Duke falënderuar BDI-në, kosovarët po stimulojnë arrestimin e tyre nga policia maqedonase

Analistët shqiptarë thonë se me këtë falënderim skandaloz, Express ka përsëritur gabimin e Gafurr Dugollit, i cili poashtu iu falënderua BDI-së për mbajtjen disa ditore në burg. Ata kanë frikë se tani partisë shqiptare në pushtet mund t’i bëhet traditë që të arrestohen sa më shumë kosovarë nga policia maqedonase dhe falë falënderimeve të tyre pas lirimit, të rrisë rejtingun partiak

Duke falënderuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për lirimin e tyre, qytetarët dhe gazetarët kosovarë po stimulojnë pushtetin në Maqedoni që t’i arrestojë më shpesh. Kështu vlerësojnë analistët shqiptarë nga Maqedoni, duke komentuar falënderimin e gazetës Express për funksionarë të BDI-së në pushtet.

Arrestimi i tre gazetarëve të Express, është bërë të martën në orët e pasdites në Shkup, pavarësisht se autoritetet e atjeshme ishin të njoftuara për aktivitetin e tyre. Kryeredaktori Leonard Kerquki ka thënë se policia maqedonase nuk e ka lënë t’i afrohet stacionit policor ku janë mbajtur gazetarët. Dhe në vend se të kritikojë qeverinë e VMRO-DPMNE-së për arresimin e ekipit të saj, gazeta Express ka falënderuar partnerët e tyre më besnikë pas lirimit.

“Gazeta Express falënderon ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, deputetin e BDI’së, Artan Grubin, zëvendësministrin e Brendshëm të Maqedonisë, Agim Nuhiun, dhe ushtruesin e detyrës së ministrit të Jashtëm të Kosovës, Petrit Selimin, të cilët janë angazhuar personalisht për lirimin e gazetarëve”, ka shkruar Express.

Analistët shqiptarë thonë se me këtë falënderim skandaloz, Express ka përsëritur gabimin e Gafurr Dugollit, i cili poashtu iu falënderua BDI-së për mbajtjen disa ditore në burg. Ata kanë frikë se tani partisë shqiptare në pushtet mund t’i bëhet traditë që të arrestohen sa më shumë kosovarë nga policia maqedonase dhe falë falënderimeve të tyre pas lirimit, të rrisë rejtingun partiak.

 

Salihu: Duhet lavdëruar pushtetin që nuk arreston, e jo që liron gazetarë!

Gazetari i njohur dhe profesori universitar, Salajdin Salihu, nuk mund ta fshehë habinë e tij nga falënderimet e gazetarëve kosovarë, fillimisht të arrestuar e pastaj të liruar, që i bënë në adresë të BDI-së.

“Falemnderimet për partinë në pushtet për lirimin e gazetarëve më duken tepër hipokrite dhe servile. Një pushtet mund të lavdërohet nëse nuk arreston gazetarë e jo kur liron gazetarë të arrestuar pas presioneve, kryesisht ndërkombëtare”, thotë Saliu për “Lajm”.

Ai edhe njëherë rikujton se cilin pushtet e ka falënderuar gazeta Express nga Prishtina, për lirimin e ekipit të saj.

“Ky është pushtet paranojak tejet armiqësor ndaj gazetarisë kritike. Arrestimi i gazetarëve është barometër kryesor për mungesën e lirisë së fjalës dhe mendimit të lirë në këtë vend”, thekson Saliu.

Halil Matoshi shigjeton Ali Ahmetin dhe “injorantët përreth tij”

Një reagim i merituar dhe i ashpër konform situatës, ka ardhur nga gazetari Halil Matoshi nga Prishtina.

“Ni gjysemshteti (pa emër ndërkombëtarisht te pranuam) dhe gjysme-Republike – sepse sillet si ni tirani e vocërr – sidomos kur janë ne pyetje fqinjtë dhe bashkëqytetarët e tyne Shqiptarë, i erdhi rasti me arrestu gazetar dhe këtë vetëm pse janë shqiptar dhe pse janë nga Prishtina. Ky shtet pa dinjitet e unitet kombëtar dhe pa integritet ndërkombëtar po do me kallxu muskuj ndaj fjales se lire, por zyrtaret ne Shkup duhet ta dijne se kështu ka nise teposhteza e ish federates jugosllave deri ne shperbamje!

Keso masa perdorte ne vitet ’90 edhe fashizmi i Millosheviqit, por ai ne fund doli jo vetem humbes por edhe si kriminel me damke!

Shkupi zyrtar urgjentisht duhet me i liru gazetaret e Gazetës Express, Artan Haraqija, Halil Halili dhe Ilir Ajdini duke u kerku falje atyne dhe tane kosovareve per keto tendenca animqsore e fyese. Sepse ne Europe ma kso budallalleqesh (arrestimi i gazetareve) nuk ndodhin!”, ka shkruar Matoshi.

Për dallim prej stafit udhëheqës të gazetës Express, Matoshi në adresë të saktë e ka dërguar reagimin e tij.

“Ndërsa Ali Ahmeti dhe injorantët përrreth tij pushtetin duhet ose ta përdorin për te miren e te gjitheve – pra edhe shqiptareve – e jo si pushtet personal per me u shndrru ne milionera si vllaznit e tij ideologjik ne Prishtine, ose duhet ta braktisin!?” ka theksuar Matoshi.

Loading...