Prokurorisë Speciale Publike duhet t’i vazhdohet mandati dhe t’i jepen sektorët të ri për ndjekje. Kështu thotë ish-gjykatësi Dane Iliev, duke komentuar reformat në gjyqësor të parapara në planin 18. Sipas tij, Speciales duhet të i vazhdohet mandati dhe t’i jepet si kompetencë shtesë ndjekja e krimit të organizuar, sektor ky në të cilin Iliev thotë se Prokuroria Themelore ka dështuar.

Unë që nga fillimi kam thënë që PSP duhet të mbetet me kompetencat e saja, por të shkëputet pjesa për krimin e organizuar nga Prokuroria Publike që deri më tani është treguar jo efikas, me keqpërdorime të majme, kështu që ajo kompetencë të kaloj tek Prokuroria Speciale. Në këtë mënyrë, Prokuroria Themelore do të merr formë dhe kompetenca të reja se si të ndjek korrupsionin, krimin dhe të tjera”- theksoi Dane Iliev, ish gjykatës.

Profesori Qebir Avziu thotë se Specialja duhet të funksionojë si organ në vete, duke ndjekur shembullin e Sllovenisë dhe Kroacisë. Ai vlerëson se prokurorët e Speciales duhet të trajnohen me qëllim që veprat eventuale penale të funksionarëve, të identifikohen me kohë.

Është e nevojshme që përkrah Prokurorisë themelore të funksionojë edhe Prokuroria Speciale sepse kjo e fundit do të trajnohet dhe do të edukohet që në mënyrë efikase të luftojë veprat penale kundër korrupsionit dhe sidomos do të fokusohet në veprat penale të kryera nga zyrtarët e lartë të shtetit. Deri tani ne nuk kemi pasur një institucion të kësaj natyre”- tha Qebir Avziu , profesor Universitar.

Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska gjatë prezantimit të planit 18, tha se ekzekutivi po mendon në dy drejtime për fatin e Prokurorisë Speciales Publike, vazhdimi i mandatit dhe t’i jepet kompetencë për ndjekjen e korrupsionit, nëse për këtë pajtohet edhe opozita ose e njëjta të vazhdojë punën vetëm me ndjekjen e korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Varianti jonë, është që PSP-në ta bëjmë organ jetëgjatë që do e vazhdojë fillimisht detyrën që e ka tani për tani, por të i shtohet edhe një kompetence shtesë. Gjithsesi kjo mbetet të konsultohet ndërsa për variantin tjetër, do të shohim eventualisht nëse nuk ka vullnet politik për vazhdimin e aktiviteti eventual të PSP-së, në këtë rast të merret kompetenca tjetër, pra ndjekja e korrupsionit”- theksoi Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.

Jozyrtarisht mësohet se dikasteri i drejtësisë do të propozojë ndryshimin e nenit 22 të Ligjit për Prokurorinë Speciale, me të cilin aktualisht këtij Institucioni i pamundësohet që të nis hetime të reja. Afati për ngritjen e padive për lëndët që dalin nga bisedat e përgjuara, Speciales i përfundoi më 1 korrik të vitit 2017, por Specialja ka vazhduar punën me hetimet për keqpërdorime. PSP ka ngritur 20 aktakuza për 18 raste ndaj 94 personave.

Loading...