Një nga lojtarët e kombëtares shqiptare që nuk ka ekip është Naser Aliji. Mbrojtësi i krahut të majtë u largua nga skuadra e Virtus Entellës pas mbarimit të sezonit në Seria B dhe tashmë është në kërkim të një ekipi të ri. 24-vjeçari po sheh mundësitë që ka, por duhet të sistemohet shpejt. Aliji refuzoi shtetin izraelit për shkak të fesë, ndërsa tani ka në dorë një tjetër ofertë.

 

Burime të sigurta të Telesport bëjnë me dije se klubi i Anorthosisit e kërkon futbollistin shqiptar. Të njëjtat burime saktësojnë se ishullorët i kanë ofruar atij një kontratë 2-vjeçare. Vitin e parë do të përfitojë 100 mijë euro në sezon, ndërsa vitin e dytë 120 mijë euro në sezon.

 

Aliji po mendon ofertën dhe është shumë i dyzuar. Duket një situatë e pakuptimtë për lojtarin, pasi nuk ka ekip dhe nuk dihet se çfarë po pret. Ai rrezikon të mbetet sërish pa skuadër. Mbrojtësi nuk ka shumë kohë të mendojë, pasi Anorthosis i ka lënë afat vetëm sot që të mendojë. Në rast se shqiptari nuk kthen përgjigje do të shkojnë me një emër tjetër. Aliji luajti 6 muajt e fundit në Itali me Virtus Entellën ku luajti 17 ndeshje, nga të cilat 14 si titullar.

Loading...