Kryetari i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj, ka thënë se pala serbe ka filluar aktivitetin e tyre për gërmimin vlerësues në rajonin e Rashkës në Serbi pa i njoftuar autoritetet kosovare dhe për këtë arsye sipas Gjetaj, kanë reaguar duke kërkuar që të ndërpriten këto punime.
“Pala serbe ka filluar një aktivitet për një gërmim vlerësues në një lokacion, për ne tani veç është i njohur si lokacion i dyshimtë, bën pjesë në hapësirat ku ka pasur gjetje në vitin e kaluar, që më të njoftuar që po bëhen gërmime vlerësuese në kemi reaguar për mos ftesën tonë, kështu që përmes komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, kemi reaguar që të ndërpriten punimet dhe të mos zhvillohet asnjë aktivitet vlerësues në vendet ku dyshohet si varreza masive, apo si pasoj e mbetjeve mortore që mund të gjinden nga lufta e fundit”, ka thënë Gjetaj, në emisionin “Kontakt” të Tribuna Channel.

Gjetaj ka deklaruar se arsyeja sipas tyre që nuk janë njoftuar për këto vlerësime është që nuk janë dakorduar për data por si arsyeje kanë gjetur edhe mungesën e kryesuesit të delegacionit të Prishtinës.

“Në maj kemi pasur një shkresë dhe kemi thënë që nuk jemi dakorduar për data mirëpo nuk kemi thënë që nuk duam të takohemi”, ka thënë Gjetaj.

“Ne kemi theksuar që nuk pranojmë asnjë aktivitet i cili behët pa pajtimin tonë ose është i njëanshëm, prandaj kemi nesër një takim me grupin punues si dhe me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar të cilët do të jenë ndërmjetësues në këtë rast, pra nuk pajtohemi që aktivitetet vlerësuese të bëhen pa prezencën tonë dhe nesër do të dakordohemi për hapat të mëtutjeshëm për pjesëmarrjen e palëve si praktikë që ka qenë edhe në vitet e mëparshme që është ndërtuar me dialogun që kemi pasur me palën serbe përmes ndërmjetësimit të komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq”, tha Gjetaj në “Kontakt”.

Gjetaj foli edhe për bashkëpunimin e tyre me EULEX-in, ku sipas tij nuk mund të thuhet që ka një bashkëpunim transparent, pasi EULEX gjithmonë nisen nga fakti që kanë të bëjnë me krimet e luftës. “Ne kemi bërë përpjekje që bashkëpunimi ynë me EULEX të jetë më i hapur, të kemi transparencë të plotë, por nuk mund të themi që kemi një bashkëpunim të mjaftueshëm.

Gjetaj ka folur edhe për lokacionet ku dyshohet për varreza masive. Sipas tij janë disa lokacione në Serbi dhe disa në Kosovë.

“Në pjesën veriore të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, te Xhamia e Ibrit dhe të varrezat myslimane të fshatit Kalludër në Zubin Potok, dyshohet për varreza masive”, ka thënë Gjetaj.

Qytetet që kanë numrin më të madh te të pagjeturve janë Mitrovica, Gjakova dhe Rahoveci, tha ai.

Loading...