“Duhani: i dëmshëm për xhepin, i dëmshëm për shëndetin!” Të dhënat e fundit tregojnë se 12% e vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës, vijnë nga shkaktari kryesorë, pirja e duhanit. Mjekët thonë se konsumuesit e nikotinës vdesin me të rinj, duke iu ekspozuar rrezikut të sulmit në tru dhe zemër.

Para Klinikës së kardiologjisë në Shkup, duhanpirja është vesi më evident që tregojnë edhe shportat e mbushura përplot me filtra cigaresh. Pacientët thonë se shpesh ndezin cigare, në pritje të mjekëve për tu shëruar nga sëmundjet që iu janë shkaktuar nga duhanpirja. Kurse, mjekët po ashtu pinë duhan, derisa bëjnë pauzë nga lodhja e kurimit të pacientëve të shumtë që presin në këtë klinikë. Kjo nënë deri sa mban foshnjën në dorë, nuk pushon së piri cigare. Por porosit të tjerët që mos ta bëjnë të njëjtën gjë.

“Pirja e duhanit është shumë e dëmshme dhe u preferoj që mos të pinë se me të vërtetë dëmton shëndetin, dëmton gjithçka. Por ju pse po e pini? Unë e kam konsumuar që e vogël, nuk është mirë të pihet dhe mundohem që ta ndaloj, por shpresoj ta lë me kalimin e kohës”, tha Teuta Selimi, qytetare.

“Është keq, por gjithë kjo është shprehi. Unë nuk pij cigare, por e mbështjell duhanin vetë.”

“Duhani dihet që është i dëmshëm dhe pikë. Vetëm se ne pimë duhan nga nervoza se jemi të shtrirë këtu në spital edhe pse nuk guxojmë. Dëmet janë të mëdha, por shkoni pyetni mjekët e infermieret pse ato pijnë duhan”, thanë disa qytetar.

Nga Instituti për shëndet publik thonë se dorëheqja nga pirja e duhanit zvogëlon rrezikun për sëmundje të zemrës dhe të mushkërive, pavarësisht se sa gjatë kohë është përdorur ky ves. Profesoresha Elena Qosevska thotë se 10 vjet pas ndërprerjes së duhanpirjes, rreziku përgjysmohet.

“Ne zbuluam se qytetarët edhe pse e kanë kuptuar që pirja e duhanit është e dëmshme, ata nuk janë të vetëdijshëm për pasojat kyçe që shkaktohen në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe sulmit në tru. Duhani sjell rritje të sëmundjeve kronike dhe viktimat e tyre kanë ndikim katastrofik jo vetëm për pacientët, por edhe për familjet e tyre”, tha Elena Qosevska, Instituti për shëndet publik.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe theksoi se çdo vit projekton programin për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, që për vitin 2018 kap shifrën e 25 milion denarëve.

“Me atë qëllim dua të theksoj se edhe këtë vit Ministria e Shëndetësisë së bashku me Qeverinë e Maqedonisë vendosi që programi për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare të plotësohet edhe me 5 milion denarë shtesë nga buxheti i ministrisë. Për krijimin e politikave kundër pirjes së duhanit, çdo herë mbajmë llogari për shëndetin e qytetarëve dhe për këtë arsye i përmbahemi slloganit, zgjidh shëndetin, jo duhanin”, tha Filipçe.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, Në Maqedoni gjatë vitit 2016, sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut kanë vrarë 10.920 njerëz. Sëmundjet e sistemit kardiovaskular përbëjnë 53,5 përqind të vdekshmërisë totale dhe zënë vendin e parë si shkaktarë të vdekjes, në nivel të vendit.

Loading...