qeverisë për sigurim të arsimit cilësor në gjuhën e bashkësive, që u takon sipas Kushtetutës dhe ligjeve.

“Ndërtimi i kuadrit adekuat mësimor është një ndër sfidat më të mëdha sepse ne mund të vendosim gjithçka në letër, mund të përkthehen apo shkruhen librat më të mirë, por nëse nuk keni kuadër adekuat i cili atë do ta efektuojë në mësim, atëherë me të vërtetë kemi problem”, tha Deskoska. Potencoi se nevojitet ndryshim i konceptimit dhe kthim i lëndëve të cilat kanë të bëjnë me mësimin e gjuhës dhe kulturës së bashkësive etnike, pa marrë parasysh nëse ka apo nuk ka mësim në gjuhën e tyre.
Ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski potencoi se kultura e bashkësive më të vogla është pasuri e madhe dhe meriton respekt dhe vëmendje. Ai foli për Drejtorinë për afirmimin dhe avancimin e kulturës së pjesëtarëve të bashkësive në Maqedoni e cila funksionon si organ në përbërje të Ministrisë së Kulturës prej vitit 2003. Për shkak të legjislaturës së papërpunuar, Drejtoria ende nuk ka status të personit juridik, nuk ka buxhet të vetin, nuk mund të jetë bartëse e projekteve.

Zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Aleksandar Bajdevski potencoi se bazë për planifikim të përfaqësimit të pjesëtarëve të bashkësive në nivel qendror dhe lokal janë të dhënat nga regjistrimi i fundit i bërë i popullatës në Maqedoni, ai i vitit 2002. Sipas tij, gjatë kohë nuk ka pasur regjistrim në Maqedoni dhe se ai është i domosdoshëm.

Ai informoi se në institucionet e sektorit publik turqit janë të përfaqësuar me 1,61 për qind, serbët me 1,15 për qind, romët me 1,10 për qind, boshnjakët me 0,45, vllehët me 0,43 dhe të tjerë të cilët nuk janë deklaruar janë rreth 0,82 për qind.

Debatin e organizoi Misioni i OSBE-së në Shkup në bashkëpunim me Agjencinë për realizim të të drejtave të bashkësive.

To Top