Edi Rama po përdor “armët e heshtura”

Shkruan Arben Llalla

Prej disa vitesh që Shqipërinë që udhëheq Edi Rama, shqiptarët vazhdojnë të mashtrohen nga intelektualët, të cilët kanë si pririoritet interesat e tyre personale se sa ato të qytetarëve e shtetërore. Jemi dëshmitarë që rinia po braktis vendin duke mos e kthyer më kokën pas. Qindra mijëra shqiptarë tashmë kanë vendosur ta shohin Shqipërinë jo më si atdheu i tyre, duke mos ndjerë më atë ndjenjën e atdhedashurisë, por si një vend turistik që duhet ta vizitojnë herë pas herë për t’u kujdesur për shëndetin e prindërve pensionistë të lënë pas dore nga shteti.

Kryeministri Rama sillet dhe vishet në mënyrën e tillë për të mashtruar shqiptarët duke i shfrytëzuar si makineri votuese. Metoda e rrenës së Ramës me stilin e veshjes, ngjyrat e shumta, fjalorin çjerrës për drejtësi, tepsi, timon, janë ide të përdoruara qysh në kohën e perandorëve të Romës, në veçanti e gjejmë tek Perandori Augusto (Imperator Gaius Julius Caesar Augustus 63 para erës sonë – 14 pas erës sonë).

Mënyra tjetër që po shfrytëzon Edi Rama për të ruajtur pushtetin sa më afatgjatë është shpikja e problemeve të reja, të cilat nuk kanë lidhje fare me atë se çfarë po ndodh në të vërtetë me shoqërinë shqiptare. Kjo lloj metode hyn në “luftërat e qeta”, të cilat zhvillohen me “armët e heshtura”. “Armët e heshtura” janë avancuar si pasojë e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik këto 30 vitet e fundit. Kjo ka bërë që pushteti të veprojë në kohën e duhur me anë të elitave të saj për të ndalur zhvillimin e klasës së mesme, e cila gjithnjë historikisht ka udhëhequr revolucionet. Kështu, sistemi shtetëror ka më shumë kontroll mbi popullin dhe pushtetin e gjerë duke bërë të mundur izolimin e tyre.

Përdorimi i “armëve të heshtura“ në Shqipëri:

a) Degradimi i arsimit në injorancë

Jemi dëshmitarë që arsimi po degradon duke e ulur cilësinë e tij dhe ushqyer me injorancë e mediokritet. Shtresat e ulëta sociale shkollohen me modesti duke bërë të mundur që hendeku midis klasës shoqërore të lartë dhe të ulët të ketë një hapësirë ndarje të pakapshme. Shumë njerëz janë pajisur me diploma të pamerituara. Dikur ekzistonin studentët heronj, të cilët rrëzuan sistemin monist, protestonin për qeverisjen e keqe, ndërsa sot kemi studentë, të cilët janë militantë të partive politike, apo që janë mësuar t’i blejnë nota kundrejt ngrohjes së shtratit apo pagesës në euro.

Nëpër institucionet shtetërore punësohen militantë partiakë që i përkasin shtresës së ulët të shoqërisë dhe jo individë që mund t’i ofrojnë zhvillim vendit dhe shoqërisë. Kjo ka bërë që prej kaq vitesh të kemi një administratë burokratike dhe të korruptuar që nxit konflikte.

b) Krijimi i një problemi që nuk ekziston dhe oferta e zgjidhjes

Krijimi i problemeve që nuk ekzistojnë në “luftën e heshtur” njihet si arma “problem – reagim – zgjidhje”. Le të sjellim vetëm shembullin e rasteve të fundit, ku kryeministri Rama deklaroi në media se ai në vitin 2015 i ngriti artificialisht problemet me Greqinë duke shfrytëzuar Çështjen Çame dhe PDIU-në. Sot, po duket sheshit që Edi Rama me qeverinë e tij e bënë kurban Çështjen Çame për interesat e tyre personale.

c) Nxitja e turbullirave për të pranuar atë që nuk dëshirojmë

Mënyra për të pranuar me dhimbje një vendim të papëlqyer është që atë ta paraqesim në kohën e duhur për të ardhmen duke siguruar pajtimin e palëve. Kështu, kemi rastin e Çadrës së famshme të PD-së dhe marrëveshjen antikushtetuese të Ramës me Bashën. Kjo marrëveshje antikushtetuese u pranua me dhimbje nga shqiptarët dhe partitë e vogla. Kjo ka qenë e lehtë të arrihet nga PS dhe PD, të cilat kontrollonin së bashku çdo institucion shtetëror. Duke shkelur Kushtetutën PS dhe PD ndalën koalicionet e partive të tjera, duke menduar se kështu do t’i zhduknin dhe në njëfarë mënyre ia arritën qëllimit. Dhe sot iniciativat e shoqërisë qytetare, të përkrahura ndoshta edhe nga ndonjë parti e vogël për të kundërshtuar keqpërdorimin e pushtetit në shërbim të interesave të partisë apo individëve të fortë është e destinuar të dështojë. Prandaj, masa e gjerë e popullit është e detyruar të pranojë dorëheqjen dhe nënshtrimin përballë pushtetit diktatorial që i ka rrënuar ekonomikisht dhe psikologjikisht.

d) Ushqimi kulturor i publikut sikur të ishte në moshën e adoleshencës

Në fillim të viteve 2000 kanalet televizive transmetonin shumë telenovela latine sa që njerëzit u sëmurën pas tyre. Ka patur raste të dhunës mes bashkëshortëve se cilën telenovelë do të ndiqnin. Pushteti vërejti që këto telenovela latine pas kaq kohësh, shumë pak po e tërhiqnin shikuesin shqiptar, atëherë nisi liberalizmin e tregut, në mënyrë që në çdo kanal televiziv të jepeshin telenovelat turke. Falë kulturës të afërt parazitare me turqit, ka bërë që një pjesë e mirë e shqiptarëve të dashurohen si fëmijë me këto quasi soap opera. Tashmë, të gjithë janë kthyer në njerëz sipërfaqësorë përpara ekraneve, tek shfaqen telenovela turke me dashuri tragjike. Ka të dashuruar me aktorët, zërin dhe lëvizjet e tyre në këto serialë. Kthimi i publikut të gjerë në moshën e adoleshencës u vërtetua, kur disa aktorë kanë vizituan Shqipërinë. Gjatë vizitës ata u respektuan dhe u pritën nga mijëra tifozë, të cilët i përkisnin më shumë moshës së pjekurisë se sa të rinjve.

l) Kontrollimi i zhvillimeve shoqërore

Për të kontrolluar sistemin, zhvillimin e klasës së pavarur shoqërore, pushteti e ushqen atë me informata hidhëruese, siç janë vetëvrasjet, përdhunimet, vjedhjet, katastrofat natyrore e kështu me radhë. Pra, me tema, të cilat sjellin plogështi, mosbesim në vetvete, frikë për të ardhmen. Kështu, klasa jonë shoqërore në vend që të protestojë për varfërinë ekonomike, racizmin shoqëror, injorimin e kulturave kombëtare, ndjehet fajtore duke krijuar një gjendje depresioni. Kjo gjendje depresioni frenon zhvillimin e veprimtarive shoqërore. Krijimi i një gjendje të tillë çmendurie-shoqërore i intereson pushtetit për të mos tërhequr vëmendjen e qytetarëve rreth qeverisjes së vendin, zhvillimeve të ndryshimeve ekonomike e globale.

Loading...