SHAQIR ISLAMI
Skena politike vlon. Kampanjat me retorika nacionaliste kumbojnë me avazin e vjetër. Sipas përvojës së deritashme, kështu pritej të ndodh. Formula e sajuar funksionon me përsosmëri. Dy nacionalizmat etno-simboliste e mbajnë peng këtë shtet. Dash- e- padashur, forca e dy nacionalizmave na tërheqin në vorbullën e tyre. Kjo tango e dhunshme dhe perverse e nacionalizmave tanë na dëmton të gjithëve njësoj. Sidomos, shtetin tonë të brishtë. Populli thotë:’ kur përlahen dy veta, i treti fiton’. Ky i treti, nuk është shteti ynë, dhe nuk është mes nesh!
Nuk do shumë mend, që të vërehet se si funksionojnë dy nacionalizmat-ortake shqiptare dhe maqedonase. Ata e ushqejnë dhe e mirëmbajnë njëri- tjetrin, për shkak se, asnjëri nuk mund të ekzistojë pa tjetrin. Prandaj, perversiteti është i anasjelltë. Nacionalizmat tanë janë një përzierje e qelbur e teorive primordialiste, perenialiste dhe etno-simboliste; dhe sidomos, janë pak si tepër romantikë. Funksioni tyre është të gjenerojnë animozitet dhe frikë midis dy shoqërive; këta e kanë robëruar shtetin dhe e frenojnë funksionimin e tij. Nacionalizmi si ideologji dhe lëvizje sociale është në funksion të ndërtimit të shtetit, e jo të rrënimit të tij!
Diskursi dhe retorika nacionaliste shërbejnë për formësimin dhe menaxhimin e opinioneve publike. Sidomos, kur këto përsëriten pa ndalë, më tepër se një dekadë, në media. Produkti i deritashëm është ngjizja e opinioneve publike, të cilat janë shndërruar në shkëmbinj monolite; dhe fërkimi dhe stimulimi i njëra tjetrës e ka ndarë shoqërinë në dy kampe armiqësore.
Nëse, diç kaq zullumqare zbatohet ashiqare në zararin dhe jo në dobinë tonë të përbashkët, atëherë, të paktën duhet pranuar se ka një problem mes nesh. Problemi i të gjithëve janë dy nacionalizmat tona që akoma lirshëm vallëzojnë tangon e tyre me pasion. Dhe me sa duket nuk ka fuqi që i ndalë; ndonëse që të dy nacionalizmat e konfliktuara tash sa vite na e shterin energjinë sociale, dhe nuk i sjellin mirëqenie askujt? Dhe askush nuk pyet se kush është autori i tyre dhe kujt i shërbejnë? Kush përfiton nga konflikti verbal, dhe dhuna psikologjike nga gjuha e urrejtjes dhe nga urrejtja histerike e kotë midis dy shoqërive? E si të mos ikë rinia nga një vend baksuz dhe i pashpresë?
Do përpiqem ta shpjegoj rolin dhe funksionin e nacionalizmit shqiptarë, i cili shërben vetëm si shtytës dhe justifikues për nacionalizmin maqedonas. Ky është i zhurmshëm, bosh, pa përmbajtje, përveç se, e loz rolin e frikësuesit të qytetarit maqedonas, thënë troç, e loz rolin e bishës apo siç e quan ashiqare vet ortaku, “monstrum”. Veprimi politik i nacionalizmit shqiptarë, është arma kryesore në duart e nacionalistëve maqedonas; kërcënimet dhe kërkesat ekstreme boshe, frikësuese edhe shkatërrimtare të rendit dhe sistemit, vetëm i shërbejnë mobilizimit të elektoratit maqedonas në radhët e nacionalistëve. Ky frikësim ndodh me këmbëngulje, tashmë njëzet e gjashtë vjet, dhe akoma vazhdon ky narrativ idhnak!
Kampanja e radhës e VMRO’së e pasqyron më së miri rolin pervers të dy nacionalizmit shqiptarë . Narrativi etno-nacionalist i Gruevskit dhe pajdashëve të VMRO’së, sërish e shfrytëzon argumentin e famshëm politik që qarkullon tek maqedonasit vetëm për përdorim të brendshëm: “zmija da te llapne, ili magare da te bapne” dhe e urdhëron elektoratin e vet : “m’i jepni gjashtëdhjetë e tre deputetë, që t’ju mbrojë nga ‘monstrumat’”, siç na ka stigmatizuar tashmë VMRO’ja. Ja sa e lehtë është kjo lojë perverse sado-mazo, Gruevski, nuk e lut elektoratin e vet, por e urdhëron atë, pasi që narrativet e partive shqiptare e ushqejnë nacionalizmin e VMRO’së dhe i tmerrojnë votuesit e palës tjetër. Ndërsa, botërisht dihet se frika është emocioni më efektiv i mobilizimit të individëve.
Aspak nuk ishte i rastit, shfaqja e fotografisë së Ali Ahmetit me uniformë midis Shkupit, dhe jam i bindur se kjo nuk është fare iniciativë e BDI’së; kjo kumtesë shkaktoi rezonancën (kumbimin) e mjaftuar tek elektorati i Gruevskit, që të mobilizohet dhe t’i ngjesh radhët rreth liderit të tyre shpëtimtarë nga bishat. Alia me uniformë, vetëm duhej ta nxit kujtesën për luftën e 2001’shit, dhe ta galvanizojë atë me kampanjën e tashme. Kaq mjaftonte. Alia sa herë që e çelë gojën u bën zarar shqiptarëve, përderisa, i shërben si hyzmeqarë VMRO’së.
Në çdo fshat dhe qytet narrativi politik i VMRO’së përsërit argumentet mohuese të sloganeve të partive shqiptare; nuk do të ketë federalizim të shtetit (narrativ i kotë i Selës, në këto zgjedhje vendimtare për demokracinë ( !)), dhe “nuk do ketë ridefinim të shtetit” ( slogan i paqartë, i lëvizjes Besa (!)), dhe narrativi mohues i tretë që përsëritet pa ndalur “nuk do ketë zyrtarizim të gjuhës shqipe në Maqedoni” (narrative që përsëriten nga dueti “motrat-mustafa” (BDI-PDSH) të harxhuara si sapuni nga VMRO’ja.
Ta them me fjalorin futbollistik (ndonëse jam anti-futboll), narrativet e të gjitha partive politike shqiptare, deri më një, vetëm i qesin topa për penallti Gruevskit! E si të mos e fitojë Gruevski, Zajevin e shkretë, me gjithë këto kundërshtarë politikë ? Partitë (bilmeza) shqiptare, lëre se i bëjnë zullum popullit të vet, i bëjnë zarar edhe komshillëkut!