Nuk janë vetëm qytetarët që ballafaqohen me procedura burokratike të pajisjes me viza nëpër Ambasadat e shteteve të Bashkimit Europian. Janë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët edhe me pasaporta diplomatike, duhet të kalojnë nëpër procedura afërsisht të njëjta, dhe jo rrallë, ndodhë që edhe atyre t’iu refuzohen, apo t’iu lëshohen viza me afat shumë të shkurtë.

Është një perceptim tek qytetarët se deputetët, apo politikanët me pasaporta diplomatike, nuk kanë nevojë për viza Shengen, apo nuk e kanë problemin e pajisjes me viza. Por, deputetja e LDK-së, që është edhe kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, për Radio Kosovën thotë se në praktikë, nuk ndodhë ashtu si mendohet.

“Është një perceptim totalisht i gabuar se në Pasaporta Diplomatike nuk duhen vizat. Në fakt edhe në Pasaporta Diplomatike e kemi të domosdoshme të aplikojmë për viza. Dokumentet që kërkohen janë të njëjta me ato që i kërkohen çdo qytetari të Kosovës përveç në disa ambasada specifike dhe përveç kësaj kërkohet edhe nota verbale nga Ministria e Punëve të Jashtme”, thotë Osmani.

Dokumentet e nevojshme janë të njëjta si për qytetarë, sqaron deputetja, pra certifikata, raporti financiar, dokumente nga ATK si dhe të gjitha të tjerat. Në shumë raste, edhe refuzohen.

“Ka raste të shumta kur deputetëve iu janë refuzuar vizat, ka raste të shumta kur procedura e marrjes së vizave ka zgjatur aq shumë sa ka kaluar koha për të marrë pjesë në një konferencë apo takim ndër-parlamentar”, thotë deputetja.

Vetëm me disa shtete sipas saj, problemet mund të jenë pak më të lehta, por në shumicën e rasteve janë vështirësitë e njëjta edhe për deputetë.

“Edhe vizat me Pasaporta Diplomatike janë shumë afatshkurtra. Ka raste kur deputetët marrin vizë për 2-3 ditë, apo maksimum një javë, ose dhjetë ditë, pra vetëm aq sa zgjatë konferenca ose aktiviteti zyrtar”, potencon ajo.

Ka edhe deputetë, që siç thonë, solidarizohen me popullin edhe nuk insistojnë për të aplikuar për t’u pajisur me vizë Shengen. Kështu thotë për televizionin publik, deputeti i Nismës, Zafir Berisha.

“Si përfaqësues i qytetarëve, natyrshëm duhet me u solidarizua me këtë ngecje në lëvizjen e lirë të qytetarëve, që nuk është absolute faji i qytetarëve. Nga pak është faji i politikës vendore, por edhe i politikës europiane që bëjnë eksperimente me Kosovën”, thotë ai.

Ai pranon se jo vetëm qytetarët, por edhe vet deputetët kanë probleme të lëvizjes së lirë në Bashkimin Europian.

“Ta zëmë, unë përkundër se jam anëtar i Komisionit për Punë të jashtme, s’kam qenë në një vizitë në Norvegji, sepse s’kam pasur vizë dhe nuk kam insistuar me marrë vizë vetëm e vetëm duke e ditur gjendjen e përgjithshme që kanë qytetarët e Kosovës”, sqaron Berisha.

Berisha edhe pse pranon se ka korrupsion në institucionet e Kosovës dhe duhet luftuar atë, siguron se nuk është problemi këtu. Sipas tij, liberalizimi i vizave është vendim politik, dhe BE po bën eksperiment me qytetarët e Kosovës, duke e ditur se vet ai ka liberalizuar vizat për Ukrainën, që është në gjendje lufte.

Loading...