Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka marrë pjesë në hapjen e punimeve për ndërtimin e pikës kufitare Stanqiq-Bellanoc, e cila do të financohet nga Komisioni Evropian.

Me këtë rast, ai ka thënë se kjo pikë kufitare i jep dimension zhvillimor Gjilanit dhe Grykës së Karadakut. “Me këtë projekt, Gryka e Karadakut dhe Gjilani merr dimension krejt tjetër, zhvillimor, infrastrukturor, e në veçanti zhvillohet bujqësia dhe turizmit malor. Janë projekte që ne do t’i atraktojmë edhe me bashkatdhetarët tanë dhe investitorët e huaj, në mënyrë që kjo zonë të jetë më e zhvilluar. Hapja e pikës kufitare Stanqiq-Bellanoc është projekti më i madh në Grykën e Karadakut. Kjo pikë, Kosovës ia mundëson që përmes korridorit të dytë ndërkombëtar për t’u lidhur me korridorin e dhjetë, autostradën Shkup-Selanik. Për ne është me interes lidhja e shqiptarëve të Kosovës me ata të Kumanovës”, ka thënë Haziri.

Haziri ka theksuar se nga mbikëqyrësi i punimeve është njoftuar se projekti është në revidim për shkak të jostabilitetit të tokës, por pritet teknikisht të zgjidhet nga Komisioni Evropian. “Shpresoj shumë që t’i japin dinamikë sipas kalendarit për të mundësuar lëvizjen për qytetarët, e natyrisht edhe për mallrat në tonelatat e përcaktuara”, ka deklaruar Haziri.

Loading...