EKSKLUZIVE/ Ministri Bushati flet për herë të parë për “korrigjimin e kufijve”: Statusi i Kosovës…

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në një intervistë ekskluzive për “Panorama” deklaron se statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh e as shumëpalësh dhe aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në “konflikte të ngrira”, si pasojë e tolerimit të “parimit të rivendosjes”.

Shkupi po bën përgatitjet e fundit për referendumin e datës 30 shtator, në të cilin populli do të vendosë në lidhje me marrëveshjen e arritur me Greqinë, sipas të cilit fqinji ynë do të quhet “Maqedonia e Veriut”, marrëveshje që duket se i siguron perspektivën euro-atlantike. Si i shihni këto zhvillime në prizmin rajonal?

Shqipëria ka mbështetur pa asnjë hezitim procesin e dialogut mes Athinës dhe Shkupit dhe në të njëjtën kohë ka nxitur vijimësisht kohezionin e faktorit politik shqiptar për t’u bërë protagonistë të ndryshimeve transformuese, që i mundësojnë Shkupit të përparojë në proceset e anëtarësimit euro-atlantik. Urojmë që në referendumin e 30 shtatorit, qytetarët të mbështesin procesin e paqes së sapofilluar. Fqinji ynë ka një shans të papërsëritshëm përpara. Në këtë proces, roli i shqiptarëve është vendimtar. Stabiliteti demokratik, mirëkuptimi ndëretnik dhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO janë në interesin e shqiptarëve. Mbajtja gjallë e konfliktit shumëvjeçar për çështjen e emrit me Greqinë apo çfarëdo projekti tjetër alternativ që krijon boshllëqe, përmes të cilave mund të depërtojnë aktorë të tretë në Shkup e rajon, nuk është në interesin e shqiptarëve. Përmbushja e angazhimeve që burojnë nga ky proces merr një rëndësi të posaçme për vetë Ballkanin Perëndimor, duke e transformuar atë në një hapësirë më të madhe sigurie.

Dy vjet më parë, qeveria Rama u kritikua jo pak për “ndërhyrje në punët e brendshme” të Maqedonisë, teksa nxiti publikimin e asaj që u njoh ndryshe si “Platforma e Tiranës”. Cili është kontributi i Tiranës zyrtare në ndryshimet që pasuan në Maqedoni?

Në asnjë rast e për asnjë rrethanë, qeveria Rama nuk ia ka lejuar vetes që të ndërhyjë në punët e brendshme të fqinjëve. Ne i kemi trajtuar me parimësi zhvillimet dramatike në Shkup, përkeqësimin e standardeve demokratike dhe tendencën për t’i portretizuar shqiptarët si faktor destruktiv dhe islamistë radikalë gjatë viteve të kaluara. Gjithnjë kemi qenë të interesuar për stabilitetin demokratik dhe prosperitetin e fqinjëve tanë edhe në ditët e tyre më të vështira. Natyrisht, do të vijojmë të punojmë për fuqizimin e kohezionit politik e shoqëror të shqiptarëve atje, si garancia themelore për një shtet europian. Me qeverinë Zaev janë hedhur disa hapa përpara në planin dypalësh që mbase nuk imagjinoheshin më parë. Tanimë ekziston edhe një mekanizim i mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, i iniciuar në Pogradec, që shqyrton progresin e marrëdhënieve tona si në planin politik, ashtu dhe në lidhje me perspektivën e përbashkët zhvillimore të komuniteteve ndërkufitare, e më gjerësisht qytetarëve tanë. Gjithashtu, na gëzon fakti që klima ndëretnike është përmirësuar, ndonëse nevojitet të sanksionohet në Kushtetutë, e më pas të zbatohet në praktikë koncepti i barazisë mes maqedonasve dhe shqiptarëve si dy komunitete kryesore shtetformuese. Sigurisht, rolin kryesor në avancimin e statusit e kanë subjektet politike shqiptare dhe vetë shqiptarët. Por ne e konsiderojmë avancimin e statusit të shqiptarëve si një çështje prioritare të interesit kombëtar. Kësisoj, do të vijojmë angazhimin për respektimin e të drejtave dhe identitetit shqiptar atje.

Në shtator të këtij viti pritet të mbahet takimi i radhës mes Presidentit Thaçi dhe Vuçiç në Bruksel. Nëse do të bënim një përmbledhje të asaj çfarë ka prodhuar ky dialog, a shihni më shumë fryte apo dështime të tij?

Dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja duhet vështruar si një arritje kyçe për vendosjen e raporteve të reja mes tyre dhe përforcimit të rrugës europiane për të dy vendet. Është për t’u vlerësuar fakti se që nga korriku 2017 faza e re e negociatave po drejtohet nga krerët e shteteve me synim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për palët, pa vonesa dhe pa devijime të procesit.

