ajten

Gazeta Lajm: Dr. Ajten, besoj se nuk jemi të parët që j’ua bëjmë këtë pyetje, megjithatë na intereson çfarë ju motivoi të zgjidhni për temë hulumtimi përdhunimet gjatë kohës së luftës?

Motivi im kryesor ka të bëj me zbardhjen e natyrës komplekse dhe të veçantë të kësaj vepre. Me hulumtimin tim bëra përpjekje që përdhunimin ta paraqes si një vepër penale gjinore, me një bagazh historik të komplikuar, vepër kjo që ka shtrirë rrënjët e saj edhe në ditët e sotme. Më konkretisht, mbetjet e patriarkalizmit mbeten të ndërthurura me qëndrimin që kanë shoqëritë për përdhunimin. Për mendimin tim, të mos diskutosh për përdhunimin është një anomali. Heshtja forcon stigmën, e cila para së gjithash nuk duhet të ekzistojë.

 

Gazeta Lajm: Me sa mundëm të lexojmë në punimin tuaj të doktoraturës, të cilin e ndatë me ne pa asnjë rezervë, shumë autorë analizojnë funksionet e përdhunimeve masive gjatë konfliktit të armatosur dhe në këtë kontekst shpjegimet klasike gjithmonë trajtojnë dy funksionet primare të përdhunimit gjatë kohës së luftës: si një vegël për demoralizimin e armikut dhe si një trofe lufte. Çfarë mund të na thoni më shumë?

Keni të drejtë. Palët që luftojnë përdorin përdhunimin për demoralizimin e armikut, duke e përdorur njëkohësisht edhe për të ngritur moralin e trupave të veta. Në të dy rastet femrat janë vetëm një instrument, ndërsa ky aspekt dëshmon konstruksionin ideologjik të femrës si një objekt që shfrytëzohet dhe manipulohet nga ana e meshkujve: trupi i femrës është vetëm një mjet për të kënaqur meshkujt. Për mua ishte me rëndësi të theksoj se përdhunimet gjatë luftës kanë edhe një qëllim tjetër. Më saktësisht përdhunimet përdoren për të asgjësuar plotësisht bashkësinë e armikut. Ndryshimi i karakterit të konflikteve, nga konflikte ndërkombëtare në konflikte të brendshme, ndikoi që popullata civile të jetë shënjestra e parë e konflikteve të armatosura. Në luftërat me karakter ndërkombëtar pjesëmarrës primar të konflikteve janë armata e rregullta të palëve armike, kryesisht meshkujt, ndërsa në luftërat e brendshme popullata civile bëhet pjesëmarrësi primar dhe shënjestër. Ndërkaq, viktima më të mëdha janë femrat dhe fëmijët. Përdhunimet përdoren për të dërguar mesazhe të caktuara nga ana e një grupi meshkujsh, drejtuar një grupi tjetër, ndërsa trupi i femrës bëhet një instrument komunikimi. Në fakt, gjatë konflikteve etnike keqpërdorimet dhe nënvlerësimet seksuale arrijnë kulmin sepse konflikti midis meshkujve, që bazohet në dallimet etnike dhe nacionale dhe armiqësia bëjnë që femra të jetë shënjestra e parë.

 

Gazeta Lajm: Nëse ju kuptova mirë, Ju thoni se femrat preken më së shumti me efektet asgjësuese të luftërave të reja ose formave të reja të luftimit?

Po, pikërisht. Studimet feministe theksojnë qartë se dhuna që bazohet në gjininë është arma që përdoret gjatë luftës. Në rrethana të tilla jeta e femrës gjatë kohës së konflikteve të armatosura ndryshon paralelisht me ndryshimin e vetë natyrës së konfliktit, ndryshim ky që ndodh gjatë tre dekadave të fundit. Në kohën kur është duke u ulur numri i luftërave midis shteteve, llojet e reja të konflikteve që bazohen në dallimet etnike racore ose fetare kanë lënë pasoja drastike për femrën. Në këtë kontekst vijnë në shprehje ideologjitë kulturore, fetare dhe nacionale të kontrollimit të femrës, që janë ndërthurur me normat sociale të grupeve. Ideologjitë e tilla bazohen në gjininë dhe nëpërmjet prizmës së tyre mund të kuptohet se si viktimizohet femra gjatë konflikteve të këtij lloji, krahasuar me luftërat në përgjithësi.

 

Gazeta Lajm: Në fillim përmendët stigmën. Çfarë mund të na thoni për të?

