Tetë vepra të piktores Zake Prelvukaj, katër prej të cilave pasqyrojnë fatin e grave të përdhunuara në luftën e fundit në Kosovë, pjesë e serisë së vitit 1998 “Women of the war” (Gratë e luftës), janë ekspozuar në muret e një galerie në Londër.

Përveç saj, imazhet kosovare në kryeqytetin britanik janë prezantuar edhe nëpërmjet veprave të Lala Meredith – Vulës, shkruan sot “Koha Ditore”. Veprat e Prelvukajt e të Meredith-Vulës janë pjesë e ekspozitës kolektive “SEEDS+SOUL” me kuratore Nora Weller, që është hapur të hënën mbrëma në “Meiner Gallery”.

Ekspozita bashkon nëntë artiste ndërkombëtare nga Lindja e Mesme, Ballkani, Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Meredith-Vula është prezantuar me serinë e fotografive “Flowers of Earth and Blood” të realizuar në kuadër të udhëtimit të saj personal për rizbulimin e rrënjëve dhe në identitetin e saj përgjatë 25 viteve të kaluara, përfshirë edhe ankthin e pasluftës në Bosnjë e në Kosovë.

Piktorja Zake Prelvukaj, e cila ndodhet në Londër, të martën i ka thënë gazetës se ekspozimi në Londër i tetë veprave të saj ka peshë.

“Katër janë të viteve kur janë dhunuar gratë, femrat tona. Këtu ka qenë shumë e domosdoshme të shihet emocioni i atyre momenteve të Kosovës në atë kohë. Ndërsa tjerat kanë qenë vepra që pasqyrojnë fatin e engjëjt”, ka thënë Prelvukaj.

Loading...