Opinione

(D)ylberi në sheshin “Skënderbeu”

fadil-lepaja-1-850x730

 

FADIL LEPAJA

Dy të moshuar, udhëtojnë me aeroplan, përtej Atlantikut. Rruga e gjatë dhe me turbulenca, e bënë heshtjen të pakëndshme. Për të shkurtuar rrugën me llafe, e pyet bashkudhëtarin e vet, sa fëmijë i ka. Kur ai i përgjigjet, se i ka katër, tjetri vazhdon të e pyes për profesionet e tyre. Njëri është balerin, tjetri frizer, ndërsa i treti dizajner mode, përgjigjet prindi krenar. E kishte harruar më të voglin dhe kur bashkudhëtari insiston të dijë edhe për të, përgjigja e prindit, ja mbushi sytë me lot. “Edhe ai njëjtë, si tre të tjerët, është gay”-tha ai! Është barsoletë, natyrisht! Të moshuarit,kryesisht, nuk e lidhin orientimin seksual me krenarinë, sepse ata, në kohën e tyre edhe bisedat paksa më të lira me gratë e veta, i bënin në terr, duke ja ulur fitilin llampës, e lëre më të tjerat. Jo se nuk kishte dylber dhe dylberë, asokohe, por thjeshtë nuk flitej për to, përpos nën avujt e rakisë kur këndohej , apo … thjesht kur nuk kishte prezent diplomat të huaj dhe shoqëri civile. E të tillë asokohe nuk kishte sepse ende nuk kishte arritur as rezoluta 1244, ende kishte veç patriot, tradhtarë, partizan, ballist, çetnik…! Në kohën e tyre, aktiviteti i vetëm publik, ku përmendej komuniteti gay, ishte kur nëpër stadiume, palestra, dhe nëpër tubime, duke qenë se sharjet e motivuara politikisht, ishin të dënueshme ashpër, publiku shfryhej duke i quajtur “padera”, liderët komunist, që asokohe ishte një sharje më e pranueshme, dhe gjithsesi jopolitike. Mjaftonte, të mos shpalleshe armik . Por edhe politika, nuk u mbetej borxh. Ajo përmes, sistemit të thashethemeve, krejt qarqet artistike, intelektuale dhe kritike të shoqërisë e cilët po rrënonin diktaturën me angazhimet e tyre, i përfliste për homoseksualizëm, me qëllim devalvimi. Kur dikush e kritikonte shtetin, ai ishte gay, natyrisht. Populli edhe pse u këndonte dylberëve, edhe pse kishte shumë fëmijë me emrin Dylber/e, prapseprap, nuk i duronte në lagje. Kështu që edhe lëvizja gay, përpos fazës së ilegalitetit ku fshihej prirja e tyre, kishte edhe fazën antikomuniste dhe patriotike. Koha ishte ashtu, luftohej me të gjitha jetet do të thuhet. . Historinë, e shkruajnë fitimtarët. Por jo vetëm në komunizëm, përdorej homoseksualiteti për të mbrojtur apo për të fshikulluar të pasmet e politikës. Prej atëherë, për, për dallim prej politikës, komuniteti gay, ka evoluar. Është bërë simpatik. Populli thotë se në fund të fundit për veti e kanë. Pastaj, e bëjnë me vullnet. Reputacioni publik i komunitetit është ngritur ndërkohë që politikanët si kategori kanë devalvuar në sytë e popullit. Për dallim prej të parëve, politika jonë rrezikon (fund) shpinën e qytetarëve, pa vullnetin e tyre. Ky fenomen, ka marrë përmasa globale, si lëvizje emancipuese , dhe do të shihni, se liderët për ti bërë më simpatik i pikturojnë duke u puthur. Për shembull, ju me siguri e keni parë në rrjet, një mural, ku Putin edhe Trump, janë pikturuar duke u puthur në buzë? Kjo ka ndodhur në kryeqytetin e Lituanisë. Askush nuk u shqetësua për këtë mural, përkundrazi ai shumë shpejt u bë viral. E pushtoi botën. Dikush, me gjasë nga komuniteti gay, u mundua me i dhanë pak sharm politikës dhe me theksue se liderët global dinë të duan, qoftë dhe njëri tjetrin. Në krejt Ballkanin, paradat e krenarisë janë bërë dukuri normale, dhe në nivele të larta të shtetit, për të përmirësuar imazhin e politikës, kanë ardhur pjesëtarë të komunitetit gay. Për shembull kryeministrja serbe, është shndërruar në ikonë të komunitetit gay. Pas politikanëve të tipit të Millosheviçit, dhe Sheshelit, ardhja e saj në krye të qeverisë ka filluar të riparoj imazhin e politikës serbe në qarqet elite euro-atlantike. Kështu që institutet strategjike të partive tona politike, do të merren me siguri me këtë këtë dobësi të politikës kosovare. Tash, bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, është e angazhuar për dashni e jo për urrejtje, dhe nëse i shihni në parada politikanë të cilët duan të ndërrojnë imazhin e tyre, mos u habisni. Dashnia është dhuratë të cilës nuk i këqyren dhëmbët politik. Edhe në Kosovë, e patëm paradën. E organizuan dhe promovuan kryesisht heteroseksualët, por në fund të fundit, kjo nuk është me rëndësi. Në sheshin “Skenderbeu” shpërndahej dashni, dhe valëviteshin flamujt e komunitetit, bashkë me pankarta ku kishte slogane të shkarkuara nga rrjeti. Të gjithë dukeshin të gëzuar. Presidenti nuk kishte pankartë. U mjaftua të citojë kushtetutën, të drejtat, barazinë. Kryeministri u hetua me mos prezencën e tij. Lila, e arsyetoi se kishte shumë punë. Sido që të jetë, edhe sot në paradën , me (d)ylbera, u dëshmua se jem popull tolerant ndaj gjithë çka është ndryshe, madje edhe kur nuk është ndryshe! Shyqyr, mediat mbeten pa komente pikante sepse prej hareje dhe prej tollovie nuk po dihej kush është pjesëtar i klubit e kush ka dalë për të përfituar publicitet politik, e kush për donacione. Pastaj pak mister i jep edhe lezet kësaj pune. Në Prishtinë, për dallim prej Tirane, nuk e mbuluan as Skënderbeun, as Zahirin, as Rugovën, e madje as Shën Terezën. Ata ndihen krenar. U ndien, ose jo, preferojnë të heshtin. Duhet të reformohen, të ecin me kohën. Ylberi mbi sheshin “Skënderbeu” u pa në të gjitha kontinentet. Pas kësaj, dy të rinj , duke udhëtuar me autobusat e Shpendit, po bisedonin kokë më kokë. “Prej parade, a”- pyeti i pari?”Jo more çfarë”- ia ktheu i dyti. “Unë nuk e përziej rakinë me ujë dhe seksin me politikë”- u mburr ai. “Hallall” ja ktheu i pari. Retorika te ne nuk përfaqëson asgjë. Mos na kapni për fjale. Jemi eksperiment. I përdorim shprehjet që i ha tregu. Eh, sikur, ky komuniteti, në vend të politikës,të angazhohej për viza, do të bëhej lëvizje masash. Për një vizë, dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës e kanë ndërruar shtetësinë, nëse mund të u besohet portaleve. Dikush, më serioz, më idealist se politika duhet të sakrifikohet për liberalizim. Asgjë nuk zgjidhet me pushkë, më, vëlla. Politika është vazhdim i shoqërisë civile me mjete tjera. Kur është fjala për pushtet, mjetet nuk zgjidhen. Paqe dhe dashni!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top