Shikoni, përdhunimi gjatë kohës së luftës ekziston, është një gjë që dihet dhe që është pranuar si e tillë. Fakti që shumica e femrave viktima të dhunës seksuale nuk duan të flasin për përvojën e tyre të tmerrshme gjithashtu e bën përdhunimin gjatë luftës të vështirë për t’u provuar. Rezultati i ndarjes së përdhunimit me opinionin mund të jetë shumë i hidhur në shoqëritë patriarkale dhe tradicionale, brenda të cilave femra e përdhunuar shpesh dëbohet nga familja e saj dhe shoqëria. Më saktësisht, lëndimi i femrës me aktin e përdhunimit vazhdon edhe më tej edhe me qëndrimin që ka shoqëria për përdhunimin. Në këtë kontekst shpesh thuhet se femra e përdhunuar viktimizohet dy herë: fillimisht me agresionin e përdhunuesit dhe pastaj me sjelljen që ka shoqëria ndaj saj.

 

Gazeta Lajm: Hulumtimi juaj përfshin edhe publikimin e rasteve të përdhunimit masiv gjatë dy konflikteve të armatosura, ai që ndodhi në Ish Jugosllavinë dhe tjetri në Ruandë. Përvojat e femrave në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe femrave nga Ruanda (siç jeni shprehur ju), theksuan faktin se gjatë kohës së luftës të drejtat elementare të femrës janë shkelur në mënyrë drastike. Përdhunimet, keqpërdorimet e ndryshme seksuale dhe shtatzënia e detyruar janë vetëm një pjesë e çrregullimeve me të cilat ballafaqohet femra si rezultat të identitetit të saj gjinor.

Spastrimi etnik dhe gjenocidi në Bosnjë e Hercegovinë dhe Ruandë nuk janë raste e para kur femrat kanë vuajtur si rezultat të dhunës. Megjithatë këto konflikte ndikuan që dhuna seksuale të jetë publike dhe e dukshme dhe të njëjtat tërhoqën vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar lidhur me të drejtat elementare të femrës gjatë kohës së konfliktit. Krimet e tmerrshme seksuale, si karakteristika kryesore të luftërave në Ish Jugosllavinë dhe Ruandë dolën në shesh. U bë e qartë se përdhunimet u përdorën si një mjet lufte dhe u bënë pjesë e spastrimit etnik që i shoqëroi luftërat në fjalë. Në të dy luftërat u regjistruan krime të tmerrshme seksuale, si pjesë e politikave të tyre zyrtare. Për shembull, me analizën e rrëfimeve të viktimave të përdhunimeve nga Bosnja – Foça, Gorazhde, Vishegrad, Bratunac, Srebrenicë, Vlesenicë, Prijedor, Kluç, Petrovac i Bosnjës dhe Velika Kladusha, mund të arrihet në konkluzionin se të gjitha përdhunimet, pa dallim të vendit ku kanë ndodhur, kanë të njëjtin modalitet: në qendra mbledhjeje është organizuar ndarja e grave dhe vajzave dhe akomodimi i tyre në ambiente të posaçme; ambiente të posaçme të përgatitura për përdhunim; përdhunime grupore, 7 deri në 10 meshkuj abuzojnë një femër; një pjesë e femrave të përdhunuara pas abuzimit janë vrarë, zakonisht nga kriminelët e dehur dhe të tërbuar; shumë nga femrat janë përdhunuar para prindërve të tyre ose vëllezërve; vajzat e moshës 5 – 15 vjeçe janë përdhunuar në forma brutale dhe shpesh janë vrarë (ose janë masakruar), në formën e arritjes së kulmit të epshit nekrofil të kriminelëve; si rezultat të traumave psikologjike enorme shumë nga vajzat e përdhunuara kanë bërë vetëvrasje. Vuajtjet e femrave nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Ruanda u bënë një lloj kthese në aspektin e pranimit të përdhunimeve si një mjet lufte, i cili fitoi rëndësi ligjore në tribunalet e formuara për ish Jugosllavinë dhe Ruandën me të cilat përdhunimet u hetuan si krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

 

Gazeta Lajm: Përmendët tribunalet dhe pyetja ime e fundit ka të bëj pikërisht me to. A mendoni se tribunalet funksionojnë me sukses dhe si i vlerësoni ato?

Praktika gjyqësore e Trubunalit ndërkombëtar penal për ish Jugosllavinë (ICTY) dhe Tribunalit ndërkombëtar penal për Ruandën (ICTR) është fundamentale për definimin e krimeve të dhunës seksuale në kudër të të drejtës ndërkombëtare. Jurisprudenca e të dy tribunaleve gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në caktimin e statusit të dhunës seksuale si një krim lufte, krim kundër njerëzimit dhe akt gjenocidi. Më konkretisht, pikërisht si rezultat të përparimit që rezultoi me funksionimin e dy tribunaleve, përdhunimi mund të ndiqet penalisht si një nënlloj i krimeve të luftës, si krim kundër njerëzimit ose si gjenocid. Me formimin e Tribunaleve nuk u zhvillua vetëm e drejta penale materiale ndërkombëtare. Statutet e tyre gjithashtu përfshijnë rregulla të reja procedurale lidhur me dhunën seksuale, që marrin parasysh aspektet delikate që kanë të bëjnë me rrëfimin e viktimave të dhunës seksuale.

Loading...