Emine Derhemi, 78 vjeçe, nga Tirana edhe pse në pension ka punuar për shumë vite vetëm për të siguruar të ardhurat që ajo të realizojë udhëtimin për Haxhin.

Çdo besimtar musliman ëndërron të përjetojë emocionet e Haxhit, një nga pesë kushtet e Islamit, që bashkon në tokat e shenjta në Arabinë Saudite miliona besimtarë nga vende të ndryshme të botës.

Besimtarët sigurojnë të ardhurat në mënyra të ndryshme për të realizuar Haxhin, ku nuk mungojnë edhe ata që punojnë posaçërisht për të siguruar të ardhura vetëm për udhëtimin e tyre të jetës.

Po ashtu në mesin e besimtarëve ka edhe nga ata që kursejnë nga të ardhurat e tyre vetëm me qëllimin që të realizojnë udhëtimin dhe ëndrrën e tyre për Haxhin dhe për këtë nuk mungojnë as të moshuarit.

Emine Derhemi, 78 vjeçe, nga Tirana edhe pse në pension ka punuar për shumë vite vetëm për të siguruar të ardhurat që ajo të realizojë udhëtimin për Haxhin, ndërsa sot ajo shikohet nga besimtarët si një shembull i sakrificës, dashurisë për Islamin dhe burim frymëzimi për besimtarët e rinj.

Pas lejimit të lirisë së besimit, që ishte ndaluar për shumë vite në Shqipëri gjatë regjimit komunist, ajo tregon se filloi rrugën e saj drejt besimit, që e kishte ëndërruar prej kohësh.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Derhemi tregon për udhëtimet e saj për në Haxh, emocionet që ka përjetuar, punën dhe kursimet e saj që të realizojë Haxhin dhe në fund tregon plot emocion dëshirën që ka që përsëri të vizitojë tokat e shenjta.

“Unë kam qenë gjithsej 14 herë në tokat e shenjta, në Mekë dhe Medina. Për herë të parë kam qenë në vitin 1998. Haxhi i parë ishte më kureshtari dhe ishin shumë arsye. Vizitat që bënim atje i prisnim me padurim dhe ritet fetare, ritualin e Haxhit”, tregon Derhemi.

Ajo shprehet se çdo gjë është e veçantë në Haxh, nisja nga Meka në Mina, nga Mina në Arafat dhe të gjitha ritet e tjera.

“Allahu e bëri risk. Kur isha herën e parë u kënaqa dhe dëshiroja të rrija akoma më shumë. Mua tek Haxhi më rri mendja dhe më duket sikur jam atje. Kur u nisën haxhinjtë u takova me ta dhe kjo ishte një kënaqësi për mua”, u shpreh ajo.

“Punët jashtë pensionit tim i kam bërë vetëm për Haxhin, ku deri në moshën 70 vjeçare kam punuar dhe kam kursyer të ardhurat dhe kam shkuar për Haxh me ato kursime. Më parë për Haxhin nuk ka qenë një shumë e lartë që është sot. Shpresoj të shkoj edhe një herë në Haxh, sepse atje nuk e ndieja lodhjen”, tregon Derhemi.

Për të rinjtë thotë se lut Zotin që të ju mundësohet udhëtimi për Haxh, që të shkojnë vetëm duke menduar për këtë rrugë.

Nënë Emine tregon se për arsye shëndetësore nuk ka mundur disa vite të udhëtojë drejt tokave të shenjta për Haxhin, por ajo dëshiron që të shkojë përsëri, e për këtë lutet që të gëzojë shëndet të plotë.

Ajo në fund tregon se është takuar me haxhinjtë nga Shqipëria që u nisën këtë vit, duke përjetuar edhe emocionet e tyre, e duke shpresuar që ajo përsëri të jetë pjesë e këtij udhëtimi të jetës për çdo besimtar musliman.

Loading...