Uroj t’i ruaj Zoti shqiptarët e Maqedonisë nga atdhetarët e rrejshëm, të cilët për interesa personale e kanë pranuar Republikën e Maqedonisë me këtë emër, pas pavarësisë së saj nga ish federata jugosllave në vitin 1991, duke marrë dokumente personale, certifikata, letërnjoftime, pasaporta, si dhe kanë shfrytëzuar benificione, tenderë, grante, projekte dhe kanë realizuar interesa të tjera personale të leverdishme, disa kanë qenë edhe bartës të funksioneve të rëndësishme partiake, politike dhe shoqërore; ndërsa në shkrimet dhe paraqitjet e tyre publike ende e quajnë këtë shtet si „Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë“, madje këtë e bëjnë edhe aktualisht kur ky shtet e ka ndryshuar emrin në Republika e Maqedonisë Veriore, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë, më 17 qershor 2018.
Shqiptarët në Maqedoni më së paku kanë nevojë për atdhetarë të këtillë me korrespondencë, të cilët pavetëdijshëm shtetin e tyre dhe trojet e veta etnike ua falin jugosllavëve, serbëve, bullgarëve, grekëve dhe të tjerëve.
Edhe në bazë të vullnetit politik të shumicës absolute të shqiptarëve të shprehur përmes Referendumit për Autonomi Politike Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, pas bojkotimit të referendumit për pavarësinë e Maqedonisë, për shkaqe të njohura, asnjëherë shqiptarët në Maqedoni nuk kanë hequr dorë nga territori, emri i shtetit, sovraniteteti dhe shtetësia e Maqedonisë, si shtet i tyre i përbashkët me të tjerët që jetojnë në këtë shtet.
Këtë konstatim mund ta demantojnë vetëm ata që në vazhdim të këtij shkrimi do të publikojnë ndonjë dokument të tyre personal në të cilin Maqedonia quhet Ish Republikë Jugosllave./ Abdulla Mehmeti
(22 gusht 2018)

Loading...