Dhunë në spitalin psikiatrik Bardovcë. Ndonëse nga spitali mohojnë, megjithatë, një 20-vjeçar nga Kumanova thotë se është rrahur nga dy mjekë.

“Duke dalë jashtë, pash që nënën time doktorët e kishin kapur zvarrë për krahu dhe e kanë nxjerrë jashtë. Kur ma nxorën nënën jashtë, mua mi mbyllën dyert dhe aty e pash që m’janë afruar të gjithë doktorët, dhe doktori i pari më ra me boks këtu. Kur doktori më ra me boks, unë duke dashur ta mbroj veten, më janë sulur të gjithë, çfarë kanë qenë aty, edhe drogaxhinjtë, mafiozët edhe mjekët, më kanë rënë me grushte, me shqelma deri sa më kanë bërë tërë gjak” pohoi V.A.

Edhe pasi e kanë lidhur, V.A. pohon se një nga mjekët ka ushtruar dhunë mbi të dhe e ka fyer. E ëma e të riut mendon se kjo ka qenë përpjekje për t’ia marrë atij sendet me vlerë.

“Djalin ma kanë kapur vetëm sepse me vete ka pasur ar dhe para, që ta trullosin djalin dhe t’ia marrin. Por se ma sjellin djalin deri në këtë gjendje, unë këtë nuk e lë me kaq! Ta çosh fëmijën në rregull e ta marrësh të masakruar, kjo është… “ deklaroi e ëma e V.A.

Nga spitali psikiatrik i mohojnë këto pretendime. Personi në fjalë është sjellë në spital në gjendje të rëndë akute-psikotike, me sjellje agresive dhe lëndime thotë Qamil Kovaçi, drejtor i spitalit psikiatrik.

“Pacienti në fjalë është sjellë me lëndime trupore. Pas qëndrimit diku 16 orë në spital dhe dhënies së terapisë adekuate që të arrijmë sa do pak ta qetësojmë pacientin, është marrë iniciativa që të dërgohet diku tjetër që të bëhet tretmani i lëndimeve trupore. Do me thënë pacienti është sjellë me lëndime trupore” deklaroi drejtori i Spitalit psikiatrik Bardovcë, Qemal Kovaçi.

Kovaçi gjithashtu mohon kontaktin e V.A me pacientë të tjerë. Megjithatë asnjë nga këto nuk mund të dëshmohet me pamje sepse në dhomën ku është pranuar pacienti nuk ka kamera të sigurisë. E vetmja dëshmi mbeten raportet e mjekëve. Në to shkruhet se pacienti në spital është çuar me lëndime, ndërsa me vete nuk ka pasur gjëra me vlerë. E ëma e V.A na tha se rastin e kanë paraqitur në stacionin policor në Karposh. Por zyrtarët policor të këtij stacioni nuk e kanë regjistruar rastin.

“Pas kryerjes së kontrolleve të rastit për të cilin pyetët, është konstatuar se janë bërë lëshime në veprimet e zyrtarit policor, e për këtë ndaj tij do të ndërmerren masa e nevojshme” njoftuan nga MPB-ja.

Me ose pa fakte, çdo paraqitje që bëhet nga qytetarët, duhet që të regjistrohet në polici, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur në rastin e V.A. Ministria e Brendshme nuk na dha informacione më të detajuara se pse rasti në fjalë nuk figuron aty ku familjarët e pacientit e kanë paraqitur. Megjithatë TV21 nga burime të tij mësoi se zyrtarët policorë nuk e kanë regjistruar paraqitjen. Ata vetëm i kanë udhëzuar familjarët e V.A që rastin ta paraqesin në Sektorin për Punë të Brendshme në Kumanovë./TV21

Loading...