Edhe Tirana në përkrahje të Albin Kurtit

Shoqëria Civile në Tiranë i bëri thirrje sot autoriteteve në Kosovë të lirojnë një orë e më parë deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Nga kjo Tiranë e mbarë shqiptarëve bëjmë thirrje: lironi Albin Kurtin bashkë me idealistët e tjerë. Poshtë Zajednica”.

Në protestën paqësore të cilës iu bashkuan aktivistë dhe qytetarë nuk mungonte simboli kombëtar, flamuri kuq e zi si dhe parulla me shkrime “Po Albin Kurtit, jo Zajednicës” “Lironi Albin Kurtin”.

Protestuesit mbanin në duar foto të Kurtit dhe Gani Krasniqit gjatë momentit të arrestimit si dhe foto të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës me mbishkrimin “tradhtarë”.

“Kemi zgjedhur foto të Albin Kurtit dhe Gani Krasniqit, sepse kompleksi i inferioritetit shkon dhe e vë në burgun e sigurisë së lartë Albin Kurtin që është shembulli i të qenët dinjitoz në politikë. Kompleksi i frikës shkon e arreston dhe dhunon Gani Krasniqin, shem bulli i familjes që ka dhënë të gjithë kontributin historikisht. Është baba dëshmori, xhaxha dëshmori, një nga krijuesit e Shtabit të UÇK. Kjo është e vërteta e politikës në Kosovë. Nuk e di kur do zgjohemi ne, jemi pak në Tiranë.Është e dhimbshme”,tha përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Elvis Hoxha.

“Kemi fatin e keq të kemi një lloj frike që na është ngjizur dhe kjo frikë vjen paralel. Është një tepri e kompleksit të inferioritetit të shtetit shqiptar, e cila nuk i autorizon popullit shqiptar të mbrojë të drejtat e veta”, tha më tej ai.

Loading...