Ofrohen 1700 vende pune për 500 profesione të ndryshme menaxheriale

Një dritë jeshile për dhjetëra të rinj, të cilët kanë kryer arsimin e lartë, në degë që lidhen me pozicione të ndryshme menaxheriale, si: menaxher projektesh, mësuese në kopsht, asistente zyre, menaxher restoranti, agjent shitjesh, infermier, specialist radioje dhe specialist kamerash. U deshën vite të tëra pritje për të gjetur një punë në profilin e tyre, por më në fund zgjedhja e kahershme për të mësuar një zanat, iu shpërblye. Nga dje, të diplomuarit në ciklin e mesëm për degët e sipërpërmendura, do t’i drejtohen Abu Dhabi-t, në Dubai, për të punuar përkundrejt rrogave që fillojnë nga 800-2000 dollarë, në varësi të specialitetit të secilit, mundësi që do të ndryshojë rrënjësisht jetën e tyre. Zyrtarisht mësohet se veç pagesës mujore fikse sipas pozicionit, të rinjtë shqiptarë do të përfitojnë edhe akomodimin, që do të mbulohet gjatë gjithë kontratës së punës; siguracionet shëndetësore; përfitime në bazë të performancës; kosto e licencimit për pozicionet që kërkojnë licencë, e mbuluar nga punëdhënësi si edhe transport vajtje-ardhje (punë-shtëpi). Mirëpo, krahas të drejtave dhe përfitimeve, kushti për të rinjtë që do të përzgjidhen për të punuar në Dubai janë: Të ketë kryer arsimin e lartë në degën përkatëse (për pozicionet menaxheriale); nivel i mirë i gjuhës angleze’ eksperiencë pune dhe të jenë të komunikueshëm dhe të gatshëm për të punuar në grup. Konkretisht dje, në ditën e katërt të aktiviteteve që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka ndërmarrë në kuadër të 25-vjetorit të Ditës së Rinisë, dhjetëra të rinj kanë fituar kontrata dyvjeçare pune në profesione të ndryshme jashtë vendit. Kontratat janë bërë të mundura falë bashkëpunimit mes “Europe Agency” dhe zyrave të punës, që në zbatim të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar më parë me MMSR-në, kanë mundur t’u ofrojnë qindra të rinjve deri më tani mundësinë për një punë të denjë dhe të mirëpaguar. I pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të këtyre kontratave, ministri i Mirëqenies Sociale, Klosi tha: “Kërkesa e agjencive të punësimit, si ‘Europe Agency’, për punëtorë të kualifikuar, është një kërkesë që duhet të na bëjë të kuptojmë se Arsimi Profesional, kualifikimi, dija, zeja, janë mënyra më e mirë për të jetuar”, tha ministri Klosi. Për këtë arsye, sipas tij, qeveria shqiptare i ka kushtuar rëndësi të madhe reformimit të Arsimit Profesional drejt kërkesave të tregut të punës, ku çdo kualifikim i dhënë të jetë i orientuar drejt një vendi konkret pune. Ndërsa drejtori i “Europe Agency”, Ermal Jauri, tha se aktualisht ekzistojnë afro 1700 vende pune për rreth 500 profesione të ndryshme jashtë vendit, me paga që variojnë nga 500 deri në 8000 mijë dollarë. “Trendi ekonomik global i tregut të punës ka rritur më tepër kërkesën për profesionistë. Ka rritur kërkesën për profesione të ndryshme si saldator, elektricist, staf të hoteleri-turizmit, punonjës shërbimi, punonjës socialë, punonjës ndërtimi, punonjës profesionistë të kategorive të ndryshme dhe profileve të ndryshme”, tha Jauri.

 

Loading...