Problemit të demarkacionit Kosovë-Mali i Zi i erdhi fundi, por duket se në shtetin malazez ka ende liderë që kundërshtojnë ashpër pavarësinë e Kosovës.
Në prag të zgjedhjeve presidenciale atje, dy kandidatë edhe publikisht po paralajmërojnë tërheqjejn e njohjes për Kosovën.

Njëri nga ta është edhe kandidati i opozitës, Marko Milaçiq.

Ky i fundit gjatë një tubimi në Berane ka deklaruar se tërheqja e njohjes për Kosovën, do të jetë një nga vendimet e para, transmeton lajmi.net

“Qeveria malazeze manipuloi me popullin e vet në lidhje me Kosovën. Do të insistojë në anulimin e vendimit të njohjes së këtij shteti”, ka thënë Milaçiq.

Ky i fundit është i njohur për qëndrimet pro-ruse dhe pro-serbe.

Më i ashpër në qëndrimet ndaj Kosovës është kandidati për president nga radhët e koalicionit serb, Dobrilo Dedeic.

Ai ka deklaruar se ndër vendimet e tij të para nëse bëhet president, do të jetë tërheqja e ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë.

Madje kritikoi qëndrimet e Gjukanoviqit se njohja e Kosovës nuk mund të tërhiqet.

“Pretendimet e regjimit të Gjukanoviqit se njohja nuk mund të tërhiqet, janë të pavërteta. Ish-Republika jugsllave njohu pavarësinë e Saharasë Perëndimore në vitin 1984, por pastaj pas ndarjes më 2004 ky vendin u tërhoq”, tha Dedeic.

Ai nuk heziton ta quajë Kosovën si krahinë të Serbisë, dhe që pavarësinë e ka shpallur në mënyrë të njëanshme.

Ndryshe zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi mbahen më 15 prill.

Favorit për të fituar është kandidati, Milo Gjukanoviq. /Lajmi.net/

Loading...