Ekskluzive: Administratori nga Shkupi rrëfen si arriti t’i kthejë 3.000 eurot që ja mori “partia” për punësim (Video)

Një administrator shqiptar nga fshatrat e Shkupit, apelon te të gjithë shqiptarët që eventualisht kanë qenë të detyruar të japin ryshfet për punësim në administratë, të shfrytëzojnë rastin para këtyre zgjedhjeve që t’i kthejnë paratë e tyre. Në një rrëfim ekskluziv për mediumin tonë, ai tregon se si e ka zënë ngushtë para zgjedhjeve të 11 dhjetorit “partinë që i kishte marrë 3.000 euro ryshfet për punësim” dhe si i ka detyruar të ja kthejnë paratë. Ai ka përmendur edhe emrin e partisë për të cilën thotë se i ka marrë ryshfet për punësim, mirëpo ne nuk do të përmendim emrin e kësaj partie, për shkak se tani gjendemi në fund të fushatës parazgjedhore. Megjithatë rikujtojmë se deputetë opozitarë publikisht nga foltorja e Parlamentit kanë akuzuar Musa Xhaferin dhe Abdylaqim Ademin se kanë marrë nga 3.000 deri 5.000 euro për punësim të një shqiptari në administratë. Nga ana tjetër, disa ish komandantë të UÇK-së përmes rrjeteve sociale kanë akuzuar edhe Ejup Halimin, bartësin e listës së BDI-së në njësinë zgjedhore numër 2, për marrje të ryshfetit për punësime në administratë.

“Erdhi në shtëpinë time personi që më pat marrë 3.000 euro ryshfet, që të kërkojë shtatë votat e familjes time në zgjedhjet e 11 dhjetorit. I thash se do t’ia jap vetëm nëse mi kthen 3.000 eurot që mi patë marrë ryshfet për punësim. Kur e pa se nuk ka rrugëdalje mi ktheu dhe më luti që të mos i tregoj askujt tjetër. Mirëpo unë shfrytëzoj rastin t’u tregoj gjithë shqiptarëve se tani kanë mundësinë t’i kthejnë paratë që eventualisht i kanë dhënë për punësim. Ata që u kanë marrë ryshfet nuk kanë qenë asnjëherë më në zor për vota se tani. Mos të ju besojnë premtimeve se do t’ua kthejnë pas zgjedhjeve, sepse janë gënjeshtra. Le t’ua kërkojnë menjëherë. Unë ashtu i ktheva”, thotë administratori në fjalë.

Megjithatë rrëfimi i tij nuk është kaq i shkurtër. Administratori në fjalë, që flet në kusht anonimiteti, thotë se kur është punësuar para 5 viteve, ka dhënë 3.000 euro ryshfet, sepse e ka kuptuar që nuk mund të punësohet ndryshe, pasi katër tentimet e mëhershme për punësim me “procedurë të rregullt” kanë qenë të pasuksesshme.

“Nuk mu dhimbsën 3.000 eurot edhe pse 2.000 i mora borxh. Mendova se me punësim do ta zgjidh problemin kryesor jetësor dhe se borxhin do ta kthej shumë shpejt. Mirëpo pasi fillova të punoj e kuptova se gjysma e rrogës më shkon për harxhime. Borxhin që duhej ta kthej për 6 muaj, mezi arrita ta kthej për 3 vite edhe atë pasi mora kredi në bankë. Vazhdimisht isha në hamendje ta lë punën dhe të iki jashtë dikun, mirëpo nuk më linte inati për 3.000 eurot që i kisha dhënë”, rrëfen ky djalosh, tani në moshë 31 vjeçre. “Më vinte inat që ne japim nga tre mijë euro për të fortët e partisë”, vazhdon ai rrëfimin e tij, “e ata me paratë tona blejnë vetura luksoze dhe i harxhojnë për dashnore”. “Madje edhe në Dubai shkojnë, kurse dashnoreve u blejnë edhe banesa. Unë u desha të futem në kredi për ta kthyer borxhin që e dhashë për ryshfet. Me qejf e pritsha ditën që t’i zë në zor. Dhe ja tani erdhi dita. Para një jave më trokiti në derë personi i njëjtë që mi pati marë 3.000 euro ryshfet për punësim, të kërkojë shtatë votat e familjes sime, duke më rikujtuar se ‘partia të ka punësuar’. Përgjigja ime e shtangu. Po i thash, do t’i japë shtatë votat, por nëse mi kthen 3.000 eurot që mi pate marrë ryshfet pra 5 viteve. Filloi të arsyetohet. Ato kanë qenë për ish ushtarët, për familjarët, për invalidët… Shihej qartë se po rren. Nuk mundej të më shikojë në sy për asnjë moment. Po, iu përgjigja, e di ku i ke dhënë. Për t’i ble veturë dashnores. Ia përmenda edhe emrin. Fytyra iu nxi si cung. Zëri filloi edhe t’i dridhet. Aman, tha, mos i trego askujt. Do t’i kthej tha pas zgjedhjeve. Përgjigja ime ishte e prerë, ose nesër, ose nuk e votoj partinë e tij dhe do të ju tregoj të gjithëve se më ka marr ryshfet. Dhe vërtetë të nesërmen mi solli. Më luti prap që të mos i tregoj askujt, sepse të gjithë do të fillojnë t’i kërkojnë. Disa, tha, kanë dhënë edhe nga 5.000 euro, ku të gjejmë t’ua kthejmë të gjithëve”, rrëfen administratori nga fshatrat e Shkupit,

Në fund përgjigja e tij është enigmatike, në pyetjen nëse do ta votojë më 11 dhjetor partinë, për të cilën thotë se para pesë viteve i ka marrë ryshfet, kurse tani është detyruar të ja kthejë.

“Nuk e di, Ndoshta do ta votoj, nëse më japin edhe dy mijë euro dëmshpërblim. Pesë vite i kanë mbajtur paratë e mia dhe kanë bë qejfe me to. Do ta shohim më 11 dhjetor nëse do t’ua jap votën edhe unë edhe familjarët e mi”, përfundon ky administrator i guximshëm.

Më poshtë ju sjellim edhe videot ku mund të dëgjoni akuzat e deputetëve opozitarë ndaj funksionarëve të BDI-së për marrje të ryshfetit për punësim të shqiptarëve në administratë.

Loading...