Ekologët për Qeverinë: Zgjidheni “xeheroren e vdekjes” ose populli vetë do ta zgjidh

Aktivistët e shoqatave ekologjike të cilat e kundërshtojnë hapjen e xeherores për bakër dhe ar Illovica në luginën e Strumicës kanë drejtuar një ultimatum Qeverisë që t’ia merr koncesionin kompanisë “Euromaks Risorsis” më së voni deri të martën, 16 tetor, kur është paraparë të mbahet seancë e Qeverisë. Përndryshe, ata paralajmëruan se “do t’i bëjnë thirrje popullit që ai vetë të mbrohet dhe vetë të zgjidh problemin”, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Nuk pranojmë më asnjë prolongim ose justifikim. Nuk pranojnë as qytetarët, të cilët prej neve kërkojnë veprime për ndalim të xeherores”, thonë shoqatat ekologjike të cilat kanë nënshkruar shkresën deri te Qeveria e Zoran Zaevit.

Ata theksojnë se ekzistojnë argumente të shumta në favor të zgjidhjes së këtillë të problemit me xeheroren Illovica nga të cilët më i rëndësishmi është se vet kryeministri Zoran Zaev ka dhënë premtim parazgjedhor që nuk do të ketë xeherore. Ata gjithashtu, përkujtojnë se Zaev nuk e ka respektuar as afatin që vet e ka caktuar (fundi i muajit maj) për zgjidhjen e problemit me xeheroret në Maqedoninë juglindore.

“Qeveria dhe Kuvendi nuk e respektojnë vullnetin e shprehur pa rezervë nga qytetarët në referendumet e mbajtura në shtator 2017 në komunat Bosillovë dhe Novo Sellë, si dhe në marshin protestues të mbajtur më 16 qershor 2018, nën moton T’A NDALOJMË PARA SE TË ASGJËSOJË! Koalicioni qeveritar, e që është edhe më keq, në bashkëveprim me opozitën, në gusht e pengoi votimin e ndryshimeve të propozuara në Ligjin për lëndë të para metalike dhe minerale, i cili tani më 11 muaj pret të miratohet nga ana e Kuvendit. Koncesioneri i xeherores Illovica – Shtuka “Euromaks Risorsis”, tashmë dy vite funksionon jashtë ligjeve, ndërsa studimet e tyre janë përplot boshllëqe, thuhet në komunikatën e organizatave “Luginë e shëndetshme” – Strumicë, “Eko Lugina” – Novo Sellë dhe iniciativa qytetare “SHPËTIM për Luginën e Strumicës – Stop për xeheroren e vdekjes”.

Ekologët përkujtojnë se kryeministri personalisht ka theksuar që ekzistojnë së paku tre-katër baza juridike për marrje të koncesionit. Sipas tyre “disa individë nga pushteti paraprak dhe i tanishëm në mënyrë kriminele e mbrojnë “Euromaks Risorsis” dhe gjatë kësaj shkelen të gjitha marrëveshjet e ndërsjella, ligjet dhe Kushtetuta e RM-së”.

“Kjo nuk është sundim i të drejtës, por shembull për marrëveshje korruptive që i vë nën dyshim të gjithë ata që nuk dëshirojnë ta zgjidhin çështjen në dobi të qytetarëve. Ndryshimet e pretenduara të teknologjisë për eksploatim aspak nuk janë në pajtim me ligjet e Republikës së Maqedonisë dhe si të tilla janë krejtësisht jashtë çdo procedure të përcaktuar e cila duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Veprimet e këtilla kriminele janë rrezik i përgjithshëm potencial dhe mund të shkaktojnë katastrofë masive”, thuhet në komunikatën.

Sipas ekologëve, vetëqeverisjet lokale të komunave Bosillovë, Novo Sellë dhe Strumicë në këtë rast nuk kanë dalë në mbrojtje të qytetarëve që, bashkë me të gjitha faktet e përmendura paraprakisht, kanë ndikuar në referendumin nacional të mbajtur më 30 shtator 2018, komunat e prekura drejtë për së drejti sikur Novo Sella dhe Bosillova të kenë dalje rekorde të ulët, më së shumti për shkak të mosplotësimit të premtimit për ndaljen e xeherores.

“Ne jemi të vetëdijshëm se problemi me xeheroret është trashëguar nga pushteti paraprak, për çka fuqishëm e kemi kritikuar, mirëpo qeveria e re ka marrë përsipër obligimin, para qytetarëve, se do ta zgjidhë problemin. Problemi ende nuk është zgjidhur. Ndërkohë, të gjithë banorët e rajonit të Strumicës dhe juglindjes ndihen se ekzistenca e tyre është e rrezikuar na xeherorja potenciale, e cila nëse hapet, nga Lugina fisnike e Strumicës do të shkaktojë shkretëtirë të degraduar në aspektin ekonomik, nacional dhe kulturor dhe të shpopulluar”, thuhet në komunikatën.

Loading...