Graforizëm

Disa anekdota nga dijetarët e lashtë

Illustration of Pythagora and his followers discovering the harmony of the universe

Njëherë një pasanik mendjemadh kishte vendosur një lajmërim te dera e shtëpisë së tij: “Këtu të mos hyjë asnjë budalla”.
Diogjeni i tha: – Po ti, si do të hysh?!

* * * * * *
Kur filloi gjyqi, njëri nga gjykatësit i tha Sokratit:
– Ki mendjen, duhet t’i peshosh mirë fjalët që do të thuash këtu.
Sokrati ia priti me ironi:
– Do t’i peshoj, po të më jepni peshoren tuaj të drejtësisë, por dyshoj se ju mungon!

* * * * * *
Një mjek i ri e pyeti mjekun e famshëm, Hipokratin:
– Ç’parime duhet ta frymëzojnë mjekun në ushtrimin e profesionit të tij?
Hipokrati iu përgjigj:
– Ta ushtrojë profesionin me urtësi, thjeshtësi e pastërti. Kur të hyjë në shtëpinë e të sëmurit, të thellohet në dhënien e diagnozës dhe të mos pranojë asnjë ryshfet. Të ketë parasysh se ai do ta ushtrojë profesionin gjatë, kurse jeta është e shkurtër…

* * * * * *
Hipokrati, mjeku i famshëm i lashtësisë, kur po dergjej në shtratin e vdekjes, u tha atyre që e rrethonin:
– Po vdes i qetë pasi lashë tre mjekë të zotë.
Të pranishmit, të habitur, e pyetën:
– Si nuk i dimë edhe ne? Cilët janë këta?
Dhe Hipokrati vazhdoi: – Uji, dielli dhe ajri.

* * * * * *
Pranë një limani, doganierët e pyetën Diogjenin se ç’pasuri kishte me vete, ndaj dijetari grek u thotë:
“Shënoni: Kam drejtësinë, edukatën, vullnetin dhe guximin.”
Atëherë doganierët torollakë ia kishin kthyer me vrull: ”Mos janë skllevërit e tu?”.
“Jo, janë padronët e mi”, – ua ktheu Diogjeni.

* * * * * *
Seneka përball Neronit.
Filozofi Seneka ia përplasi në fytyrë të vërtetën perandorit Neron. Një senator që e dëgjoi i tha:
– Si nuk ke frikë nga një njeri para së cilit dridhet e tërë bota?
– Më mirë preferoj të vërtetën me rrezik, – iu përgjigj Seneka, – se sa lajkat që vrasin ndërgjegjen.

* * * * * *
Një ditë Dionisi, tirani i Sirakuzës, e pyeti Diogjenin: – Në rast se në njërën anë të një peshoreje është vendosur paqja dhe në anën tjetër drejtësia, ti çfarë do të preferoje?
– Paqen, – i tha Diogjeni.
– Kurse unë do të preferoja drejtësinë, – e sqaroi tirani.
– Dhe Diogjeni ia priti: – Dihet, çdo njeri kërkon atë që i mungon…

* * * * * *
Dionisi, tirani i famshëm i Sirakuzës, kishte frikë nga urrejtja e popullit dhe tek çdo njeri shikonte një armik.
Një ditë, duke dashur të luajë me top, hoqi rrobat dhe ia dha shpatën një djaloshi, të cilin e donte shumë. Një kushëri i tij, për të bërë shaka, i tha:
– Atij ia paske besuar jetën tënde?
Djaloshi qeshi nga kjo e thënë. Atëherë Dionisi i dënoi të dy me vdekje: të parin se i tregoi djaloshit rrugën e vrasjes, të dytin sepse me qeshjen e tij miratoi ç’ka tha ai.

* * * * * *
Dionisit, tiranit plak të Sirakuzës, kur i ra në vesh se një njeri kishte parë ëndërr sikur e kishte mbytur atë, urdhëroi t’ia sillnin përpara e i tha:
– Në qoftë se nuk do ta kishe menduar ditën të më vrisje, as natën nuk do ta kishe ëndërruar këtë gjë.

* * * * * *
Në Romën e lashtë, një mjek dhe një avokat në shenjë respekti për njëri-tjetrin, nuk po vendosnin dot kush të hynte i pari dhe t’ia lëshonin radhën shoku-shokut.
Oratori Ciceron që i pa, u tha duke treguar me gisht avokatin:
– Më parë duhet të hyjë kusari, xhelati duhet t’i shkojë nga pas.

* * * * * *
Gjatë një darke në shtëpinë e një skllavopronari athinas, një shërbëtor kishte vjedhë një gotë ari dhe si dënim, do të ekzekutohej. Të nesërmen sheshi ishte mbushur plot me kureshtarë.
– Përse janë mbledhur tërë këta njerëz? – pyeti një qytetar.
Dhe Diogjeni e sqaroi:
– Kusarët e mëdhenj kanë dënuar me vdekje një kusar të vogël…

* * * * * *
Një tregtar skllevërish do shkonte nga një qytet në tjetrin dhe skllevërit do t’i transportonin tërë plaçkat. Kush mori në kurriz krevatin, kush mori tryezën, kush mori karrigen… secili mundohej të merrte peshën më të lehtë.
Njëri prej tyre rrëmbeu një thes të rëndë. Që të gjithë e tallën, por ai kishte bërë me mend se thesi ishte mbushur me bukë të caktuar për t’u ngrënë rrugës. Kështu që çdo ditë lehtësohej pesha… Dhe pas një jave, ndërsa të tjerët zvarritnin këmbët, ky skllav ecte serbes me thesin bosh. Ai ishte Ezopi, fabulisti i famshëm grek që jetoi në shekullin VII e të VI para erës së re.

* * * * * *
Nxënësi i Sokratit, Alqiviadhi (452-404), bleu një qen shumë të shtrenjtë dhe ia preu bishtin.
– Pse ia preve, – e pyeti një shok. – Tërë Athina flet për bishtin e qenit.
– Pikërisht, prandaj ia preva, – iu përgjigj Alqiviadhi, – që të merren me bishtin e qenit dhe të më lënë mua rehat.

To Top