Dodik: Nuk do ta lejojmë Pacollin që të hyjë në Bosnjë

Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, ka dënuar vizitën e paralajmëruar për këtë javë në Bosnjë të ministrit të jashtëm të Kosovës Behgjet Pacollit, për një takim të bashkëpunimit rajonal.
Presidenti serb i Bosnjës, Milorad Dodik ka thënë se vizita e paralajmëruar e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli në Banja Llukë, për mbledhjen e të mërkurës të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, SEECP, nuk është e pranueshme.

“Republika Srpska nuk dha pëlqimin që Bosnja të njohë të ashtuquajturin ministër të Kosovës të shtetit të rremë, i cili nuk mund të pranohet në Republika Srpska”, tha Dodik të hënën.

SEECP është një strukturë rajonale bashkëpunimi, e nisur nga shtetet e rajonit në një iniciativë bullgare në vitin 1996 dhe takimi i kësaj jave është pjesë e aktiviteteve të saj të rregullta.

Ministri i Jashtëm boshnjak, Igor Crnadak konfirmoi se Pacolli do të shkonte në Banja Llukë me pëlqimin e Serbisë.

“Përfaqësuesi i të ashtuquajturës Kosovë, do të marrë pjesë në procesin e bashkëpunimit, sipas marrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës dhe me pëlqimin e Beogradit,” tha Crnadak të dielën.

Bosnja dhe Kosova kanë marrëdhëniet më të varfra dypalëshe në Ballkanin Perëndimor. Ato kanë barriera serioze për të udhëtuar dhe tregtuar midis dy vendeve, me kërkesat reciproke për viza, së bashku me mungesën e misioneve diplomatike në Sarajevë dhe Prishtinë.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Serbia u zotua të mos njohë kurrë shtetësinë e ish-krahinës së saj, por të gjitha republikat e tjera ish-Jugosllave, përveç Bosnjës, ku politikanët e serbëve të Bosnjës e kundërshtojnë fuqishëm këtë ide, prej atëherë e kanë njohur atë.

Mlladen Ivaniq, anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, shpreson se takimi do të kontribuojë në normalizimin e situatës politike pavarësisht nga periudha parazgjedhore që ngadalë po hun vendi.

“Këto janë takime të rëndësishme si për Banja Llukën ashtu edhe për Bosnjën, e cila po bëhet ngadalë një qendër e iniciativave diplomatike”, tha Ivaniq të hënën për agjencinë e lajmeve të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, FENA.

Përveç Crnadak dhe Pacollit, ministrat nga Serbia, Kroacia, Turqia, Mali i Zi dhe Shqipëria do të marrin pjesë në këtë takim së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), i cili përkrah bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian dhe euroatlantik të Evropës Juglindore.

Bosnja mori kryesimin një vjeçar të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore nga Sllovenia në prill, pasi u bë anëtare në vitin 2001.

Loading...