Histori

Dokumentet e arkivës në Tiranë për luftën e shqiptarëve në Dervent të Shkupit

eugen shehu

Me nismën e burrave të Bojanës mes të cilëve Daut Dauti do të ishte kurdoherë i pranishëm, në vitin 1941, në fshat u çel shkolla shqipe. Falë edhe kujdesit në atë kohë të qeverisë të shtetit amë, u dërguan në atë shkollë tekstet e para në gjuhën shqipe, gjë e cila ngjalli mëritë e verbërta të sllavomaqedonasve dhe bullgarëve. Edhe në këtë rast Daut Dauti do të shpaloste trimërinë e tij. Në krye të disa trimave të Bojanës, të armatosur ata vihen roje të shkollës shqipe, madje në mënyrë të hapur deklarohen se do ta mbrojnë gjuhën dhe shkollën shqipe, qoftë edhe me flijimin e tyre. Ka qenë kjo arsyeja që sllavomaqedonasit kërkuan të hakmereshin ndaj Dautit dhe tre vëllezërve të tij, Ramizit, Iljazit dhe Naipit

 

EUGEN SHEHU

 

Malet dhe lisat e Dervenit të Shkupit, kanë përcjellë nëpër gjenerata të tëra, këngët e dhimbjes e të trimërisë. Ato male ato lisa, nëpër vite dhe vite u shëndrruan në karakollet e para të qëndresës madhore shqiptare. Këta karakolle qëndrese, u sulmuan prej serbëve,  sllavomaqedonasve,  bullgarëve  e megjithatë kur hordhitë armike u larguan të përgjakura, mbi këto troje u ndje kurdoherë lavdia. Në këtë bashkim supesh, të maleve e lisave, nuk munguan të rreshtohen edhe burrat e Dervenit. Një fat i çuditshëm dhe emblematik, i ndoqi kurdoherë pas këta burra, të cilët duke qenë në vijën e parë të kufijve etnike shqiptare, u shëndrruan  në trojet e para, të kufijve arbërorë, trung i pashkulshëm. Brenda historive të atyre breznive, vjen sot në ditët e reja krejt gurgulluese dhe heroike, jeta e Daut Dautit.

