Diplomat edhe në shqip, por me kushte

Me nenin 155 të Ligjit për arsim të lartë, propozohet që diplomat, suplemenetet, indekset, legjitimacionet dhe vërtetimet të lëshohen në gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe, Por për këtë ka disa kushte

Laura PAPRANIKU

Shkup, 5 prill – Me ndryshimet ligjore në sferën e arsim të lartë, respektivisht me miratimin e Ligjit të ri që pritet të ndodh së shpejti në Maqedoni, do të mundësohet ndarja – por jo edhe pa problem e diplomave në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA. Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindorë në Tetovë (UEJL) ka vite që e bëjnë një gjë të tillë, mirëpo çdo herë duke ju dashur të kërkojnë mbështetje të tjera ligjore, kryesisht duke u thirrur në statutet e universiteteve të tyre, si dhe duke u dashur të sigurojnë leje nga ministrat e Arsimit.

Jashtë vullnetit institucional dhe shfrytëzimit të së drejtës për autonomi universitare, që në instanca të fundit për UT-në dhe UEJL-në, përbëjnë përgjegjësi morale, studentët shqiptarë të universiteteve tjera nuk mund ta pretendonin një diplomë në gjuhën shqipe.

Tani e tutje, për diploma të cilat do të shkruheshin edhe në gjuhën maqedonase edhe në gjuhën shqipe – mund të shpresojnë edhe studentët e Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup. Sikurse dihet, UKM është universiteti i vetëm publik që krahas UT-së dhe UEJL-së, ka programe studimore në gjuhën shqipe.

Edhe pse të limituara vetëm në kuadër të programeve të Fakultetit Pedagogjik “Klimenti i Ohrit” dhe Katedrës të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në përfundim të studimeve të gjithë pajiseshim me diploma vetëm në gjuhën maqedonase. Përdorimi i shqipes nuk mund të vinte në shprehje as në dokumente tjera të vlefshme gjatë viteve të studimit. Kjo, sepse Ligji për arsim të lartë nuk e përfshinte fare përdorimin e shqipes (gjegjësisht gjuhës të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës) si mundësi përdorimi në dokumentet që lëshohen nga institucionet e arsimit të lartë.

Nëse neni 155 i Propozim-ligjit për arsim të lartë mbetet i pandryshuar deri në momentin e nxjerrjes së Ligjit të ri, diplomat, suplementet e diplomave, indekset, legjitimacione, vërtetimet dhe çdo dokument tjetër që është në përdorim të institucioneve të arsimit të lartë, do të mund të nxirret në gjuhën shqipe, por duke e pasur të detyrueshme që të njëjtat të jenë të shkruara edhe në gjuhën maqedonase.

“Diplomat dhe suplementet e diplomave për pjesëtarët e komuniteteve që flasin gjuhën zyrtare të ndryshme nga maqedonishtja dhe, e flasin të paktën 20 për qind e popullatës e të cilët mësimin e zhvillojnë në gjuhën zyrtare të ndryshme nga maqedonishtja, jepen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik dhe në gjuhën dhe shkrimin e komunitetit, nëse kështu është e caktuar me Statutin e universitetit”, thuhet në paragrafin 9 të këtij neni.

Në një paragraf më lartë (8) thuajse i njëjti formulim është për vërtetimet, legjitimacionet e studentëve dhe indekseve. Pra, e parë në aspektin e mundësisë, Ligji i ri pritet të avancojë të drejtën e përdorimit të shqipes deri në dokumente si diploma dhe suplementi i saj, por jo edhe të mundësojë përdorimin e obligueshëm. Sepse, që kjo të ndodh në UKM, ka disa kushte. E para, studimet duhet të organizohen në gjuhën shqipe, që do të thotë se e drejta e shqipes në diplomat e UKM-së nuk mund të shkojë përtej Fakultetit Pedagogjik dhe Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup. E dyta, që të nxirren diploma edhe në gjuhën shqipe në këto dy institucione duhet që paraprakisht të jetë siguruar statusi i gjuhës zyrtare dhe kushti i tretë, mbase edhe më i rëndësishëm – është që përdorimi i gjuhës të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës të jetë i lejuar me Statusin e UKM-së.

E thënë ndryshe, Ligji i ri i arsim të lartë (çdo herë nëse kalon varianti i Propozim-ligjit që kaloi fazën e parë të leximit në Parlament) pritet t’i hap rrugë përdorimit të shqipes në diplomat universitare, por jo edhe të rregullojë ligjërisht përkormin e shqipes në institucionet e arsimit të lartë. Për librat amë, të cilat konsiderohen dokumentet me vlefshmëri afatgjate dhe, për të cilat është shkruar një nen i veçantë (159), nuk parashihet mundësia e përdorimit të gjuhës shqipe. (koha.mk)

Loading...