Krerët e shteteve si bartës të konceptit të unitetit të popullit kanë detyrimin të ndërtojnë platforma e procese të besueshme brenda shoqërive respektive. Duhet pranuar se njohja e Kosovës është parakusht për anëtarësimin e Serbisë në BE. Kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim, i vizatuar enkas për Kosovën është demonstrim i këtij realiteti. Mbetet prioritar çmontimi tërësor i strukturave paralele serbe në veriun e Kosovës, sikundër zbatimi i marrëveshjeve në fushën e energjisë, lëvizjes së lirë apo njohjes së diplomave. Përveçse me impakt të drejtpërdrejtë në normalizimin e marrëdhënieve dhe në jetët e qytetarëve, moszbatimi i këtyre marrëveshjeve dobëson besimin mes palëve dhe besimin në vetë BE-në si palë ndërmjetëse.

Dëshirojmë që procesi i dialogut të finalizohet me një marrëveshje të detyrueshme për palët, që siguron njohjen e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës. Mirëpo, kur flitet për dialogun dhe një marrëveshje përfundimtare të detyrueshme për palët, duhet të merren parasysh zhvillimet gjatë dy dekadave të fundit. Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se krijimi i Kosovës shtet është një projekt ndërkombëtar dhe produkt i mirëfilltë i një rendi ndërkombëtar, që mbështetej te zgjidhjet e bazuara në të drejtat e njeriut dhe pakicave. Është ky rend ndërkombëtar, i cili ka sjellë përfitimet më të mëdha si për Kosovën ashtu dhe më gjerë për shqiptarët në Ballkan.

Andaj, edhe ndjeshmëria e angazhimi ynë për të drejtat e njeriut dhe të pakicave si dhe për normat e së drejtës ndërkombëtare përbën tanimë një element të thurur në politikën tonë të jashtme e të sigurisë. Nuk ka arsye të predikojmë ndërtimin e një rendi të ri ndërkombëtar, duke vendosur në kolateral arritjet e mundimshme e transformuese të rajonit tonë të mundësuara pikërisht për shkak të këtij rendi ndërkombëtar.

Ndaj, nuk kemi pse shpenzojmë energji me mënyrën se si do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës, apo se si do të rehabilitohet ajo në rajon. Jo. Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe pavarësia e saj e pakthyeshme. Prandaj duhet të mbështetemi tek ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon. Vështruar në këtë prizëm, statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh e as shumëpalësh. E aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në “konflikte të ngrira”, si pasojë e tolerimit të “parimit të rivendosjes”, çka do t’i dhuronte mundësinë për depërtim aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon. Statusi i Kosovës është konfirmuar që me “Parimet Udhëzuese” të Grupit të Kontaktit, kur katër nga pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përkatësisht SHBA, Francë, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia, bashkë me Gjermaninë dhe Italinë parashtruan qartësisht se Kosova “duhet të mbetet multietnike dhe zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës”.

Po në këtë dokument u sanksionua gjithashtu se “nuk do të ketë kthim të Kosovës në situatën para vitit 1999, asnjë ndarje dhe as bashkim me ndonjë vend tjetër”. Në vijim, sovraniteti i Kosovës është konfirmuar në parimet bazë të “Planit Ahtisaari”, me shpalljen e pavarësisë në 2008-n dhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e konsideroi pavarësinë e Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Cili është qëndrimi juaj ndaj propozimit për shkëmbim të territoreve apo korrigjim të kufijve? Pse kjo heshtje e Tiranës zyrtare?

Nuk do të ishte realiste që për tema kaq të mprehta qëndrimet zyrtare të bazoheshin mbi aludime, veprimet taktike apo deklarime testuese. Për Kosovën dhe statusin e shqiptarëve në rajon, Shqipëria ka një qëndrim të farkëtuar në vite që buron prej detyrimeve kushtetuese dhe unitetit politik e ndërpartiak. Në këtë prizëm, inkurajojmë vijimin e procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multikonfesional, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, në pajtim me detyrimet që ka Serbia dhe në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të drejtën europiane. Po ashtu, duhet pasur parasysh se çka është vendosur tashmë në kuadër të Paketës së Ahtisaarit, e mishëruar në Kushtetutën e Kosovës, nuk do të mund të tjetërsohet përmes një marrëveshjeje të re. SHBA, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit për të siguruar që shoqëritë mbeten të hapura. Kjo mbetet një sfidë e vështirë, por jo e pamundur. Rajoni ynë ka pësuar ndryshime të mëdha në dekadat e fundit, në sajë të fuqisë transformuese të BE-së. Dalja nga ky kurs do t’i kushtonte shqiptarëve dhe të gjithë rajonit.

Ju pritët para pak ditësh një përfaqësi të Luginës së Preshevës, të cilët dëshirojnë bashkimin me Kosovën. Çfarë biseduat konkretisht?

Takimi u përqendrua rreth situatës së të drejtave të shqiptarëve, që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe zhvillimet e tanishme në rajon. Shqiptarët atje përballen me vështirësi të panumërta, si në rrafshin politik e administrativ, ashtu dhe në atë zhvillimor, arsimor e ekonomik. Shqipëria do të vijojë të kërkojë nga Serbia as më shumë e as më pak se të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë dhe të njëjtin presion konstruktiv presim dhe nga SHBA dhe partnerët tanë europianë.

Loading...