Lindi më 28 nëndorë 1913, në fshatin Bojanë, pranë Shkupit. Simbolika e ditës së lirisë me ditën e lindjes së tij, dukej që nga e para se jeta e këtij burri të Dërvenit, ashtu sikundër paraardhësve të vet, do të kalonte përmes traumave të luftërave. Gjyshi i tij, Daut Feleki së bashku me trima të tjerë të Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kumanovës,  Strugës do të ishte në krye të lëvizjes madhore, Lidhjes Shqiptare të Prizërenit. Për gati 3 vjet radhazi, 1878-1881, çetat e trimave të Maqedonisë shqiptare, jo vetëm do të realizonin sulme të njëpasnjëshme ndaj garnizonit osman të Manastirit, po do t’u vinin në ndihmë trimave të Kosovës deri në Kaçanik e Caralevë. Pas goditjes me zjarr dhe hekur që Porta e Lartë i dha Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, Daut Feleki u tërhoq në fshatin e vet në Bojanë dhe iu kushtua punëve të familjes, ngase po i kalonte të 70-tat. Babai i Dautit, Sulejmani i rritur në derën e madhe të gjyshërve luftëtarë në Bojanë, gjithashtu do të ndiqte udhët e luftërave për autonominë e trojeve shqiptare. Në vitet 1905-1907, ai është nismëtar i krijimit të klubeve atdhetare në Derven, sipas modelit të Klubit të Manastirit. Falë pasurive që gëzonte prej të parëvet të vet, duke parandjerë rëndësinë e madhe të arsimimit të bashkëkombasve të vet, viret në radhët e burrave që me flori dhe me pushkë çelën të parat shkolla shqipe në Maqedoninë shqiptare. Ndërkaq i zgjedhur prej bijve të Dervenit, Sulejmani do të bashkëpunonte ngushtë edhe me Sali Gjukën, Bajram Currin, Halim Derallën, Dervish Himën etj. Ai do të merrte pjesë aktive në çlirimin e Shkupit, më 1908 dhe do të këmbëngulte që qyteti shqiptar të mbahej i rrethuar prej forcave mbarëkombëtare, derisa të zhdukej aty nënpunësi i fundit i Portës së Lartë. Janë të tjera shkaqe ato që çuan në largimin e patriotëve shqiptarë prej Shkupit, por megjithatë çeta e Sulejman Dautit, në Derven, do të sh’ndrohej në lajmëtare e pafriguar e lirisë të trojeve shqiptare. Ajo do t’i kundërvihej planeve të turqve të rinj, duke u drejtuar mrekullisht prej burrit të Bojanës. Për më tej Sulejmani do të ndikonte me autoritetin dhe fjalën e tij, në pajtimin e mjaft burrave të Dervenit, të cilët të përçarë prej gjaqesh apo hakmarrjes të verbërta, nuk mund të parashihnin domosdoshmërinë e madhe të unitetit. Sulejmani do të trokiste derë më derë në Derven, duke lexuar me zërin e vetë burërorë, mesazhin e burrave të Manastirit, ku pos të tjerave potencohej ; “Nëqoftëse Shqipëria do të ketë bashkim, ajo do të jetë si një shkëmb në det, që rrihet vazhdimisht nga valët dhe nuk shkulet kurrë. Vetëm kjo fuqi e bashkuar e ka shpëtuar atdheun gjithmonë nga rreziqet. Le të mendojë tani, gjithë Shqipëria, se që të mundi vendin të përparojë, vetëm për bashkim ka nevojë. . .  Asnjë shtet nuk mund të egzistojë kur brenda tij ka grindje dhe përçarje”. (Arkivi i Institutit të Historisë-Tiranë. materiale të Arkivit të Vjenës. Dosja 19-1-183 ,  fleta 1 ).

  Mes këtyre rrëfimeve për luftërat e shqiptarëve, do të rridhte fëmijëria e Dautit të vogël. Masakrat serbe në vitet 1913-1920 do të bënin që mjaft prej shqiptarëve të Dërvenit të merrnin rrugën drejt Shqipërisë amë, apo Turqisë. Ndërsa kulla e madhe e Dautajve do të ndiqte mësimet në shkollën e Bojanës, ku natyrisht gjuha shqipe ishte e nemur. Por ai do të mësonte shkrimin dhe këndimin e gjuhës shqipe, ashtu si kundër mijëra moshatarë të tij, Çamëri, Maqedoni, Kosovë e Mal të Zi, në mënyrë të fshehtë shpesh herë duke rrezikuar edhe jetën e njomë. Më pas Dauti do të vazhdonte shkollën në Shkup, por këtu në fillim të viteve 20-të të shekullit të kaluar, administrata serbosllave pat filluar të shkallëzoj në masë të gjërë, gjenocidin arsimor ndaj shqiptarëve ashtu sikundër gjenocidin etnik. Në vitet e 30-ta, Daut Dauti, do të jetonte më së shumti pranë familjes por i inkuadruar kurdoherë në çetat e luftëtarëve të Dervenit, të cilat në mjaft raste kanë ngritur krye kundër dhunës pushtuese serbosllave. Ndonëse i ri në moshë, fjala e Dautit dëgjohej plot respekt në Bojanë e më tej, madje edhe pse i thirrur mjaft herë në xhandarmërinë e Shkupit, ai nuk është friguar, përkundrazi ka kërkuar që shqiptarët të respektoheshin njëlloj si të tjerët. Për këto arsye, vitet 1937-1939, ai i pati kaluar pothuaj në ilegalitet, ngase xhandarmëria e Shkupit kishte dashur tinëzisht t’a likuidonte atë fizikisht. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore, do të ndikonte padyshim edhe në fatet e shqiptarëve, kudo ku ata ndodheshin në Ballakan. Planet për ndarjen e territoreve të Jugosllavisë, ishin paraqitur përpara krerëve të lartë ushtarakë të Vermahtit hitlerian, në ditët e para të prillit 1941, ndërsa më 22 prill të po atij viti meqenëse grupi fashist parashihte edhe interesat e pjestares së tij Bullgarisë, kësaj ia la dorën e lirë mbi disa territore shqiptare. Fatalisht Vjena e 22 prillit të vitit 1941, i jepte aleates së Bllokut, Bullgarisë viset e Gjilanit të Ferizajit,  Vitisë,  Kaçanikut, Preshevës, Kumanovës dhe Shkupit. Mbi 200 mijë shqiptarë etnikë në këto treva, vireshin paskëtej nën dhunën e pashembullt fizike të pushtuesit të urryer fashist bullgar, duke ndezur flakën e urrejtjes në çdo vatër. Daut Dauti së bashku me vëllaun Iljazin, ishin të parët që u përballën me orekset shoveniste bullgaromëdha. Ata kundërshtuan me forcë urdhërin e komandës ushtarake bullgare sipas së cilës shqiptarët e Shkupit e rrethinave të rishikonin origjinën e tyre, ose në të kundërtën “duhet të shpërngulen si të gjithë banorët e huaj !”. (Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë,  fondi 251, dosja 71 ,  fleta 8 ).

