Edhe një ish shef tjetër i shërbimit sekret është dërguar prapa grilave me 30 ditë të shqiptuara paraburgim. Vlladimir Atanasovski, është ish drejtori i DSK-së të cilin disa prej të akuzuarve për 27 prillin, e treguan si një prej organizatorëve të ngjarjeve të përgjakshme në Kuvend, dhe menjëherë pas deklaratave të bindshme të të akuzuarve, prokuroroja Villma Ruskovska reagoi dhe për të kërkoi paraburgim 30 ditor. Atanasovski ngarkohet me veprën penale “bashkim me qëllim të veprimit armiqësor”, për çka sipas Kodit Penal, parashikohet dënim minimal prej katër vjetësh.

Gjykata e pranoi propozimin pasi Ruskovska kishte arsyetuar në mënyrë të qartë, rreziqet nga arratisja e tij.Prokurorja Villma Ruskovska pas shqiptimit të paraburgimit, në një deklaratë për media theksoi se ka kërkuar arrestimin e Atanasovskit për shkak të mundësisë për arratisje, për ndikim tek dëshmitarët dhe përsëritjes së veprës penale.

Villma Ruskovska, prokurore

“Kam kërkuar paraburgim duke arsyetuar se i dyshuari, si ish drejtor i DSK-së ka shumë shokë në vend dhe rajon. Por edhe faktin që i kërcënohen të paktën katër vite burg. Këto janë arsye të mjaftueshme që ai të arratiset. Ndikimi tek dëshmitarët ose shkatërrimi i provave mund të ndodhë përsëri për shkak të postit të tij në të kaluarën. Ai nuk është më drejtor i DSK-së por si ish drejtor ende ka ndikim tek një pjesë e të punësuarve në DSK dhe jashtë. E kemi parasysh se ende ka protesta të qeta, sikurse kishte gjatë 27 prillit dhe që u përshkallëzuan dhe shndërruan në dhunë”

Avokati i ish shefi të shërbimit sekret pohon se kërkesa e prokurorisë për paraburgimin nuk është mjaftueshëm e mbështetur në fakte dhe për këtë vazhdimisht ata detyrohen të ankohen para Gjykatë Evropiane në Strazburg.

Vlladimir Apostollski, avokat

“Atanasovski  një vit e gjysmë nuk është më drejtor i DSK-së. Po të kishte patur atë qëllim, qëmoti do të ishte arratisur, do të kishte ndikuar tek dëshmitarët ose do të shkatërronte prova…Mendoj se prokuroria po bën shumë gabim kur po u beson aq shumë njerëzve të cilët rrezikojnë burg të përjetshëm”

Hetimet pritet të zgjerohen edhe me persona të tjerë, që i përmendën të akuzuarit gjatë deklaratave të tyre. Javën tjetër duhet të përmbyllen edhe fjalët përfundimtare dhe pastaj të caktohet datë për verdiktin.

Dy vëllezërit Stefan dhe Mihaill Mlladenovski, ishin të parët që në mënyrë direkte treguan se ishte planifikuar 27 prilli dhe kush ishin organizatorët. Vëllezërit treguan me qartësi se si planin e 27 prillit e kishte përgatitur dhe zbatuar ish-shefi i shërbimit sekret, së bashku me të akuzuarin Aleksandar Vasilevskin – Ninxha dhe ish agjentin  e arratisur Nikolla Boshkovski.

Vladimir Atanasovski ishte emëruar shef i DSK-së, pas dorëheqjes së Sasho Mijallkovit në vitin 2016. kur filluan dhe hetimet për dhunën në Parlament. Atanasovski aktualisht ishte i angazhuar si këshilltar për çështjet e sigurisë në kabinetin e kryetarit të partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski.

Teksa gjykimi për 27 prillin po merr hov, pushteti së bashku me disa deputetë të VMRO-së, po përgatisin ligj për amnisti të një kategorie personash të cilët akuzohen për përfshirje në dhunën e 27 prillit.  Pesë deputetë të VMRO-së janë në listën e të akuzuarve. Pritet që do të falen ata të cilët ishin pjesë e turmës që hyri me forcë në parlament, deputetët e akuzuar gjithashtu, por jo organizatorët dhe ata të cilët ushtruan dhunë të drejtpërdrejtë. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

 

Loading...