Armir Veseli
Kur u zgjodh Adnan Jashari për ministër të drejtësisë, nga BDI nuk kishin të ndalur “spinet” se kjo parti po i hap dyert për kuadro nga sfera akademike dhe se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Këto “spine” frymëzuan jo vetëm Adnan Jasharin, por edhe shumë profesorë-doktorë tjerë, që edhe natën flenin me kollare, duke pritur se në çdo moment do u bi telefoni dhe do i thërrasin të marrin postin (e ëndërruar) ministror. Si duket i joshur nga këto “spine”, Adnan Jashari ishte aq i sigurt në jetëgjatësinë e tij në post ministror, sa që pa asnjë dyshim e “përqafoi” edhe stemën me luanin e VMRO-së, duke na e paraqitur si simbol të ilirëve. Mirëpo kur e vërejtën reagimin e fuqishëm të shqiptarëve kundër stemës me luan, udhëheqësit e BDI-së u tërhoqën “me bisht nën vegë”, dhe ia vunë “samarin” vetëm Adnan Jasharit. Dhe kuptohet e larguan nga qeveria.
Historia si duket po përsëritet me “Ilinednska Makedonijën”. Viktimat e radhës me gjasë do të jenë Bujar Osmani dhe Teuta Arifi. Kur e panë Ali Ahmetin duke i qëndruar pas shpine Zoran Zaevit deri sa e promovoi propozimin “Ilindenska Makedonija”, Osmani dhe Arifi shpejtuan t’i dalin zot këtij propozimi menjëherë pas “kryetarit”, nga frika se dikush tjetër po vrapo para tyre. Bujar Osmani na bëri “rezil” pse nuk e pranojmë termin “ilinditas”, kurse teuta Arifi tha se Ilindeni po na bashkojka neve shqiptarët me maqedonasit (mendoj se Tetuta Arifin e lidhin me maqedonasit edhe shumë gjëra tjera, jo vetëm Ilindeni, por shqiptarët haj tybe!).
Tani kur shqiptarët reaguan fuqishëm kundër “ilindenskës” dhe “Ilinditases”, Ahmeti sërish po reteron sikurse me stemën. Dilema e vetme është nëse Osmani dhe Arifi do të digjen bashkë, ose do të mjaftojë vetëm njëri prej tyre?
Miqtë e mi që i kam në BDI thonë se të gjitha skenaret për “djegien” e kuadrove partiake i “ziejnë” bashkë kryetari i partisë, Ali Ahmeti dhe Artan Grubi, deputeti që nuk e duan as në vendvotimin e tij, por që Ahmeti assesi nuk mundet ta largojë.
Në bisedat që zhvilloj me ta, thonë se Osmani dhe Arifi me siguri janë në radhë për t’u futur në “furrën” partiake, ku do të digjen e shkrumbërohen, njëra si viktimë e “Ilindenit”, kurse tjetri si viktimë “Ilinditase”.
Sidoqoftë, nëse Osmani dhe Arifi “digjen” bashkë me Ilindenin, satisfaksioni i vetëm për ta është se do u ngritet ndoshta nga një përmendore në Meçkin Kamen. Do të shkrihen në bronzë, sikurse Nexhat Agolli.

Loading...