Me nismën e burrave të Bojanës mes të cilëve Daut Dauti do të ishte kurdoherë i pranishëm, në vitin 1941, në fshat u çel shkolla shqipe. Falë edhe kujdesit në atë kohë të qeverisë të shtetit amë, u dërguan në atë shkollë tekstet e para në gjuhën shqipe, gjë e cila ngjalli mëritë e verbërta të sllavomaqedonasve dhe bullgarëve. Edhe në këtë rast Daut Dauti do të shpaloste trimërinë e tij. Në krye të disa trimave të Bojanës, të armatosur ata vihen roje të shkollës shqipe, madje në mënyrë të hapur deklarohen se do ta mbrojnë gjuhën dhe shkollën shqipe, qoftë edhe me flijimin e tyre. Ka qenë kjo arsyeja që sllavomaqedonasit kërkuan të hakmereshin ndaj Dautit dhe tre vëllezërve të tij, Ramizit, Iljazit dhe Naipit. Sigurisht duke iu trembur trimërisë së kullës së tyre në Bojanë, sllavomaqedonasit nuk nguruan të përdorin tradhëtinë e shqiptarëve mes vedi. Duke paguar një Dervenas, në dejet e të cilit nuk ridhte gjak shqiptari, sllavomaqedonasit vrasin tradhëtisht Iljaz Dautin, vëllanë e Dautit, i cili shërbente në shkollën e fshatit si kujdestar. Varrimi i Iljazitu shëndrua në një pelegrinazh, ku mijëra dervenas u betuan se do të merrnin hakun e vëllaut të tyre. Sigurisht se i pari që duhej të hakmerrej ndaj gjakut të vëllaut që rodhi për germat shqipe, ishte Dauti. Tridhjet vjeçari me trup të lartë e të hollë, me vështrimin e mprehur në shënjestër të pushkës, burri i Bojanës në krye të 20 trimave të tjerë, do të rrëmbente armët duke u hedhur së pari në aksion kundër pushtuesit bullgar. Në bashkëpunim edhe me forcat nacionaliste të Aqif Reçanit, Bajram Dobërdollit, Xhem Gostivarit etj, Daut Dauti organizon disa luftime në Derven të Shkupit duke bërë që pushtuesit bullgar t’i digjet toka nëpër këmbë. Veçmas në betejën pranë fshatit Gllumovë,  do të shkëlqente trimëria dhe talenti ushtarak i Daut Dautit, me çrast mbi 700 forca të rregullta të ushtrisë bullgare, të ndihmuara edhe nga mercenarë sllavomaqedonas, kundrejt 200 forcave  të Ballit Kombëtar, pësuan një disfatë të rëndë duke u thyer keças, e për tu larguar më pas ka sytë këmbët.  Dhe prej verës së vitit 1943 e deri në gushtin e vitit 1944, Daut Dauti në krye të një çete Ballistësh të Bojanës në bashkëpunim edhe me atdhetarë të tjerë të Maqedonisë shqiptare, do të sh’ndrrohej në stuhi të maleve të Dervenit. Veçanërisht në fundin e gushtit dhe fillimin e shtatorit 1944 fushata e terrorit sllavomaqedonas u shtri në krejt viset e Maqedonisë shqiptare, sikundër edhe në Kosovë. Pas  nënshkrimit të marrveshjes së Titos dhe Subashiqit, me mijëra elementë çetnikë të inkriminuar u futën në radhët e Armatës Jugosllave me ç’rast muarën përsipër të kryenin dhunën fizike mbi shqiptarët, hungarezët dhe myslimanët e Bosnjës. Pikërisht në ditët e para të shtatorit 1944, një propagandë e shfrenuar antishqiptare, etikentonte nacionalistët shqiptarë, si banda “reaksionarësh” të cilët medoemos duhej të vareshin në litar. Sipas programit të Çubrilloviqit, të hartuar në këto momente, udhëheqja e Armatës Jugosllave, për tu shmangur plotësisht krahas pakicave të tjera,  edhe shqiptarët  etnikë, duhej doemos “të shfrytzonte shanset që shfaqte Lufta e Dytë Botërore”(Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë. A-VII-561 ,  fleta 551 ). Është pikërisht kjo nismë e autoriteteve partiake dhe ushtarake të bollshevikëve të beogradit, çka shtyu me mijëra ushtarë komunistë sllavomaqedonas, të vërsuleshin të urritur nëpër trevat shqiptare duke djegur, vrarë e larguar me dhunë shqiptarët, prej vatrave të tyre stërgjyshore.

