Raporti strategjik me “të pasurin e Bosforit”

Shkruan: Ismail SINANI

Noam Çomski ka thënë se “është përgjegjësia e intelektualëve ta flasin të vërtetën dhe ta ekspozojnë gënjeshtrën.”. Çfarë është sot Turqia?
Një shekull më parë, Perandoria Osmane quhej “i sëmuri i Bosforit”. Evropianët (perëndimorët), që paraqisnin në atë kohë sinonim të zhvillimit, me të drejtë e quanin me këtë emër perandorinë, e cila dikur kishte qenë simbol i zhvillimit, kulturës, fuqisë… Një shekull më vonë, ka përpjekje që epiteti “i sëmuri…” ende të mbahet gjallë. Pse?
Shpjegimet mund të jenë nga më të ndryshmet, por në thelbin e të gjitha shpjegimeve, qëndron dimensioni socio-ekonomik. Transformimet e shumta, që kanë ndodhur në “shtetin e Bosforit”, si duket nuk kanë reflektuar pozitivisht në qarqe të caktuara. Revolucioni në heshtje, i ndodhur në 16 vitet e fundit në Turqi, po lë gjurmë të reja në epokën e globalizmit. Dhe, si i tillë, po krijon balance të reja, që gjithsesi shkaktojnë dridhje gjithandej. Sot (gjeo)politika e Turqisë po prek interesat globale që nga Lindja, e Largët apo e Afërt (kush si të dojë mund ta quajë), e deri në Perëndim, kështu që rrjedhimisht s’do mend se në krijimin e këtyre balancave të reja detyrimisht prekemi edhe ne shqiptarët.
Administrimi i këtyre viseve përreth 530 vjet nga Perandoria Osmane dhe, posaçërisht, administrimi i tokave shqiptare, ka ndikuar që ne – përgjatë gjithë atij rrugëtimi historik – të jemi një element ekuilibri, pa të cilin ai goxha shtet nuk do të kishte aq jetë të gjatë. Ndoshta pikërisht për këtë arsye (historike) sot zhvillohet një debat kaq i ashpër nëse i takojmë Oksidentit apo Orientit, pa çka se askush nuk e pranon realitetin (e hidhur) se ne megjithatë jemi të Ballkanit.
Transformimi i dhunshëm i historisë me elementë ideologjikë na ka futur të gjithëve në një aventurë, e cila sot ka prodhuar një shqiptar me komplekse të thella karshi shumë popujve të tjerë, që ndoshta kanë fare pak ose kurrfarë merita në kahëzimin e proceseve historike. Duke u bërë mohues të vetvetes, nën kompleksin “evropiano-perëndimor”, historinë tonë prej më shumë se 100 vitesh e ndërtojmë duke kërcyer nëpër periudha të ndryshme “të lavdishme”, kjo me të vetmin qëllim – fshehjen e personaliteteve që vërtet kanë dhënë një kontribut të pashoq, qoftë edhe në ndërtimin e shtetit të tjetrit.
Humbja e dhunshme e komunikimit, me gjithë atë histori dhe imputim të pjesëve që shkojnë në favor të vetëm një ideologjie e dogme të caktuar, sot e ka krijuar intelektualin pa ndonjë qendër të fuqishme të gravitetit intelektual, i cili flet përçartur si një tifoz pa as edhe një bazë të vetme shkencore!
Sot shqiptari është vënë në qendër të një rivaliteti të kotë mes Lindjes dhe Perëndimit, i kompleksuar nëse shprehet se i “takon” Turqisë apo Perëndimit (SHBA, Angli, Francë dhe Gjermani), ndërsa – në fakt – askush nuk e parashtron pyetjen se ç’të keqe ka nëse sot po ky shqiptar ndërton marrëdhënie të mirëfillta si me njërën ashtu edhe me “palën” tjetër?! Ky ndërveprim mes dy blloqeve, madje, me siguri do të kishte qenë një çelës i suksesit.
Por, meqë fjala është te Turqia, si perceptim për “lindor” nga qarqe të cilat në vokabularin e tyre në të shumtën e rasteve kanë diskurs fashizoid dhe racist, në periudhën në të cilën jetojmë, ndoshta këtë shtet më shumë duhet analizuar nga prizmi gjeo-kulturor dhe gjeo-ekonomik. Dimensioni i parë, siç u tha, i lidhë shqiptarët me të kaluarën e përbashkët, ndërsa ai tjetri, gjeo-ekonomik, që gjithsesi se sot i intereson shumë brezit të ri, për shkak të hovit të zhvillimit që ka marrë dikur “i sëmuri i Bosforit”, është i një rëndësie ndoshta imediate.
Turqia e sotme, e drejtuar nga Erdogani, është prototip i suksesit të një shteti, i cili për një shekull të tërë ka qenë në vendnumërim. Shkalla e suksesit të tij, përkundër disa urrejtësve patologjikë që janë në mesin tonë, përdëftohet lehtë me të dhënat statistikore në rrafshin global, duke e renditur në mesin e 15 ekonomive më të fuqishme në botë dhe si njëri ndër tre shtetet me shkallën më të lartë të rritjes ekonomike – po ashtu në nivel global.
Kundërshtimi i këtij realiteti, nën petkun e disa ideologjizmave, flet për çartje të disa qendrave fetare-ekonomike, të cilat zhvillimin e kanë parë si ekskluzivitet të tyre.
Shqiptari sot ka nevojë për një spastrim doktrinar të mendjes kolektive dhe përafrim të marrëdhënieve strategjike (edhe) me Turqinë, si fuqia më e madhe (ekonomike-ushtarake) në rajon.
Duke qenë populli i vetëm, ndoshta në gjithë botën, që ka arritur ta bëjë sintezën origjinale mes tri feve, këtë përvojë më së miri do ta kishim avancuar duke bërë një sintezë gjeo-politike edhe mes Turqisë dhe Perëndimit. Pozita qendrore e shqiptarëve në Ballkan, si populli ndoshta më dinamik i këtij nënqielli, i jep mundësinë atij që ta luajë një rol tepër të rëndësishëm në ndërtimin e urave të historisë. Në të kundërtën, qasja joserioze ndaj kësaj mundësie strategjike,do të ketë kosto të paparë dhe me siguri të pariparueshme.

Loading...