Kulturë

“Documenta 14” me imazhe nga falja e gjakut në Kosovë

auto_DOKUMENTA1491811087 (1)

Prishtinë, 10 prill- Artisja shqiptare që jeton në Londër, Lala Meredith-Vula, ka ekspozuar në Athinë, pesë fotografi të serisë “Blood Memory” (Kujtesë gjaku), që pasqyrojnë tubimet e faljes së gjakut të mbajtura në Kosovë. Me fotografitë bardhezi, ajo është bërë pjesë e ekspozitës “Documenta 14”, që përfshin vepra të rreth 160 artistëve nga e gjithë bota.

Shumica prej tyre prekin çështje që kanë të bëjnë me vlerat, identitetin dhe migrimin. E hapur të shtunën mbrëma në kryeqytetin grek, ekspozita e titulluar ““Learning from Athens” (Mësoni nga Athina), e ka angazhuar si këshilltar kuratorial artistin kosovar, Erzen Shkololli. Ekspozita prestigjioze e artit bashkëkohor, që mbahej për çdo pesë vite në Kassel të Gjermanisë, prej këtij viti është shtrirë edhe në Greqi dhe ka marrë vëmendje të madhe të mediave botërore.

Në ueb faqen e edicionit të 14-të të “Documenta” është publikuar lista me emrat e artistëve pjesëmarrës, ndër të cilët edhe Meredith-Vula. Aty është dhënë edhe një përshkrim për punën e saj.

“Roli i vetë Meredith-Vulës si dëshmitare ishte transformuar, kur më 1990, ajo mësoi për planet e pajtimit të gjaqeve në rajonin ku ajo kishte fotografuar grumbujt me sanë. Duke lënë përkohësisht mënjanë fascinimin e saj me skulpturat rurale, ajo kishte kthyer vëmendjen kah tubimet e qindra njerëzve, të bëra me urdhër të folkloristit e akademikut shqiptar, Anton Çeta, të cilat në mënyrë ceremoniale u jepnin fund vrasjeve hakmarrëse që kishin vazhduar me shekuj të tërë, duke paralizuar komunitetet. Pa qenë direkt e përfshirë në konflikte, por duke folur rrjedhshëm shqip, ajo ka mundur të ofrohet tek një situatë më tepër sesa gazetarët e huaj”, ka shkruar Monika Szewczyk për fotografitë e serisë së artistes me prejardhje nga Kosova.

Gazeta prestigjioze amerikane, “New York Times” në një artikull për “Documenta” ka shpjeguar sesi më 2013-n kuratori Adam Szymczyk kishte propozuar një transformim radikal të ekspozitës prestigjioze bashkëkohore që mbahej për çdo pesë vjet në Kassel të Gjermanisë. Dhe kjo ishte ndarja e ekspozitës për herë të parë ndërmjet vendit ku kishte zënë fill, Gjermanisë dhe Athinës.

Ekspozita në Athinë do të mbetet e hapur deri më 16 korrik, ndërsa në Kassel nga 10 qershori deri më 17 shtator

To Top