Në tetorin e vitit 1944, forca të mëdha sllavomaqedonase të inkuadruara në brigadën e 17 maqedonase, ndërmuarën një varg veprimesh të armatosura, kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare në Shkup, Derven dhe Kumanovë. Përballë këtyre sulmeve të egra, u desh që nacionalistët e Maqedonisë shqiptare të bashkonin gjokset dhe pushkët e tyre, për t’u dalë zot fateve të vendit. Janë me dhjetra e dhjetra betejat e këtyre ditëve të vjeshtës së vitit 1944, ku shkëlqeu jo vetëm heroizmi popullorë i shqiptarëve por edhe trimëria dhe talenti ushtark i udhëheqësve nacionalistë. Veçanërisht në analet e historisë do të mbeten kurdoherë e shenjtë beteja në vendin e quajtur Ura e Sarajit, në  hyrje të Shkuit, ku trimëria e Syl Hotlës, Memish Kapedanit, Selman Çajlanit, Daut Dautit etj, ndonëse të paktë në numër dhe të armatosur vetëm me disa pushkë të modeleve të vjetra, u përballën me më se 400 partizanë sllavomaqedonas, për 48 orë rresht duke lënë shumë të vrarë në radhët e tyre. Anipse kjo betejë ka kaluar pa lënë “gjurmë” në historinë e manipuluar të sllavomaqedonasve dhe shqiptarëve komunistë, ajo ka mbetur e gjallë diku në kujtesën e kombit shqiptar në ato vise. Në ditët e fundit të tetorit 1944, veçanërisht në zonën e Karshiakës çetat e nacionalistëve të Maqedonisë shqiptare po mbushnin radhët e tyre me vullnetarë të rinj. Tashmë për çdo shqiptar të këtyre viseve u pa e qartë se zgjedha e re komuniste do të ishte po aq e egër sa ajo e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, ndaj ngjeshën armët, për t’u përballur për jetë a vdekje me pushtuesin e ri. Dauti kërkon ndihmën edhe të vëllezërve të vet, Ramizit dhe Naipit që edhe këta të ndihmojnë me çtë mundin në krijimin dhe zgjerimin e këtyre formacioneve me vullnetarë shqiptarë. Ndërkaq në luftimet në rrethina të zonës së Karshiakës, Daut Dauti shpalos çdo ditë e më shumë talentin e prijësit popullorë. Fjalëpak gjithmonë i thjeshtë, ai do të ishte në radhët e para të luftëtarëve nacionalistë, duke i trimëruar ata në guximin e madh. Komanda e Brigadës së 17 maqedonase, pas humbjeve të konsiderueshme në njerëz dhe teknikë luftarake, në ditët e para të nëntorit 1944 përforcohet me tjera formacione, deri artileri të rëndë prej Korparmatës së I-rë maqedonase. Ndërkaq ata ndihmohen edhe nga një batalion i Brigadës së IV nacionalçlirimtare, në radhët e të cilëve kishte qindra shqiptarë të gënjyer prej përallave të “vëllezërimit” midis popujve të ballkanit. Kanë qenë pikërisht disa prej këtyre nacionalçlirimtarëve të cilët kinse donin të ndalonin luftën vëllavrasëse, kërkuan takim me përfaqsuesit e formacioneve Balliste të Dervenit. Prej nacionalçlirimtarëve u caktuan pesë vetë dhe po kaq luftëtarë ishte edhe prej nacionalistëve shqiptarë. Këtu bënte pjesë edhe Daut Dauti, i cili shpalosi hapur me fjalë të pakta por që peshonin shumë, tradhëtinë komuniste,  e cila u rendit në krahun e dhunës shtazarake sllavomaqedonase. ”Në këtë takim nuk u arrit asnjë marrveshje, përkundrazi bandat partizane tentuan që ta vrisnin grupin 5 antarësh të vullnetarëve shqiptarë. Në këtë moment Daut Sulejman Dauti, duke kuptuar tradhëtinë e bandave partizane të parin të cilin tentoi t’i gjuaj me automatik ndaj grupit shqiptar e vret në vend, sepse deshi që t’i presë në besë. Për t’a ndal gjakderdhjen e mëtejshme, komandanti i bandave partizane që e udhëhiqte këtë grup 5 antarësh, ngriti dorën për paqë, duke pranuar fajësinë e partizanit që tentoi të vriste vullnetarët shqiptarë. Daut Sulejman Dauti që në fakt udhëhiqte grupin,  komandantit të bandave partizane iu drejtua ;”Ju nuk kini besë ! Të gjithë ju komunistët e kini zakon prerjen në besë !”. ( I. Klosi “Qemajl Skënderi dhe NDSH-ja në Derven të Shkupit” Shkup 2002,  faqe 88 )

