Diplomatët presion Ali Ahmetit që të kërkojë falje për koalicionimin me Gruevskin?!

Diplomatët perëndimorë ende dyshojnë për ekzistimin e bashkëpunimit të fshehur mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, njoftojnë burime diplomatike. Sipas tyre, ndërkombëtarët janë të frikësuar se ky bashkëpunim i fshehur mund të rezultojë me skenarë destabilizues në prag të anëtarësimit të vendit të NATO.
“Ata janë të frikësuar se pas anëtarësimit në NATO mund ta humbin tërë kapitalin e fituar përmes malverzimeve”.
“Në BDI ende është e fuqishme rryma e afërt me VMRO-DPMNE-në. Kjo rrymë nuk ka përkrahje të madhe te anëtarësia, por fuqia e saj buron nga kapitali i akumuluar gjatë qeverisjes së përbashkët me VMRO-DPMNE-në. Jemi të brengosur se kohën e fundit vërehet afrim i sërishëm i kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti me rrymën e VMRO-DPMNE-së në BDI”, kanë thënë burime diplomatike për disa portale ndërkombëtare në gjuhën shqipe.
Këto burime diplomatike kanë theksuar se po bëhet presion i hatashëm ndërkombëtar që kryetari i BDI-së Ali Ahmeti të kërkojë falje publike për koalicionimin 10 vjeçar me VMRO-DPMNE-në, por Ahmeti ka refuzuar një gjë të tillë.
Të njëjtat portale nuk kanë arritur të sigurojnë qëndrim zyrtar nga BDI lidhur me këto deklarime të diplomatëve perëndimorë.

Loading...