Në të njejtën kohë në ditët e para të nëndorit 1944, duke marrë shkas edhe nga largimi i trupave gjermane për në veriun e Jugosllavisë, forcat sllavomaqedonase vijuan terrorin e verbër duke kryer masakra të papara. Famëkeqja OZNA,  e cila nëpërmjet agjentëve të paguar të saj, duke mësuar se cilat ishin familjet nacionaliste në Dërven, ndërsente formacionet ushtarako-policore të Beogradit, për të zhdukur çdo filiz nacionalist. Në këto ditë, përgjatë brigjeve të Vardarit në Shkup, në mënyrë të qëllimshme kufomat e burrave dhe djemve shqiptarë nuk mbuloheshin. Ato liheshin ashtu, të pambuluara në dhe, për t’u treguar krejt banorëve, se çdokush që do të mbante në kokë plisin e bardhë me shqiponjën dykrenare do të pësonte të njëjtin fat. Ndër mijëra shqiptarë të arratisur në këto ditë, shumë pak mundën t’u shpëtojnë ndëshkimeve fizike. Edhe këta të paktë që u lëshuan, porositeshin prej OZNËS, të denonconin menjëherë në organet e pushtetit nacionalçlirimtar, çdo lëvizje të bandave “reaksionare” që “merrnin urdhëra prej Mit’hat Frashërit,  në Tiranë”. Në datat 21-23 nëndorë 1944, çetat e nacionalistëve të Dervenit, zhvilluan një varg misionesh të guximshme kundër forcave të Korparmatës së parë sllavomaqedonase. Veçanërisht në fshatrat Barovë dhe Satapetkë, përleshjet u kryen trup me trup, ngase edhe terreni ishte i tillë plot drurë. Por ishin me dhjetra dhe qindra ushtarë partizan që mbetën aty të vrarë, përpara zemërimit të nacionalistëve shqiptarë edhe në këto beteja, spikatet trimëria e rallë e Daut Dautit, i cili duke thirrur me zërin e tij të rreptë shpërthente si një rufe në pozicionet e sllavomaqedonasve. Ndonëse luftimet vazhduan pa ndërprerje prej 42 orësh, luftëtarët nacionalistë përballuan dy zjarre, atë sllavomaqedonase dhe tjetrin, më të dhimbshmin, zjarrin e vëllezërve të tyre, fatkeqsisht komunistë.  Në një radiogram që forcat shqiptare dërgonin në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, pos të tjerave thuhej ; “Këto ditë humbjet tona janë të mëdha. Njerëzit tanë nuk njohin terrenin, por edhe reaksionarët e udhëhequr nga Daut Dauti nuk përmbahen”. ( Arkivi Qendrorë i Ushtrisë – Tiranë. Fondi Divizioni 6 ,  kutia 3,  dosja 37 ).

  Në ditët e mbrame të nëndorit 1944, çetat e trimave të Dervenit mundën të marrin edhe fshatin Çiflik, duke iu afruar Shkupit. Pikërisht në këto momente, Armata Jugosllave, urdhëron Armatën e I-rë Maqedonase, të rimarë me gjdo kusht çiflikun duke dërguar aty trupa të reja çetnikësh, të armatosur deri në dhëmbë. Urdhëri i prerë, nacionalistët shqiptarë nuk  duhej të hynin në Shkup, pasi Beogradi i trembej një lëvizjeje mbarëpopullore shqiptare,  e kordinuar edhe me nacionalistët e Kosovës. Në mëngjezin e 29 nëndorit 1944, rreth 1000 forca sllavomaqedonase partizane sulmuan fshatin Çiflik nga veriu, ndërsa 300-400 partizanë u futën në fshat duke terrorizuar popullin e pafajshëm. Sinjalin e sulmit kundër aradhave partizane e dha Daut Dauti, ndonëse i vetëdijshëm se nuk mund të fitonte përballë kësaj lukunie hordhish të ortodoksizmit stalinist. Pas shtatë orë luftimesh të rrepta një breshëri automatiku rrëzon përdhe lisin e Dervenit, burrin që pati ngarendur deri në pozicionet e para të armikut, pothuaj i vetëm. Kanë qenë 2-3 bashkëluftëtarët e tij, të cilët duke ecur përmes plumbave mundën të tërheqin trupin pa jetë të Dautit, duke e varrosur më tej, në fshehtësi pranë një përroi, duke u përballur gjithmonë me sulmet e nacionalçlirimtarëve. Ende sot pas gjashtë deceniesh varri i Daut Dautit nuk është gjetur. Eshtrat e tij, nën dheun e ftohtë, akuzojnë sllavokomunizmin ortodoks, ashtu si kundër thërrasin breznitë e reja në kufijtë tanë etnike.

To Top